Ayn Rand: “Ne të gjallët” një
dashuri kundër së keqes totalitare

Ayn Rand: “Ne të gjallët” një<br />dashuri kundër së keqes totalitare
Dashuria e pasionuar e një gruaje të re ngrihet si fortesë kundër së keqes korruptuese të një shteti totalitar. “Ne të gjallët” është romani i parë i botuar i autores ruso-amerikane Ayn Rand. Ky roman, botuar për herë të parë në 1936-n, është gjithashtu edhe manifesti i saj i parë kundër komunizmit. Rand-i ka thënë se ky libër i afrohet autobiografisë së saj më shumë se çdo gjë tjetër që ajo do të shkruante ndonjëherë.

I vendosur në Rusinë postrevolucionare, “Ne të gjallët” tregon historinë prekëse të tre njerëzve që luftojnë kundër shtypjes sovjetike. Protagonistja, Kira, njësoj si Rand-i, rritet në Rusinë postrevolucionare, në një familje borgjeze, e cila ka humbur të gjithë pushtetin dhe pasurinë e mëparshme dhe është e detyruar të jetojë në kushte shumë të vështira. Por Kira ka një shpirt të pavarur dhe refuzon që të jetojë sipas idealeve të familjes së saj apo të shoqërisë sovjetike. Ajo do të bëhet inxhiniere dhe arrin të regjistrohet në Institutin Teknologjik. Në jetën e saj hyjnë dy burra: Andreji, një komunist dhe anëtar i policisë sekrete sovjetike, i cili do të detyrohet të përballet me konfliktin midis idealeve të tij dhe realitetit të jetës komuniste, dhe Leoja, një djalë, origjina borgjeze e të cilit e damkos automatikisht si armik shteti. Lidhja midis këtyre tre individëve krijon bazën e romanit.

Pa lejen e Rand-it, në 1942-shin, në Itali, “Ne të gjallët” do të bëhet një film me dy pjesë: “Noi Vivi” dhe “Addio, Kira”. Regjisori i filmit ishte Goffredo Alessandrini, ndërsa aktorët Alida Valli në rolin e Kirës, Fosco Giachetti në rolin e Andrejit dhe Rossano Brazzi në rolin e Leos. Filmi pati shumë sukses në Itali dhe publiku e kuptoi menjëherë se ai ishte kundër fashizmit po aq sa edhe kundër komunizmit. Pas shumë javësh transmetimi, filmi u ndalua kur autoritetet gjermane dhe italiane zbuluan që ishte bazuar mbi librin e një autoreje çifute. I rigjetur në vitet 1960, filmi u redaktua në një version të ri me nëntituj në anglisht. Ky version u miratua nga Rand-i dhe u shfaq në 1986-n me titullin “Ne të gjallët”.

Për herë të parë, “Ne të gjallët” u botua në 1936-n dhe njohu sukses vetëm pasi autorja botoi, shumë vite më vonë, bestsellerin e saj të dytë “Revolta e Atlasit” (i pari qe “The Fountainhead”, në proces botimi nga Botimet Pegi).
“Ne të gjallët” është shitur me mbi tre milionë kopje në SHBA dhe është përkthyer e botuar në 10 gjuhë të botës.

Ayn Rand (1905, Shën Pjetërburg – 1982, Nju-Jork) ishte një shkrimtare e filozofe amerikane. Ajo është shkrimtarja e parë që ka mbrojtur në mënyrë të flaktë një ideologji të bazuar në lirinë individuale, egoizmin racional, etik dhe kapitalizmin ekstrem “laissez-faire. Ajo iu kundërvu fesë, luftës dhe çdo forme të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Librat dhe mendimi i saj kanë qenë shumë influencues në kulturën dhe shoqërinë e SHBA-së. “Ne të gjallët” ka qenë romani i saj i parë i botuar në anglisht, ndërsa në Shqipëri vjen i dyti, mbas suksesit të romanit “Revolta e Atlasit”.
 
EKSTRAKTE

1. Tani shikomë, shikomë mirë. U linda, dija të jetoja dhe e dija se ç’doja. Sipas teje, çfarë ka mbetur gjallë tek unë? Ti mendon se jam gjallë, sepse kam një stomak dhe ha e tres? Sepse marr frymë, punoj dhe prodhoj ushqim për t’u tretur? Apo sepse e di se ç’dua dhe si e dua? A s’është kjo jeta? Kush mund të më thotë në këtë univers të mallkuar e të pafund përse duhet të jetoj në mos për atë çka dua?
 
2. Shikojeni dhe mos më thoni gjë mua, mos i thoni askujt, thojani vetëm vetes: përse jetoni? A nuk jetoni për vete dhe vetëm për vete? Quajeni qëllimin e jetës suaj, dashurinë tuaj, kauzën tuaj: a s’është ende kauza juaj? Jepni jetën tuaj, vdisni për idealin tuaj: a s’është vallë ende ideali juaj? Çdo njeri i ndershëm rron për vetveten. Çdo njeri që ia vlen të quhet njeri, rron për vetveten. Ata që s’jetojnë kështu, s’jetojnë fare. Nuk mund ta ndryshoni këtë gjë. Nuk mund ta ndryshoni, sepse njeriu ashtu ka lindur i vetëm, i plotë, qëllim në vetvete.
 
3. A mund të sakrifikoni pakicën? Kur ajo pakicë është më e mira? Mohoju më të mirëve të drejtën për të kapur majat, dhe s’do të mbetet prej tyre as nam, as nishan. E çfarë janë masat tuaja, përveçse shpirtra të topitur, të vyshkur e të mykur, që s’kanë mendime të vetat, ëndrra të vetat, vullnet të vetin, që hanë, flenë dhe përtypin pa mendje fjalë që ua fusin të tjerët në tru? Dhe për këta duhet të sakrifikoni ata të paktët, që e njohin jetën... që janë jeta? I urrej idealet tuaja, sepse nuk njoh padrejtësi më të madhe sesa t’u japësh atyre që nuk e meritojnë. Sepse njerëzit nuk janë të barabartë për nga aftësitë dhe nuk mund të trajtohen sikur janë të tillë.
 
4. Ajo nuk foli. U mbështet pas murit, me sy të zgurdulluar, vështrimi i saj nuk shprehte mëshirë për të, por një lutje që lypte mëshirën e tij.
- Ke frikë? E kupton tani pse nuk mund të të shihja? E di ç’do të më thuash, si do të më shikosh. Kur filloi? Nuk e di. Di vetëm që duhet të marrë fund, sepse nuk mund të duroj dot më. Të të shikosh ty, të qeshësh dhe të flasësh me ty për të ardhmen e njerëzimit dhe të mendosh vetëm për çastin kur dora jote do të prekë timen, për këmbët e tua në rërë, për hijëzën e gushës sate, për fustanin që ta merrte era! Të flasësh për rëndësinë e jetës dhe të mendosh nëse mund ta dallosh shtegun e gjinjve të tu përmes jakës së hapur!
 
Kopertina e Librit Netë Gjallët të shkrimtares Ayn Rana
(Në foto: Kopertina e Librit Netë Gjallët të shkrimtares Ayn Rana)

Ayn Rand autorja e romanit Ne të Gjallët
(Në foto: Ayn Rand autorja e romanit "Ne të Gjallët")

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.09.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024