Për shkak të erërave të forta në Alpet zvicerane, që arritën deri në 130 km/h, një kabinë e një teleferiku ra paraditen e sotme në stacionin e skive në Engelberg, në kantonin e Nidvaldit.
Si pasojë e përplasjes, një person humbi jetën. Policia sqaroi se viktima ndodhej e vetme në kabinë në momentin e aksidentit. Sipas autoriteteve, personi u nxor nga kabina dhe iu dha ndihma e parë në vend, madje u tentua edhe reanimimi, por më pas ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda.
Ngjarja është raportuar nga disa media zvicerane, të cilat kanë publikuar edhe pamje ku telekabina shihet duke u rrokullisur në një shpat mali. Policia deklaroi: “Kabina është përmbysur disa herë”.
Shefi i ekipit hetimor, Senad Sakiç, bëri të ditur se policia mori një telefonatë emergjence pak para orës 11:00. Kabina u përplas pak pas stacionit të ndërmjetëm dhe, sipas tij, “është përmbysur disa herë gjatë rënies”.
Në momentin e aksidentit, në zonë frynin erëra shumë të forta. Megjithatë, impianti ishte në funksion. “Arsyeja pse ishte në punë po hetohet”, deklaroi zëvendëskomandanti i policisë, Senad Sakiç.
Hetimet po zhvillohen nga policia e Nidvaldit me mbështetjen e Shërbimit Zviceran të Hetimit të Sigurisë. Autoritetet kanë njoftuar se më shumë detaje do të bëhen publike gjatë ditës.
Komente








