Me dakordësimin e mazhorancës dhe opozitës në Kuvend, dy projektligjet për taksat kombëtare dhe akcizën u bashkuan në një.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se akti normativ për uljen e akcizës me 20% sa herë çmimi naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë litri është i përkohshëm, i domosdoshëm dhe synon mbrojtjen e konsumatorit. Gjithashtu, çdo plan masash do të konsultohet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa situata monitorohet vazhdimisht.
“Ulja e akcizës do të zbresë TVSH-në e importit të karburantit. Po monitorojmë jo vetëm përmes Bordit të Transparencës por edhe përmes strukturave tatimore dhe doganore të cilat kanë kryer 66 kontrolle të përbashkëta dhe kanë konstatuar edhe shkelje dhe kanë vendosur penalitete. Në rast përshkallëzimi të krizës, prioritet do të kenë shtresat në nevojë. Çdo plan masash që do të merret do të konsultohet edhe me FMN. Ky akt normativ është instrument i përkohshëm, i domosdoshëm dhe në përputhje me Kushtetutën që synon të amortizojë goditjen e krizës dhe mbrojë qytetarët shqiptarë”, tha Malaj.
Sali Berisha e quajti aktin "absurd" dhe "politikë shpopullimi", kurse Gazment Bardhi "alibi të qeverisë për të mos ulur taksat."
"Nuk ka akt më absurd se kjo që propozoni sot në Kuvend, akt cinik ndaj shqiptarëve që jetojnë me djersën e ballit. Vini këtu pasi keni hequr subvencionet e naftës për fermerët në kulmin e krizës së naftës. Vini këtu, sillni këtë akt të turpshëm, ulim akcizën kur të kalojë mbi 220 lekë/litri. Kjo është politikë shpopullimi, politikë antishqiptare", tha Berisha.
"Ka rritur taksat për çmimin naftës dhe refuzon t'i ulë. Rama është bërë ortak i krizës, sepse kur çmimet rriten, qytetarët paguajnë më shumë dhe shteti fiton më shumë, dhe Rama refuzon të heqë dorë nga fitimet duke u sjell si aksioner i çdo litri naftë. Kjo mazhorancë nuk ka interes për uljen e çmimit sepse për ta nafta është industri gjigande fitimi", tha Bardhi.
Lajm në përditësim...

Deputetja e PD, Ina Zhupa foli në Kuvend për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë, duke thënë se jetojmë në një ku përzgjidhen edhe fituesit e tenderëve të ushqimeve. Çfarë kontrollesh kemi për sigurinë ushqimore?, pyeti Zhupa duke thënë se jo vetëm që paguajmë çmimet e ushqimeve më të larta në rajon, por paguajmë edhe helm.
“Nuk është ngjarje për ta anashkaluar dhe për të mos reflektuar dhe për të kuptuar se si jeta është e pasigurt. Jemi duke jetuar në një vend ku përzgjidhen edhe fituesit e tenderëve të ushqimeve, jo në bazë të standardeve por në bazë të njohjeve, ofertës më të lartë, allishverishit të radhës. Mungonin kontrollet reale mbi kompaninë që ushqente studentët shqiptarë, mungonin standardet me të cilat do duhet të konkurronte dhe të fitonte për të garantuar ushqimin. Çfarë kontrollesh kemi për sigurinë ushqimore? Vese paguajmë çmimet e ushqimeve më të larta në rajon, paguajmë edhe helm, paguajmë ushqime të cilat janë të pakontrolluara, ushqime që helmojnë fëmijët tanë, studentët tanë, ai që përfiton atë tender, janë të lidhur me qeverinë, klientë të pushtetit dhe nuk ka nevojë nëse kanë standarde apo jo”, tha Zhupa.
Deputeti socialist Erion Braçe dhe kreu i PD, Sali Berisha u përfshinë në debat në Kuvend për çmimin e naftës. Deklaratave të Braçes se taksa e qarkullimit e solli qeveria e tij, Berisha iu përgjigj duke i thënë se sot pritet që ligjvënësi të niste grevën e urisë për naftën pa taksa që iu hoq fermerëve. Ndërsa e akuzoi Braçen se nuk shqetësohet më për fermerët që pasi Belinda Balluku e largoi nga Fieri.
Deputeti iu përgjigj se është e tepërt që të flasin njerëz që për 14 vite nuk i dhanë një litër naftë bujqve pa akcizë. Braçe tha se qeveria socialiste ka dhënë për të paktën 6 vite naftë falas për fermerët, ndërsa kritikoi skemën e re që heqë subvencionin e naftës.
“Gjatë qeverisë sime ka pasur 32 licenca nafte, por nuk ka patur 400 mijë tonë kont qeveritare nafte. Gjatë asaj periudhe ka pasur 400 mijë automjete dhe janë zhdoganuar 720 mijë tonë naftë dhe prodhoheshin në vend 200 mijë ton naftë në ballash, kurse sot 400 mijë ton vijnë nga Libia, kush e merr atë? Atë e marrin vetëm qeveritarët, ato shkarkohen për qeveritarët. Kjo është problemi i naftës. Nëse edhe në taksën më të lartë në botë je mëkatari më i madh ndaj qytetarëve të ty, ndaj fermerëve të tu. Po të mos ishe hipokrit, prisja të nisje grevën e urisë për çmimin e naftës për fermerët, por të hoqi Lubia nga Fieri dhe nuk pyet më për të fare”, tha Berisha.
“Kur flasim këtu kam një diferencë të madhe me njërin, unë flas me letra, ai flet me mend. Nëse është një diferencë mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, nëse flasim për modelin. Të çohen njerëz që për 14 vite, kurrë nuk i dhanë një litër naftë bujqve pa akcizë, është e tepërt, minimumi 6 vjet rresht bujqit kanë marrë naftë falas, pa lekë fare. A jam unë dakord me këtë që u bë tani, jo s’jam dakord, veçanërisht me argumentin se abuzohej. Abuzohet, ndëshkohet dhe politika shkon deri në fund”, iu përgjigj Braçe.
“Ato që them unë janë të vërteta. S’ka vend në botë me taksën 1.1 euro për litër nafte, lexojeni dhe gjejeni një vend”, replikoi Berisha.

Duke folur për modelin e taksave, Erion Braçe tha se tarifa fikse e akcizës dhe taksa e qarkullimit te nafta janë produkte të qeverisë Berisha.
“Ne kemi tatim mbi vlerën e shtuar, e kemi pasur edhe kur drejtonit ju. Kemi akcizë, në kohën tuaj ka qenë me përqindje mbi çmimin e naftës para akcizës. Edhe me këmbënguljen e operatorëve dhe tonën, e çuat me tarifë fikse siç e kemi edhe sot. Taksën e qarkullimit e sollët ju brenda çmimit të hidrokarbureve, nuk e kemi sjellë ne!”, tha Braçe.
Berisha nisi t’i përgjigjej nga vendi, por Braçe ia ktheu me tone të ashpra:
“Kush po abuzon mo? Hajde këtu more fol ti që më thua mua që po më tregon mua që po mbroj interesat e tregtarëve? Hajde zëri me gojë ti se s’i ke zënë me gojë!”, i tha deputeti.
Më tej shtoi se tarifat e ulëta që do opozita, favorizohen konsumatorët e mëdhenj.
“Çmimi 7 lekë nuk është njësoj si për atë që konsumon pak karburant, si për atë që konsumon shumë! Jemi munduar të bëjmë drejtësi se me tarifat e ulëta që keni ju, keni favorizuar konsumatorët e mëdhenj!”, u shpreh Braçe.

Çmimi i lartë i naftës nuk vjen nga qeveria, por nga situata e luftës në Lindjen e Mesme, tha deputeti Erion Braçe. Ai nënvizoi se akti normativ për taksën kombëtare dhe akcizën nuk ka ndikim pasi peshën kryesore e ka mbajtur Bordi i Transparencës. Edhe pse e lëvdoi punën e Bordit, Braçe tha se ka rezerva për transparencën pasi fsheh modelin e tregut.
“Çmimet e larta të naftës lidhen me situatën në një rajon të botës që është edhe ndër më prodhueset. Çmimet nuk erdhën nga qeveria, por erdhën të larta për shkak të një situate në një rajon prodhues të naftës, me ndikim në të gjithë botën. Akti është pa ndikim, është përdorur nga data 3-8 prill dhe 8-9 prill dhe efekti ka qenë 37 milionë lekë. Ai që ka pasur ndikimin më të rëndësishëm ka qenë Bordi i Transparencës dhe ka bërë një punë të lavdërueshme në aspektin e përcaktimit të çmimeve. Frekuenca e mbledhjes së Bordit dhe shqyrtimi i çmimit të hidrokarbureve ka bërë që të kemi kontroll më të mirë të çmimit, edhe pse mbeten të larta. Ajo që kam rezervë në raport me Bordin lidhen me transparencën. Mungesa e transparencës fsheh modelin e tregut që kemi, një broker që furnizon me naftë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, depoziton naftën në depozita dhe kjo sasi nafte ka një çmim nafte nga dita që del për të shkuar në pompë. Në këtë skemë ka edhe paspagim, edhe para që jepen me interesa, para që gjenden për ta blerë këtë sasi nafte. Brokeri bën shpeshherë edhe rolin e bankës, e palejuar”, tha Braçe.
