Baçova: Profesioni i fizioterapistit 
vlerësohet në pagë e humanizëm

Baçova: Profesioni i fizioterapistit <br />vlerësohet në pagë e humanizëm
TIRANE- Shumë të rinj sot, gjenden rrugëve pa një punë dhe pa një punë të sigurtë, për kursin apo universitetin që i kanë kushtuar jetën! Por, ka dhe nga ata që fal përkushtimit dhe dëshirës për të pasur një karrierë në të ardhmen ja kanë dalë, pavarësisht barrierave apo burokracive që hasim çdo ditë në institucione tona. Erion Baçova, është një fizoterapisti i sapodiplomuar i cili prej pak kohësh ka nisur të përvetësoj në çdo drejtim profesionin që ka zgjedhur në jetë.

Në një intervistë për “Shqiptarja.Com”, ai na rrëfen hap pas hapi sfidat që ka prekur në tregun e punës, kënaqësinë që ka marrë që në vitet e para të këtij profesioni, si dhe të ndjerit human përballë atyre që i përkushtojnë kohën, pacientëve! “Profesioni që unë kam zgjedhur i jep shpresën e të jetuarit tek disa njerëz që janë prekur nga patologji të ndryshme dhe kjo më bën të ndihemi mirë, të bën mbi të gjitha të ndihesh human”, tregon me pasion Erioni, duke na bërë optimist se shumë të rinj po gjejnë veten në tregun e punës. 

Ndryshe nga shumë të rinj ju tashmë jeni bërë pjesë e tregut të punës. Çfarë ka sjell për ju profesioni i fizioterapisë?
Profesioni i fizioterapistit është një profesion i ri në tregun e vendit tonë dhe nuk njihet shumë, pavarësisht kësaj është një profesion që gjithkush do e donte sepse të bën një njeri të ndërgjegjshëm për shëndetin mendor dhe trupor për secilin prej nesh. Çfarë ka sjellë fizoterapia? Shpesh herë shikon vështirësitë që të sjell jeta nga një këndvështrim tjetër që mundohesh t’i përmirësosh, bëhesh pjesë e jetës së njerëzve pa qenë nevoja të trokasësh, ndihesh pjesë e familjes së tyre! Profesioni që unë kam zgjedhur i jep shpresën e të jetuarit tek disa njerëz që janë prekur nga patologji të ndryshme dhe kjo më bën të ndihemi mirë, të bën mbi të gjitha të ndihesh human. 

Terapia fizike apo fizioterapia është një profesion i kujdesit shëndetësor që ofron shërbime për probleme të ndryshme. Si po përceptohet ky profesion tek shqiptarët?
Duke qenë se është një profesion i ri, do kohën e vet të njohjes. Megjithatë dita ditës shtohen njerëzit që kërkojnë të zgjerojnë dijet e tyre përreth kësaj dege, kurimi nga ky profesion i bën njerëzit të kenë besim të plot në këtë fushë të mjekësisë. Them se vitet e fundit po ndihet një farë ndryshimi, të paktën për qytetin e Tiranës që unë banoj! Dikur nga informacioni që ishte përreth këtij profesioni, baraspeshohej me masazhatorin, por ky koncept ka filluar të ndryshoj kohët e fundit.

Ndryshe nga trajtimi fizioterapeutik në spitale, prej kohësh kanë gjetur hapësira edhe klinikat private. Si qëndron kjo balancë?
Trajtimet fizioterapeutike që zhvillohen në spitale dhe në klinika private ndryshojnë! Të gjithë janë në dijeni se si janë ambientet e spitaleve tona për rehabilitim të patologjive të ndyshme. Në spitale trajtohen më shumë rastet post-operatore dhe shumë pak ambulatore, aty pacienti prezantohet me fizioterapistin dhe me degën tonë, aty merr edhe këshillat e para rreth pathologjisë që ka. Në përgjithësi pas trajtimit që merr në spital, i jepen këshillat që duhet të ndjek në spital ose në shtëpi nga një fizioterapist.

Në ambientet spitalore koha, vëmendja që iu kushtohet pacientit (gjithmonë në spitale shtetërore) dhe aparaturat, ndryshojnë shumë nga klinikat private. Madje duhet të theksojmë se, balanca midis tyre po vjen e po ndryshon në favor të klinikave private. Si protokoll pune, fizioterapisti merr direktivat nga mjeku fizioterapeft, por në kushtet tona ku jo të gjithë spitalet janë të pajisur me këtë specializim, këshillat merren direkt nga mjeku përkatës.

Kur fillon puna e fizioterapistit dhe a qëndrojnë akoma barrierat pacient-mjek?
Barrierat pacient-mjek po fillojnë e po bien, për shumë kohë ‘bluza e bardhë’ mendohej si diçka që duhej mbajtur sa më larg nga vetja, por tani po shohim që njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe kanë filluar të bëjnë konsulta si dhe për gjërat që janë më pak interes si dhe kontrollet rutinë.

Çfarë i duhet një fizioterapisti për të qenë konkurrent në treg?
Për mendimin tim, një fizioterapist i kualifikuar dhe i gatshëm për tregun e punës, në radhë të parë i duhet një ndërgjegje e pastër përreth asaj që bën në raport me pacientin, duke qenë konkurrent në tregun e punës. Në këtë kohë, ne vazhdojmë të jemi akoma në fazën e opinioneve të cilat po shuhen nga brezat e rinj të cilët po ndjekin jo vetëm trajnime, por po aftësohen përmes praktikave profesionale.

A është një profesion i paguar dhe vlerësuar siç duhet?
Fizioterapia është një profesion që po vlerësoht për nga rëndësia e tij, madje duhet të themi se është i vlerësuar jo vetëm nga ana ekonomike, por po vlerësohet si një profesion i domosdoshëm në Shqipëri. Kur ti bëhesh pjesë e jetës dhe jep kontributin tënd për shëndetin e një pacienti, vlerësimi dhe optimizimi i tyre janë një faktor shumë i madh për ta dashur akoma më shumë profeisonin e fizoterapistit.

Cilat janë projektet tuaja në vazhdimësi?
Për momentin po përkushtohem që të jap një kontribut për vete dhe për karrierën time si fizioterapist në të ardhmen. Nuk kam një plan konkret, e rëndësishme është stabilizimi në degën që dua. Në një të ardhme, pse jo të kisha një klinikë private ku të mbante firmën time, të jepja kontributin për komunitetin që më rrethon, por kjo i lihet kohës!...


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Cameron për vizitën në Tiranë: Partneriteti po jep rezultat! Kalimi i anijeve me emigrantë të paligjshëm shqiptarë ra me 90% për vitin 2023

Cameron për vizitën në Tiranë: Partneriteti po jep rezultat! Kalimi i anijeve me emigrantë të paligjshëm shqiptarë ra me 90% për vitin 2023