Avokati i Popullit: Të
lejohen martesat gay

Avokati i Popullit: Të<br />lejohen martesat gay
TIRANE- Gjatë një takimi të zhvilluar dje, nga Komiteti Evropian Ekonomik dhe Social, mbi situatën e të drejtave të grupeve vulnerabël në vendin tonë, “Avokati i Popullit” Igli Totozani, ka deklaruar se do të propozojë zyrtarisht, që në parlament të kalojë ligji që legalizon martesat gay.
 
Avokati i Popullit” do t’i kërkojë zyrtarisht parlamentit të shqiptarëve legalizimin e martesave gay. Kreu i këtij institucioni, Igli Totozani, gjatë një takimi të zhvilluar dje me OJF-të shqiptare për situatën diskriminuese të grupeve vulnerabël në vendin tonë, ka thënë se shumë shpejt do të nisë amendimi i Kodit të Familjes. Duket se kjo nuk është një deklaratë e rastësishme, pasi në muajin dhjetor “Avokati i Popullit”, organizatat LGBT, Komisioneri kundër diskriminimit dhe Këshilli i Europës, do të paraqesin propozime konkrete për amendimin e Kodit të familjes në lidhje me bashkëjetesën.

Por nëse shoqatat LGBT, kanë kërkuar që të legalizohen vetëm bashkëjetesat, “Avokati i Popullit”, është një hap para tyre, dhe kërkon legalizim të martesave. ”Gjërat kanë ndryshuar për mirë. Janë aq ndryshe, sa që unë nuk e di se çfarë po më mban, ndoshta vetë shoqata po më mban, që si institucion i “Avokatit të Popullit”, sa më shpejt të propozojmë martesën. Dhe do ta bëjmë këtë gjë. Le të jemi një shembull pozitiv në Shqipëri dhe në Ballkan”, - ka deklaruar Totozani, i cili thotë se duhet të nisë puna për ndryshimin e kodit të familjes. Ndërkohë vetë shoqatat LGBT, e kanë mbështetur propozimin e Totozanit dhe japin edhe sugjerime konkrete se si mund të ndryshojë neni 7 i Kodit të Familjes që përcakton se martesa mund të bëhet vetëm brenda dy personave me gjini të ndryshme. “Aleanca Kundër Diskriminimit dhe Të bashkuar ProLGBT që të dyja organizata anëtare të obmrellës “ILGA Europe” mbështesin deklaratën e Avokatit të Popullit në lidhje me martesat brenda së njëjtës gjini.

Gjatë muajit dhjetor organizatat LGBT në bashkëpunim me Këshillin e Europës dhe me Avokatin e Popullit si dhe me Komisionerin për Mbrojtje nga Diskriminimit do të paraqesin disa propozime për të amenduar Kodin e Familjes në lidhje me bashkëjetesën si dhe në lidhje me Njohjen Gjinore (gender recognition). Por, në rast se amendojmë Kodin e Familjes për bashkëjetesën, nuk ka asnjë arsye pse mos ndryshonim edhe atë nen që e konsideron martesën vetëm mes një burri dhe një gruaje. Ai nen mund të jetë: martesa lidhet mes dy njerëzve, siç ne fakt përcaktohet në Kosovë, në Portugali, në Gjermani, e në dhjetëra vende të tjera. Duhet të sqarojmë se komuniteti europian nuk detyron asnjë shtet që të amendojë ligjet në mënyrë që të legalizojë martesat gay”, - thonë Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj përfaqësues të këtyre shoqatave në vendin tonë.
 
Kosova
Shoqata LGBT thonë se nuk jemi aspak herët që të fillojmë një debat për këtë çështje. “Kujtojmë që Kushtetuta e Kosovës nuk e ndalon martesën brenda së njëjtës gjini, kështu që atje edhe de facto edhe de jure nuk ka një pengesë ligjore. Pse Shqipëria duhet të ketë pengesa të tilla?”, - shprehen ata
 
Debati
Vetëm 19 shtete njohin martesat gay

Në fakt debati për legalizimin e martesa gay është një debat i kahershëm që po zhvillohet edhe sot e kësaj dite në shumë vende të botës. Aktualisht janë të pakta ato vende që e kanë të legalizuar me ligj, martesën brenda së njëjtës gjini. Kështu martesat brenda së njëjtës gjini janë të legalizuara në: Argjentinë; Australi; Belgjikë; Brazil; Kanada; Danimarkë;
Francë; Islandë; Izrael; Meksikë; Hollandë; Zelanda e Re;
Norvegji; Portugali; Afrika e Jugut; Spanja; Suedia; Britani e Madhe dhe Uruguaj. Ndërkohë që edhe 6 shtete në SHBA me vendimin e fundit të Gjykatës Supreme i hapin rrugë legalizimit në të gjitha shtetet amerikane. Ndrësa vendet që njohin bashkëjetesën brenda së njëjtës gjini janë: Andora; Australia; Meksika; Austria; Kolumbia; Çekia; Sllovenia; Finlandë; Ekuadori; Danimarkë (përfshirë Groenlandën); Luksemburgu e Gjermania.
 
Kushtetuta/Neni 53
Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje. Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit. Lidhja dhe zgjidhja e martesës rregullohen me ligj.
Kodi i familjes/Neni 7
Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndëi, mund të lejojë m,artesën ehde përpara kësaj moshe.
Kodi i familjes/ Neni 163
Bashkëjtesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie
 
 Shkrimi u publikua sot (26.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit