TIRANE - Lënë të kuptojnë se nuk e ndjekin shumë njëri -tjetrin, por reagimet e herëpashershme nëpërmjet rrjetit social facebook, duket se tregojnë të kundërtën.

Ky është vetëm një aspekt. Ajo që të bën më shumë përshtypje teksa i hedh një sy axhendave të kësaj fushate të ndezur elektorale, është ndarja me vetëm një ditë hapësirë kohore, e prezantimeve të kandidatëve, në të njëjtin qytet. Dhe duket, se kryeministri Berisha, po e ndjek me përpikmëri itinerarin e Ramës.

Një ditë pasi Rama prezantoi kandidatët në Qarkun e Fierit, kryeministri Berisha bëri të njëjtën gjë. Rama ishte të mërkurën në Elbasan në një takim elektoral, kryeministri e bëri një gjë të tillë këtë mbrëmjen e së premtes.

Kreu i Partisë Socialistë ishte në mbrëmjen e së mërkurës në Korçë për të prezantuar kandidatët për këtë qark, ndërsa kryeministri ka njoftuar se do të jetë në Korçë paraditen e së premtes për të prezantuar kandidatët.

Nuk përjashtohet mundësia që këto të jenë edhe koincidenca, por pak si vështirë për t’u besuar, në kushtet kur takimet e Ramës pasohen “këmba-këmbës”, nga takimet e Berishës…

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)