Avokati i Popullit Endri Shabani është takuar sot me Ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Në qendër të diskutimeve ishte mbrojtja e lirive themelore dhe garantimi i të drejtave të shqiptarëve në rajon. Në fjalën e tij, Shabani theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje të përbashkët dhe proaktive për t'iu përgjigjur sfidave aktuale të të drejtave të njeriut në të dyja shtetet.

Gjatë takimit, në cilësinë e Presidentit të Organizatës së Avokatëve të Mesdheut (AOM) Shabani kërkoi mbështetje institucionale nga Kuvendi i Kosovës për fuqizimin e institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës. Ai nënvizoi se një mekanizëm i pavarur dhe i fortë mbrojtës i të drejtave të njeriut është thelbësor për garantimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.

Pjesë e takimit ishte edhe Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, me të cilin pati edhe një takim tjetër me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi.