Publikohet historia e panjohur të familjes së Haki Mulletit, vëllait të ish-Prefektit të Tiranës, i cili në vitin 1920-të u diplomua në Vienë në fakultetin e Administratës Civile dhe pas kësaj u kthye në Shqipëri, duke u emëruar në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, ku punoi deri në fundin e dhjetorit të vitit 1924, kur Zogu u rikthye në pushtet. Edhe pse Haki Mulleti i’u largua politikës duke shërbyer për 20 vite në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Myslyman të Shqipërisë, atij nuk iu ndanë peripecitë, pasi u arrestua dy herë nga Mbreti Zog, për shkak se i vëllai i tij, Qazimi, u akuzua si njëri nga tre atentatorët që qëlluan mbi Mbretin kur ai po dilte nga Opera e Vienës.
Arratisja e Hakiut në Greqi pas ardhjes së komunistëve në pushtet në nëntorin e vitit 1944 dhe arrestimi i tij prej komunistëve grekë në Selanik të cilët e ekstraduan për në Shqipëri dhe dalja në gjyq ku atë e morri nën mbrojtje Myslym Peza, miku i ngushtë i Mulletëve, që kishin hapur mortin kur kishte vdekur Shyqëri Peza. Internimi i Hakiut në Kavajë familjarisht dhe konfiskimi i shtëpisë së madhe në qëndër të Tiranës ku u vendos familja e gjeneral major Mihllaq Ziçishtit, si dhe vdekja misterioze e tij në Spitalin Civil të Tiranës ku e kishte shtruar miku i tij i ngushtë, Dr. Ndroqi, për të pushuar ca ditë dhe për t’u çmallur me njerzit që kishte në Tiranë…?!
“Në vitin 1945, pasi babanë tonë, Haki Mulletin, komunistët grekë e dorëzuan në Kapshticë, komunistët shqiptarë e nxorën para gjyqit bashkë me 18 persona të tjerë të cilët u dënuan të gjithë me pushkatim. Vetëm Hakiu shpëtoi pa u pushkatuar, pasi e ndihmoi Myslym Peza, i cili vajti vetë si dëshmitar në gjyq. Babai vuajti vetëm katër vjet burg dhe kur doli në 1948-ën, ne na internuan familjarisht në Kavajë, ku qëndruam për dhjetë vjet me radhë. Në vitin 1958, kur babai mori leje nga Dega e Brendshme dhe erdhi për një ngushëllim në një vdekje në Tiranë, ai u helmua nga një infermiere në Spitalin e Tiranës, të cilën e detyroi Sigurimi që t’ia bënte gjilpërën vdekjeprurëse”.
Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Tanush Mulleti, nipi i prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit, i cili dëshmon për vdekjen tragjike të babait të tij, Hakiut, një nga intelektualët e njohur tiranas, i diplomuar për Administratë Civile në Vjenë. Kush ishte familja Mulleti, ku u diplomuan pinjollët e saj, çfarë postesh zyrtare mbajtën ata deri në vitin 1944 dhe si u persekutuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës?
Hakiu, student në Vjenë
Haki Mulleti u lind në vitin 1900 në familjen e njohur tiranase dhe mësimet e para ai i mori nga mësuesi i gjuhës shqipe të Tiranës, Hafiz Ibrahim Dalliu. Në moshën 13- vjeçare ai u dërgua për të ndjekur mësimet në Vjenë. Lidhur me këtë, i biri i Hakiut, Tanush Mulleti dëshmon: “Gjatë asaj kohe që babai vazhdoi mësimet e shkollës së mesme në kryeqytetin austriak, ai u vendos me banim në një hotel të vogël Pension dhe u mor nën kujdestari nga një çift të moshuarish, të cilët u kujdesën për të si për fëmijën e tyre. Pas mbarimit të shkollës së mesme me rezultate shumë të mira, Hakiu kishte shumë dëshirë që të ndiqte studimet e larta universitare për Inxhineri Mekanike (për mullinjtë e blojës), por njëri nga profesorët e tij i tha: “Ti do të hysh në degën e Administratës Civile”, pasi ju shqiptarët tani keni filluar të ndërtoni shtetin tuaj, dhe vëndi ka nevojë të madhe për kuadro të kësaj dege. Pas kësaj Hakiu ndoqi studimet e larta në atë degë të cilën ia rekomandoi profesori i tij dhe e përfundoi atë me rezultate shumë të mira në vitin 1920. Gjatë asaj periudhe që Hakiu qëndroi në Vjenë, aty kishte edhe disa shqiptarë të tjerë, si Ndoc Naraçi, dr. Frederik Shiroka etj., me të cilët im at kishte dhe ruajti gjithmonë një miqësi të ngushtë”, kujton Tanush Mulleti, Hakiun, i cili në vitin 1920 u diplomua në degën e Administratës Civile në kryeqytetin austriak.
Arrestohet dy herë nga Zogu
Pas mbarimit të studimeve, Haki Mulletit iu ofruan një vënd punë në kryeqytetin austriak, Vjenë, por ai nuk pranoi sepse në atë kohë i erdhi një telegram nga Shqipëria, ky kryeministri shqiptar i asaj kohe, Sulejman bej Delvina, i shkruante: “Të ktheheni urgjent në Tiranë, pasi jeni ngarkuar me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme”. Lidhur me këtë, Tanushi tregon: “Pas atij telegrami babai erdhi menjëherë në Tiranë dhe shërbeu deri në vitin 1925 kur u rikthye Ahmet Zogu në pushtet dhe e pushoi menjëherë Hakiun nga puna. Kjo ndodhi për shkak se vëllai i tij, dhe njëkohësisht xhaxhai ynë, Qazim Mulleti, i cili kishte qenë kryetar i organizatës së rinisë fanoliste “Bashkimi”, ishte arratisur nga Shqipëria dhe ndodhej në emigracion politik si antizogist. Përveç kësaj, një nga arsyet që e detyruan Zogun që ta largonte Hakiun nga ajo detyrë, ishte dhe fakti se ai kishte qenë një nga këshilltarët më të afërt të Fan Nolit, gjashtë muajve të qeverisjes së tij. Disa muaj pas pushimit nga puna, Hakiu u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe atë detyrë ai e mbajti për 20 vjet, deri në 1944-ën. Por edhe gjatë kësaj periudhe kur babai shërbente pranë Komunitetit Mysliman, ai jo vetëm që nuk u pa me sy të mirë nga Mbreti Zog, por përkundrazi, u arrestua dy herë prej tij. Arrestimi i parë i Hakiut u bë në vitin 1931, pas atentatit që i ndodhi mbretit Zog në Vjenë, ku njëri prej tre atentatorëve ishte dhe i vëllai i tij, Qazim Mulleti. Por Hakiu nuk qëndroi për shumë kohë i arrestuar, pasi ndërhyri ministri Sali Vuçiterni, pranë Mbretit Zog, i cili u detyrua dhe e liroi tim at, që nuk kishte asnjë lloj dijenie se ç’bënte i vëllai i tij në Vjenë. Për herë të dytë Hakiu u arrestua në vitin 1935-së kur ndodhi Kryengritja e Fierit dhe në atë kohë babai u internua në qytetin e Gjirokastrës, ku ai ishte i sistemuar në një hotel dhe hante e pinte me komandantin e Xhandarmërisë”, dëshmon Tanush Mulleti, lidhur me babanë e tij.
Arrestimi i Hakiut nga komunistët
Ndonëse gjatë gjithë periudhës afro 20-vjeçare që Haki Mulleti qëndroi në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, nuk ishte përzier me politikë dhe ishte arrestuar dy herë nga Zogu, në vitin 1944 ai u detyrua që të largohej nga Shqipëria, prej frikës së komunistëve. Lidhur me këtë, Tanushi dëshmon: “Kur mbarimi i Luftës dhe marrja e pushtetit prej komunistëve ishte punë ditësh, Hakiu iku nga Tirana dhe u vendos në Selanik. Pak ditë para se të ikte ai për në Greqi, kishin ikur nga Shqipëria dhe ishin vendosur në Vjenë edhe dy vëllezërit e tij, Qazimi me Hysniun. Por emigracioni politik i babait në Greqi nuk zgjati shumë, sepse nga fillimi i vitit 1945-së, kur ai ishte vendosur me banim të përkohshëm në një hotel të Selanikut, u arrestua nga komunistët grekë të EAM-it. Arrestimi i tij u bë gabimisht, duke e ngatërruan atë me Xhelal Staraveckën, për të cilin ishte porosi e veçantë nga Enver Hoxha që të kapej dhe të ekstradohej në Tiranë. Por kur e dorzuan Hakiun në pikën kufitare të Kapshticës, edhe pse u pa që ai nuk ishte Staravecka, përsëri nuk e liruan. “Aq më mirë se ky na qenka i vëllai Qazim Mulletit”, thanë komunistët shqiptarë, kur