“I kam bërë të gjitha shërbimet në privat, të gjitha”.

Prej rreth 4 vitesh, Ramazan Shkambi po përballet pothuajse çdo javë me dyert e spitaleve në vend. 72 vjeçari i diagnostikuar me diabet, me zemër dhe së fundmi edhe me herediskale, tregon për Report Tv se shërbimet më të mëdha mjekësore është detyruar t’i marrë në privat. 

“Më thanë në tetor do bësh rezonancën, vdiq ti thotë ai njëherë, dhe në tetor të thonë hajde. 130 skaneri, dhe 150 rezonanca, edhe s’të japin asnjë gjë. Tani presim ose të bëhem operacion, ose do vetëhidhem nga ndonjë pallat”.

Për çiftin e moshuar, krahas sëmundjeve, barrë për ta janë edhe kostot e ilaçeve.

“Me probleme shumë, 150 mijë lek marr pensionin. Ne marrim vetëm insulinat e diabetit me rimbursim. Na ndihmojnë fëmijët, por edhe ata kanë hallet e veta. Me 200 mijë lek pension çdo bëjmë ne me ato”.

Së fundmi edhe mjeku Erion Dasho ka folur për Report TV, skandalin e Onkologjikut, ku akuzohen për shpërdorim detyre, mjek, infermire dhe koordinator të spitalit të Onkologjikut.

“Është këmbanë alarmi për qytetarët për pacientët sepse ata e vuajnë më shumë në të gjithë sitemin shëndetësore shqiptarë. Problemi është universal vazhdon prej shumë vitesh dhe ka prekur të gjitha spitalet, fakti që është i përhapur nuk do me thënë që është i pranueshëm. Mjekët që i nxisin pacientët  që të shkojnë në klinika private kanë interes personal pra përfitim personal”.