AZI - Një zjarr në shkollën myslimane të qytetit Rangon, në Mianmar, ka shkaktuar vdekjen e 13 fëmijëve nga djegiet ose nga asfiksimi prej tymit bëjnë të ditur zyrtarët.

Agjencia e lajmëve AP tha se ndërtesa dy-katëshe, pjesë e një xhamie, e cila u dogj terësisht strehonte rreth 75 fëmijë jetime dhe ende nuk bëhet e ditur se sa është numri i saktë i fëmijëve mes viktimave.

Oficerë të policisë thanë se zjarri u shkaktua nga mbi-nxehja e një transformatori elektrik dhe pjesa më e madhe e fëmijëve arritën të largohen pa u lënduar. Policë të armatosur ishin vendosur në afërsi të shkollës ndërsa grupe myslimanësh të shqetësuar kërkonin hetim të mëtejshëm, duke vënë në dyshim versionin zyrtar të policisë mbi ngjarjen.

Zjarri i së martës ka rënë në një kohë kur trazira të dhunshme kanë ndodhur mes budistëve dhe muslimanëve ku më shumë se 40 persona janë vrarë, që prej 22 marsit, kur është vendosur edhe gjendja e jashtëzakonshme në disa zona.

Disa xhami dhe objekte të tjera në pronësi myslimane janë shkatërruar gjatë trazirave të fundit sektare ku edhe pse dhuna nuk ka arritur në Rangoon, qyteti ka mbetur i tensionuar nga prania e forcave të shumta të policisë.

(l.ç/ad.ti/shqiptarja.com)