Para 2 ditësh në Gjykatën e Pesaros është mbajtur seanca e parë e gjyqit për sulmin me acid ndaj avokates Lucia Annibali. Ajo ka akuzuar ish-të dashurin e saj, Luca Varani dhe 2 shqiptarët, Rubin Ago Talaban dhe Altistin Precetaj. Luca Varani akuzohet se ka paguar 30 mijë euro dy shqiptarët më 16 prill 2012, për t’i hedhur acid sulfurik fytyrës së Lucias, në mënyrë që ta ndëshkonte gruan që e la, pasi i zbuloi lidhjen me një femër tjetër. Me pallto të kuqe, kapelë dhe syze të errëta, Lucia Annibali e hoqi maskën e silikonit që e mban 4 orë në ditë. Nuk ja vlente të shikonte personin që dikur i thoshte se “Ke fytyrën më të bukur në botë". Vetëm për një moment, ajo donte të shikoni fytyrën e Rubin Talaban, njeriun e fundit që kishte parë para se dora e tij të hidhte acid në fytyrë. “Unë doja të shikoja se ç’fytyra kishin ata të dy. Nuk i kisha parë kurrë më parë. Njëri me kapuç ishte tmerri im. Doja t’i tregoja atë çfarë kanë bërë. Një moment i vetëm më mjaftoi. Para se të vija në seancë isha mërzitur, ndjeja madje edhe frikë. Pastaj u relaksova në sallën e gjyqit. I pashë ata të tri dhe i thashë vetes : “Lucia, e kalove provën”
 
Shkrimi u publikua sot (14.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(o.b/shqiptarja.com)