Babai i Ervis Martinajt, ka dëshmuar sot në GJKKO në procesin për të birin e tij. Mustafa Martinaj ka treguar se nuk ka qenë dakord që i biri të futej në biznesin e lojërave të fatit. Ndër të tjera ai thotë se Ervis Martinaj ka jetuar me të në Kurbin deri ditën kur është zhdukur.

"Nga 2008 e pas, djali është marrë me pika llotosh me licencë, detyrim 100% të paguara nga kompania, si dhe ato vendore. Të parën pikë nuk e mbaj mend ku e ka hapur. Po të më pyeste mua, do i thoja jo. “Mat Union” e kam pasur unë, është llogari transfertash; llotari fati nuk kam pasur personalisht. Kam kaluar të gjitha llojet e hetimeve. Ime shoqe dhe im vëlla kanë pasur prokurë për të kryer veprime me “Mat Union”, edhe sot që flasim kam person të autorizuar që merret.

Me djalin kam folur dhjetëra herë për aktivitetin e tij. Jemi përballur tek Ansambli “Çiftelia” në gjyq. Është marrë vendimi nga Shkalla e Parë. A. Kaçorri është nipi im, Visi ishte i imi, Alfio ishte djali i vajzës, është 14 vjeç (e pyeti prokurorja çfarë marrëdhëniesh ka Ervisi me nipin). A. Kaçorrit i kam bërë unë dhuratë për ditëlindje, fjala bie 1000 euro, se e kam nip.

Të parën makinë të mirë që ka pasur djali ka kushtuar 60 mijë euro, ose 48 mijë euro, me paratë e mia. E kam blerë herët. Në jetën e vet nuk më ka sjellë shqetësim në shtëpi. Nuk ka të ri që s’ka konflikte apo zënka. Deri në 2018 kurrë, pyesni në Laç, të flasë dikush keq, i përmendej emri me respekt. Në 2018 ka ardhur dhe ka jetuar me gjithë familjen tek unë. Iku nga Tirana, bëmë pashaportizimin, merrej kryesisht me gjueti peshku, jo për tregti.

Në Laç ka qëndruar deri ditën e zhdukjes, 9 gusht 2022. Një herë jam thirrur me kërkesën time, jam deklaruar. Jetonte me të ardhurat që ka pasur nga biznesi, pastaj ka jetuar me mua. Me siguri ka blerë ndonjë makinë vetë, nuk di për ndonjë pronë të tijën në Tiranë. Kishte një apartament te Qemal Stafa, dijeni time nuk ka asnjë pronë tjetër. Hotel “Arbëria” duhet ta kem blerë në 2016-2017. Ishte i mbyllur në atë kohë, kam investuar paratë e dynjasë, duhet të shoh preventivin për të parë koston.

Aktiviteti ka vijuar i njëjtë siç ka qenë. Biznesi është blerë nga Mustafa Martinaj. Pas vdekjes së Visit, pas zhdukjes, 23 herë më ka ardhur policia. Mos të rëntë e liga, unë s’jam as budalla as naiv. Pyet Nallbatin me shokë, të të tregojnë ata", tha ai. 


Lajmi kryesor:

Ervis Martinaj prej 3 vitesh i zhdukur, babai në GJKKO: Më vjen turp që pyetem për lecka e tulla, pasuritë i kam të ligjshme! Në kohën e bandave lëvizja me 800 mijë $ në makinë