TIRANE - Në Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut Avokati i Popullit ka pritur në institucionin e tij 12 fëmijë të qarkut të Shkodrës, të cilët prej vitesh vuajnë pasojat e fenomenit të gjakmarrjes. Pjesë e këtij aktiviteti ka qenë edhe ekspozita me piktura të realizuara nga këta fëmijë, ku kanë shpalosur punimet e tyre.

Avokati i Popullit Igli Totozani është shprehur se institucioni që ai drejton ka reflektuar ndaj këtij fenomeni dhe për të gjetur rrugë që çojnë në zbutjen e kësaj dukurie.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe që unë jam Avokat i Popullit jam munduar të reflektoj mbi këtë fenomen negativ që ka vështirësuar fatin dhe jetën e shumë shqiptarëve, aq më tepër të këtyre vogëlushëve që nuk e meritojnë një fat të tillë. Sa herë kemi marrë masa të tilla, kam vënë re me pesimizëm që lufta nuk është e lehtë, beteja me këtë fenomen negativ nuk është e thjeshtë, të njëjtën gjë gjeta edhe në pikturat e këtyre artistëve të vegjël”, u shpreh Totozani.

Edhe Ambasadorja e Francës në Tiranë Kristin Moro ka bërë thirrje të gjithë institucioneve që ky fenomen të luftohet sa me shpejt.

(eç/shqiptarja.com)