TIRANË -Rritja e numrit të azil kërkuesve apo edhe emigrantëve të huaj në Shqipëri ka bërë që qeveria të sjellë për shqyrtim në Komisionet Parlamentare projektligjin për azilin në Republikën e Shqipërisë. I pranishëm në mbledhjen e komisionit ka qenë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është shprehur se ky projektligj vjen si nevojë e mangësive që kishte ligji ekzistues.

"Duke konsideruar dhe tendencën në rritje për të huaj që vinë në Shqipëri qoftë për azil qoftë për të fituar statusin e refugjatit, kemi menduar qe ky projekt ligj plotëson më së miri nevojat për të garantuar mbrojtje të plotë ndërkombëtare për këta shtetas, gjithashtu gjatë procesit të përafrimit të ligjit ekzistues mbi bashkimin familjar të personave që kanë përfituar azil konstatuam problematika të veçanta të cilat nuk mund të gjenin drejtim ose trajtesë të plotë, të ndara nga ligji për azilin." u shpreh Tahiri

Ky draft i cili u miratua vetëm me votat e mazhorancës dhe pa praninë e opozitës parashikon ngritjen e komisionit kombëtar për azilantët dhe refugjatët. Po ashtu parashikohen kushtet dhe procedurat për heqjen dhe dhënien e azilit ne Republikën e Shqipërisë , të drejtat dhe detyrimet e refugjatëve dhe të personave nën mbrojtje të përkohshme plotësuese.

Projektligji i ri përmbledh dy ligje atë për azilin në Republikën e Shqipërisë si dhe ligjin për bashkimin familjar.

Fjala e plotë e ministrit Saimir Tahiri në Komisionin e Ligjeve për pr/ligjin e azilit politik

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)