Deputeti socialist adresoi edhe rieksportin e energjisë elektrike në Kosovë duke thënë se “janë përfshirë zyrtarë të të dyja vendeve” dhe çmimet e larta i bëjnë nder kontrabandës.
Duke iu rikthyer Bordit të Transparencës, Braçe kërkoi llogari për standardin e “naftës greke” që shitet deri në 13 lekë më shtrenjtë.
“Shikoj që ka dy çmime në tabelë dhe shkon në diferencë deri në 13 lekë për litër. Çfarë standardi nafte është ky që shkruhet në tabelë naftë greke? Çfarë standardi është që shënohet në tabelë dhe është 13 lekë më e shtrenjtë?”, tha Braçe.

Ndërsa në Kuvend po diskutohej për aktin normativ për uljen e akcizës kur çmimi i naftës kalon 220 lekë/litri, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se refuzon të shkojë në Kuvend pasi shqetësimi i tij nuk është rritja e çmimeve për qytetarët, por si të pengojë drejtësinë të luftojë korrupsionin. Aktin normativ ai e quajti një alibi të qeverisë për të mos ulur taksat.
“Rama nuk është këtu, ai nuk vjen në Kuvend, nuk vjen për debat, sepse shqetësimi kryesor i shqiptarëve, çmimet e larta që ndikohen nga rritja e çmimit të karburantit nuk janë shqetësim i tij. Në 6 muaj ka ardhur vetëm njëherë kur pengoi SPAK të luftojë korrupsionin e Ballukut, sepse ky është i vetmi shqetësim që ai ka, të pengojë luftën ndaj korrupsionit.
Ka rritur taksat për çmimin naftës dhe refuzon ti ulë. Rama është bërë ortak i krizës, sepse kur çmimet rriten, qytetarët paguajnë më shumë dhe shteti fiton më shumë, dhe Rama refuzon të heqë dorë nga fitimet duke u sjell si aksioner i çdo litre naftë. Sa më e mbushur të jetë arka, aq më shumë tenderë për qeverinë, Belindat, Ergysët e Ramës, fatura e korruptimit te qeverisë. Kjo mazhorancë nuk ka interes për uljen e çmimit sepse për ta nafta është industri gjigande fitimi.
Nga njëra anë kemi tallje me shqiptarët, që ndërhyn në akcizë vetëm kur çmimi shkon 220 lekë për litër, kur aktivizohet kur çmimi dhe jashtë kontrollit, qeveria pret që qytetarët të i gjen mirë dhe me pas ti japë ujë. Kjo është alibi për të mos ulur taksat. Çmimet e ushqimeve janë arritur, transporti po, kosto për çdo familje është rritur. Kemi 3 propozime të PD që ulin çmimin e naftës e zbusin krizën, janë mekanizëm i vërtetë europian qe vepron për të parandaluar rritjen e kostos”, tha Bardhi.

Gjatë përgjigjes ndaj akuzave të Berishës për raportin e PE për demokracinë, Taulant Balla tha se PD ankohet për vjedhje brenda partisë. Më tej, i kujtoi skualifikimin e Mereme Selës si mosrespektim të barazisë gjinore.
“Sa i përket pjesës së demokracisë, ankoheni që po ju vjedhin votat brenda partisë suaj. Një çikë respekt për barazinë gjinore, një grua si Meremja e shkretë kërkoi të kandidonte, e skualifikuat. Një kandidat nga gjinia tjetër do të bënte mirë”, tha Balla.
Në përgjigje të deklaratave të Berishës për projektrezolutën e PE për Shqipërinë se në të janë bërë 300 ndërhyrje, Taulant Balla tha se ishin 300 amendamente, pjesa më e madhe e të cilëve u rrëzuan. Mes tyre, edhe amendamente që ishin nisur me email nga Tirana, vijoi Balla. Lidhur me projektrezolutën, ai pati vetëm një rezervë, të drejtat e minoriteteve, pasi ligji shqiptar parashikon mbrojtjen më të mirë të tyre.
