Këto ditë, Gjeneva është kthyer në qendrën e debatit botëror për dinjitetin njerëzor. Avokati i Popullit, Endrit Shabani, së bashku me komisioneren Vilma Shurdha, po marrin pjesë në Konferencën Vjetore të GANHRI, në atë që konsiderohet si takimi më i madh botëror i mbrojtësve të të drejtave të njeriut nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara.
Qëndrim i prerë evropian për pavarësinë e GJEDNJ
Një moment kulminant i kësaj vizite ishte mbledhja e Rrjetit Evropian (ENNHRI), ku u mor një vendim me rëndësi strategjike për integritetin e drejtësisë në Evropë. Përmes një deklarate të përbashkët, institucionet kombëtare i bënë thirrje shteteve të Këshillit të Evropës të respektojnë pavarësinë e Gjykatës së Strasburgut.
Ky qëndrim vjen si kundërpërgjigje ndaj tentativave politike për të dobësuar sistemin e Konventës në emër të menaxhimit të migracionit. Për Shabanin dhe kolegët e tij evropianë, mesazhi ishte i qartë: Të drejtat e njeriut janë universale dhe asnjë axhendë politike nuk mund të diktojë se si Gjykata duhet ta interpretojë ligjin.
"Pjesëmarrja jonë dhe vota pro kësaj deklarate rikonfirmon angazhimin e palëkundur të Avokatit të Popullit të Shqipërisë për të mbrojtur standardet evropiane. Në një kohë kur sfidat e migracionit po rriten, është jetike që përgjigjet politike të mos sakrifikojnë integritetin e sistemit të Konventës, i cili ka shërbyer si mburojë për liritë individuale për mbi 75 vite," tha Shabani.
Sfidat e epokës së re
Përveç krizës së migracionit, delegacioni shqiptar po kontribuon në diskutimet mbi tematikat që po riformësojnë shoqërinë moderne:
Inteligjenca Artificiale- Nevoja për mbrojtjen e privatësisë në hapësirën digjitale.
Mjedisi-Trajtimi i një mjedisi të shëndetshëm si një e drejtë themelore njerëzore.
Mbrojtja e vulnerabilëve- Fokus i veçantë te të drejtat e fëmijëve dhe luftën kundër ksenofobisë.
Takime në nivele të larta
Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Avokati i Popullit ka zhvilluar një sërë takimesh me funksionarë të OKB-së, përfshirë Komitetin për Parandalimin e Torturës dhe përfaqësuesit e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG).
Kjo vizitë rikonfirmon angazhimin e Avokatit të Popullit për të qenë një zë i fuqishëm dhe i pavarur, duke sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë.
Komente









