Babai i reperit të njohur si Stresi, ose Arkimed Lushaj, Sali Lushaj, ka reaguar sërish lidhur me vendimin e tij për të qëndruar në burg, duke mos kërkuar ankimimin  e masës së sigurisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Sali Lushaj, një eksponent i afërt me Partinë Demokratike, shkruan se vendimi për të qendruar në burg, lidhet me faktin se sipas tyre gjyqtarja që ka marrë në dorëzim gjykimin e dosjes së Stresit, është militante partie.

Reagimi i plotë

E pamë të udhës dhe më të drejtë të mos dalë një i persekutuar politik përpara kësaj gjyqtareje militante të partisë, duke mos pasur pikën e besimit në dhënien e drejtësisë për Stresin. Dua t’ju bëj me dije se gjithë ajo bujë e madhe si organizator dhe si drejtues e si janë mësuar këta etërit e tyre në emër të popullit është shfryrë dhe nuk po dinë si të bëjnë. Askënd deri më sot nuk po mund ta bëjnë të dëshmojë kundër Stresit.

Sali Lushaj, babai i Stresit

Stresi u arrestua 2 javë më parë në një hotel në zonën e Linzës. Atij iu gjet me vete një sasi kokaine dhe armë.  Arrestimi i reperit 31-vjeçar u bë pas një hetimi disa mujor me metoda speciale ndaj një grupi kriminal që operonte në kryeqytet, pjesë e të cilës dyshohet se është edhe Stresi. Ai doli pak ditë më parë para gjykatës, por vendosi të tërhiqej nga kërkesa për të ankimuar vendimin, duke thënë se pranon të qendrojë në burg.