TIRANË-Lulzim Basha përcolli mesazhe të ashpra në një deklaratë për shtyp nga selia e PD, për çështjen "Babalja", kur tha se ka prova që implikojnë zyrtarët e lartë të shtetit në fabrikimin nga prokuroria të dëshmitarit të rremë, sipas tij, Fredi Alizoti. 

Ai kërkoi nga prokurorët që të refuzojnë urdhrat e Arta Markut e Donika Prelës dhe të lëshojnë fletë-arreste për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliun, Drejtorin e Policisë së Fierit si dhe t'i heqin imunitetin dhe të marrin të pandehur kryetarin e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Basha kërkoi edhe nisjen e hetimeve ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Pas Bashës, ka reaguar edhe vetë Balla, i cili paralajmëron se sapo të kthehet nga takimi në parlamentin Europian, do të dorëzojë një padi të re për kryedemokratin Lulzim Basha dhe Florenc Hoxhën, ish-policin pranë PD që intervistoi Fredi Alizotin.

 

Faktet për inkriminimin e Taulant Ballës dhe Ardi Veliut për të krijuar një dëshmitar të rremë për të mbrojtur trafikantin e drogës Agron Xhafaj janë të pakundërshtueshme. Nuk ka filluar asnjë hetim për Ballën, Ardi Veliun. Manipulimi i hetimeve dhe mos hetimi i krimeve nga prokuroria, janë krime të rënda, për të cilat dyshja Marku-Prela dhe shërbëtorët në prokurori do të mbajnë përgjegjësi. Shërbimi i verbër ndaj Edi Ramës, është shërbim ndaj krimit. Ata që mendojnë se mund t'i mbrojë Edi Rama, gabojnë, pushteti i Edi Ramës ka marrë fund. Rrëzimin e këtij pushteti nuk e ndal më asgjë. Përpjekjet për të shpërqendruar opinionin publik janë përpjekje mjerane dhe shprehje e panikut që e ka kapur. 

Ju bëj thirrje prokurrorëve të ndershëm që t'i rezistojnë urdhrave të Donika Prelës dhe Arta Markut. Besnikëria juaj duhet të jetë ndaj ligjit, kushtetutës dhe popullit. Ju bëj thirrje burrave dhe grave në Prokurori që të nxjerrin menjëherë fletëarrestet për Ardi Veliun dhe drejtorin e policisë së fierit, t'i heqin imunitetin dhe të marrin të pandehur Taulant Ballës, e të nisin hetimet ndaj Fatmir Xhafajt, Lulzim Bashës e Donika Prelës. Paguan një dëshmitar të rremë për të shpëtuar narkotrafikantin Agron Geron Xhafaj. Veproni sa nuk është vonë. Jo vetëm se kështu ua kërkon ligji dhe kushtetuta, por se nga veprimi dhe mosveprimi juaj varet zbatimi i ligjit, stabiliteti i vendit dhe paqja sociale. 

Lulzim Basha, kryetar i PD

Thirrje Basha kishte dhe për punonjësit e policisë, por edhe për socialistët e thjeshtë. 

Mos pranoni të trajtoheni si shërbëtorë të kryeministrit dhe krimit. Bashkojuni kolegëve kurajozë që përballen njësoj me krimin dhe kriminelët. Lufta kundër krimit është një kauz jetike dhe duhet të jetë edhe kauzë e mediave. Edhe socialistët e ndershëm duhet të distancohen nga regjimi kriminal i Edi Ramës. Ata nuk duhet ta lejojnë partinë e tyre të kthehet në një organizatë kriminale e cila sot ka marrë peng shtetin dhe drejtësinë. Distancohu sot për të shpëtuar partinë tuaj. PD dhe opozita nuk tërhiqen asnjë çast për çlirimin e politikës, ekonomisë nga krimi. Fitorja ndaj krimit dhe pushtetit mafioz të Edi Ramës është e pashmangshme dhe e afërt. 

Lulzim Basha, kryetar i PD

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:08
Basha kërkoi që të merrej si i pandehur, reagon Balla: Nesër do të të padis ty dhe Florenc Hoxhën, që s'i zë dora vend pa shkelur ligjin

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të kryetarit të PD, Lulzim Basha. Në një status në Facebook, Balla sqaron edhe njëherë se nuk ka qenë në Komisariatin e Fushë-Krujës, dhe se për këtë mund të verifikohen kamerat e komisariatit.

Balla e paralajmëron kryedemokratin se nesër do të ketë një tjetër padi për të dhe për Florenc Hoxhën, i cili është personi që ka intervistuar Fredi Alizotin në përgjimin e dytë që u publikua pak ditë më parë nga deputeti Ervin Salianji.

Reagimi i plotë:

Lulzim! Ti e di që je zyrtarisht në hetim për “kallzim të rremë” bashkë me Shpifës Nuhun. Për mua flasin qartë kamerat e komisariatit (s'kam qenë hiç aty, madje as Nuhun s'e ke aty). Nesër, sapo të kthehem nga Parlamenti Europian, gati një kallzimi tjetër për ty dhe Florenc Hoxhën, shokun tënd të famshëm që s'i zë dora vend pa shkelur ligjin.

Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të PS