“U tha nga njëri që ishin 300 ndërhyrje, ishin mbi 300 amendamente. Komisioni rrëzoi pjesën më të madhe të amendamenteve. Edhe pse ndonjë amendament ishte nisur me email nga Tirana, nuk e kaloi dot filtrin e Komisionit të Jashtëm. Kam vetëm një koment, te pika 12. Shqipëria është një model i respektimit të të drejtave të minoriteteve. Nuk bie dakord, pavarësisht se e dini fare mirë kush e ka shkruar ose propozuar këtë amendament, por mendoj se Shqipëria në Ballkan është vendi që respekton minoritetet. Ligji që kemi bërë së bashku në vitin 2017 për minoritetet, është më i miri. Komisioni rekomandon që pika 12 të rishikohet”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS tha se Kuvendi duhet të përforcojë kapacitetet, ndaj për këtë bëri ftesë për të vijuar me ndryshimet e rregullores.
“Përshpejtimi i procesit duhet të shoqërohet me progresin substancial duke theksuar se përafrimi i legjislacionit duhet të shoqërohet me forcimin e kapaciteteve të monitorimit të ligjeve dhe zbatimit të tyre. Ftesa për ndryshime në rregulloren e Kuvendit është gjithmonë e hapur. Një prej propozimeve që nuk resht së përsërituri është depolitizimi i numëruesve ose të rikthehemi te numërimi në qendrat e votimit që rezultati të dalë sa më shpejt”, tha Balla.
Kreu i PD iu rikthye thirrjeve që t’i dorëzojnë SPAK-ut, ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.
“Mbrojtje e Lubisë, dorëzoni Lubinë në Prokurori dhe Gjykatë, sepse ky raport është fund e krye damkosës për farsën elektorale, damkosës për mbrojtjen e korrupsionit, për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, iu përgjigj Berisha.
Kreu i PD, Sali Berisha hodhi akuza ndaj mazhorancës se me vendimin për të mos ia dorëzuar Belinda Ballukun, SPAK-ut, do të bllokojë procesin e integrimit.
“Absurdi më i madh është injorimi i raportit të PE, lexojeni mirë dhe del secili nga ju të kuptojë se më atë votë krimi që ka dhënë për ballukun, i ka futur një thikë pas shpinë procesit të integrimit europian të shqiptarëve. Mediat informojnë se janë bërë mbi 300 ndërhyrje në komision. Lexojeni se nis dhe mbaron me sikur ta kishte shkruajtur opozita në kuptimin e denoncimeve të saj, të vërtetave të saj, por kjo s’ka ndodhur, nuk është produkt i opozitës. Është produkt i atij misioni fakt mbledhës që edhi këtu i përbërë nga socialistë popullor, liberalë, komunistë fare të majtë. Lexojeni mirë atë raport se me atë votë krimi që keni dhënë për ballukun i keni futur thikë pas shpine procesit të integrimit”, tha Berisha.
Akt absurd dhe politikë shpopullimi e quajti Sali Berisha aktin normativ për uljen e akcizës me 20% sa herë çmimi naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë litri, i cili po diskutohet sot në Kuvend. Berisha tha se është akt cinik ndaj shqiptarëve që sot jetojnë me djersën e ballit dhe e sjellin në Kuvend në një kohë që qeveria ka hequr subvencionet për naftën.
“Nuk ka akt më absurd se kjo që propozoni sot në Kuvend, akt cinik ndaj shqiptarëve që jetojnë me djersën e ballit. Vini këtu pasi keni hequr subvencionet e naftës për fermerët në kulmin e krizës së naftës. Vini këtu, sillni këtë akt të turpshëm, ulim akcizën kur të kalojë mbi 220 lekë/litri. Kjo është politikë shpopullimi, politikë antishqiptare, fermeri i Maqedonisë e merr me 100 lekë naftën, qytetari me 150 lekë litri. Si e shpejtoni ju këtë. Kryehajduti i Shqipërisë me taksën me të lartë mbi litrin e naftës e detyron shqiptarët. Në Gjemani dje nafta në pompë pardje ishte 2 euro, në Shqipëri 2.2 euro”, tha Berisha.
Komente











