Mustafa Martinaj, babai i ish-bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, një nga personazhet më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, u paraqit në Gjykatën e Posaçme.

SPAK kërkon konfiskimin e 34 pasurive të Ervis Matinaj dhe personave të lidhur me të, me vlerë rreth 10 milionë euro, me akuzën se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Me dilemën e madhe nëse i shumëkërkuari është gjallë apo i vrarë, procesi ndaj tij po vijon në GJKKO, ku babai dëshmoi se i vjen tup që pyetet për lecka e tulla kur të birin, sipas tij, ia kanë vrarë.

Dëshmia e Mustafa Martinajt

Jam me profesion ekonomist. Kam pësuar një aksident në fund të viteve ’90, shumë të rëndë. Jam kuruar në Romë dhe pas rikthimit në Shqipëri kam filluar punë si drejtor i Dhomës Gjyqësore në Laç, Lezhë dhe Mirditë.

Pas ’97-ës jam marrë me aktivitet privat. E kam nisur me një kancelari dhe fotokopje, jam marrë për 3 vjet me kambizëm. Kam filluar punë si administrator ekskluziv i UFT-së në rrethin e Laçit me 3 pika. Kam punuar në Mirditë, Mat dhe Fushë-Krujë, me punë voluminoze dhe të ardhura të jashtëzakonshme. Kemi parasysh kohën, luftën e Kosovës dhe remitancat shumë të larta. Kam qenë në gjithë Shqipërinë, kam pasur ekskluzivitet në 4 rrethe.

Ervisi ishte në vitin e tretë të gjimnazit, motrat edhe më të vogla. Gjatë kësaj kohe më ka ecur shumë mirë puna. UFT është edhe sot në aktivitet, mund ta verifikoni.

Në 2007 kam punuar si administrator i Union Bank në Laç, por edhe në shërbimet bankare. Nga ky aktivitet kam pasur rreth 60 mijë dollarë të ardhura, dytësore për mua. Të gjitha aktivitetet e mia, në një periudhë shumë të vështirë, z. Kryetar, janë sulmuar padrejtësisht. Banka e Kursimeve, që ka pasur aktivitetin kryesor, nuk ekziston dhe s’ka asnjë dokument, bankat e tjera kryesisht gjithashtu.

As 30% e aktivitetit tim nuk është pasqyruar. Kam rreth 3.5 milion euro të ardhura, me rreth 6 milion kredi; këto jam në gjendje t’i vërtetoj me vendimet e bankës. Për shoqërinë UFT janë deklaruar një pjesë e madhe. Kam blerë përmes bankës “Arbëria”. Kam marrë kredi bankare për këtë punë. Për secilin nga rastet veprimet janë me bankë. Mund t’ju paraqes dokumentet në çdo moment.

Familja ime përbëhet nga unë, bashkëshortja, dy vajzat dhe i ndjeri djali që s’është më. Më vjen turp që vij për lecka e për tulla dhe nuk jam thirrur njëherë nga ana juaj. Kam dhënë deklarime, nga ana juaj asnjë sinjalizim… 

Deri në vitin 2008, asnjë nga fëmijët nuk bënte punë, ishin në shkollë. Ervis Martinaj ishte student në Parma të Italisë. Ka shkuar rreth viteve 2000-2001 me bursë dhe studioi ekonomi. Visi më pas u transferua nga Italia në Tiranë dhe kjo përkon me blerjen e një banese në rrugën ‘Himë Kolli’.

Ervisi ka qenë nxënës i mirë, por i la studimet përgjysmë dhe erdhi në Tiranë. Visi ishte shumë punëtor. Në Itali nuk ka bërë asnjë punë. Me ardhjen nga Italia më ka kërkuar ndihmë. I kam blerë dy makina, një makinë vajzave dhe një Visit.

Djali nuk na ka sjellë asnjë lloj shqetësimi. Kemi pasur raporte të rregullta. Kur ishte në Itali s’kishte nevojë për lekë, se kishte bursë.

Visi më ka kërkuar ndihmë për të blerë shtëpi të përbashkët. Për vajzat kam marrë kredi 12500 euro, makinë e vogël markë japoneze. Kisha çelësat, dora e thatë nuk puthet. Jemi familje tradicionale malësore. Vazhdoi shkollën për ekonomi edhe pasi erdhi në Shqipëri, provimet nuk i dha, se ka marrë diplomën. Pati hapur vet i dyti, emrin sja kujtoj me e kërku emrin mund tia gjej, djalë nga tirana, riparonin lodrat që luanin këta me kuaj. Mua që më sheh këtu, invalid siç isha, kam qarkulluar tek pull i vetëm nga tirana me mbi 800 mijë dollar cash, karta e telefona në 12 të natës, në periudhën më të vështirë, në ‘99, bandat ishin rrugës. Kam pas një makinë 2400 i çoja në bagazh, në Rubik e Rrëshen, ishin paratë e aktivitetit tim. UFT ishte institucion privat, Unioni Financiar i Tiranës, aty merrja shumat. As edhe një gërvishtje smë ka ndodhur, kam luajtur me kokën time, u ndodhin të tjerëve incidente.

Lajmi në përditësim....