TIRANË - Gazeta shqiptarja.com sjell dëshmitë e azilantëve në kampet e Gjermanisë dhe kushteve me të cilat përballen ata çdo ditë.Në intervista ata shprehen se situata është mjaft e vështirë ndër të tjera theksojnë se flenë në dhoma me pranga dhe se rradha për të marrë bukën shkon në 50 metra.

Riatdhesohen në Shqipëri 50 persona të cilët prej disa muajsh kishin shkuar në Gjermani për të kërkuar azil. Të martën, rreth orës 15:05, në aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas u ul avioni me 50 shqiptarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Të lodhur, por njëherësh edhe të lumtur që u kthyen në vendin e tyre. Dikush kishte vetëm 20 ditë që kishte shkuar në Gjermani për të kërkuar azil, e ndërsa disa të tjerë kishin rreth tre muaj larg familjeve të tyre. Pjesa më e madhe e të kthyerve ishin të rinj, e kryesisht meshkuj të moshave 20-30 vjeçar. Por tek-tuk të kapte syri edhe femra të moshës 25 vjeçare të cilat sapo takonin të afërmit e tyre të cilët kishin shkuar në aeroport për t’i pritur, duke buzëqeshur shpreheshin: “Më në fund u kthyem”. Pjesa më e madhe e të kthyerve kishin krijuar një njohje mes njëri-tjetrit, kjo pasi ata u ndanë thoshin: “Do dëgjohemi e do flasim”. Më pas secili prej tyre kërkonte ndonjë taksi për tu larguar drejt qytetit të tyre e për tu takuar sa më parë me familjarët e tjerë.

Azilkërkuesit deklarojnë se u kthyen në mënyrë vullnetare dhe me shpenzimet e shtetit Gjerman. Burime nga Policia e Shtetit bënë me dije, se ndaj këtyre personave, nuk do të kenë masa penalizuese që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë në vendet Shengen. Ndërsa për ata persona të cilët do të kthehen nga qeveria Gjermane do t’u ndalohet hyrja në këto vende për një periudhë 5 vjeçare.