e morën atë në dorzim nga komunistët grekë. Pas kësaj Hakiun e mbajtën për disa kohë në hetuesi e më pas e dënuan me katër vjet burg. Bashkë me Hakiun dolën para gjyqit edhe 18 persona të tjerë, të cilët u dënuan të gjithë me pushkatim dhe vetëm babai shpëtoi, pasi e ndihmoi Myslym Peza, i cili vajti vetë si dëshmitar në gjyq. Myslim Peza e mori në mbrojtje Hakiun, pasi të vëllanë e tij Shyqëri Pezën, familja jonë e kishte mik shtëpie dhe kur vdiq ai, Qazim Mulleti e hapi mortin. Po kështu gjatë kohës së Luftës, edhe vetë Myslimi ishte strehuar në shtëpinë tonë dhe për shkak të tij italianët donin të na digjnin shtëpinë. Përveç Myslim Pezës, në faljen e jetës së Hakiut ndikoi edhe një person tjetër që kishte shumë fuqi në dorë. Pas dënimit të Hakiut, shtëpinë tonë të madhe që kemi edhe sot na e sekuestruan dhe aty vendosën zv /ministrin e Brendshëm, Mihallaq Ziçishtin, i cili jo vetëm që nuk u soll keq me familjen tonë, por kur doli babai nga burgu në vitin 1948, na e liroi për dhjetë ditë shtëpinë që ne të prisnim njerzit”, dëshmon Tanush Mulleti, lidhur me arrestimin e dënimin e babait të tij në vitin 1945.
Vdekja misterioze në spitalin e Tiranës
Pasi doli nga burgu në vitin 1948, Haki Mulletin e internuan familjarisht në qytetin e Kavajës. Lidhur me këtë dhe vdekjen misterioze të tij në spitalin e Tiranës, Tanushi dëshmon: “Në qytetin e Kavajës familja jonë qëndroi e internuar deri në vitin 1958 dhe gjatë asaj kohë babai punonte në punët më të rënda në bujqësi dhe në një ndërrmarje ndërtimesh. Gjatë atyre viteve Hakiun e thërrisnin natën në Degë të Brendshme, ku pasi e torturonin barbarisht, në mëngjes e sillnin në shtëpi. Kjo gjë u ndërpre vetëm për disa kohë, kur si kryetar Dege në Kavajë sollën Shyqëri Rrjollin nga Shkodra. Po kështu gjatë atyre viteve që familja jonë ishte në Kavajë, ne na u gjendën pranë disa familje fisnike si ajo e Haxhi Alushit, Sulejman Karkinit, Kërçukëve, Veizëve, Turajve etj. Në vitin 1958 kur ne ndodheshim akoma në Kavajë, Hakiu mori leje në Degën e Brendshme dhe erdhi në Tiranë për një ngushllim te familja Këlliçi, të cilët i kishim të afërm. Aty ai u takua me shokun e tij të vjetër, dr. Ndroqin, i cili i tha që ta shtronte disa kohë fare kot në spital dhe më pas t’i jepte disa ditë raport mjeksor, në mënyrë që ai të kishte mundësi për të qëndruar e për t’u çmallur me të afërmit e tij. Por ndërsa babai ishte i shtruar në spitalin civil të Tiranës pa qenë i sëmurë, ai vdiq pa pritur në mënyrën më misterioze. Që në atë kohë ne e morëm vesh se ai u helmua nga Sigurimi i Shtetit, por të vërtetën e kemi mësuar shumë kohë më vonë nga ana e Reshat Petrelës, i cili ka qenë i shtruar në një dhomë me Hakiun. Në prezencën e Reshatit, një infermiere kërkoi t’i bënte një injeksion Hakiut, por ai e kundërshtoi duke i thënë se nuk ishte sëmurë. Por ajo insistoi shumë duke i thënë se ishte porosi e mjekut dhe pesë minuta pas bërjes së injeksionit, Hakiu dha shpirt duke mos iu dhënë asnjë ndihmë mjeksore”, kujton Tanushi lidhur me vdekjen misterioze të babait të tij, Hakiut.
Persekutimi Mulletëve
Persekutimi i familjes së Haki Mulletit, si dhe ajo e të vëllait, Qazimit, në fakt kishte filluar që në vitin 1945, kur sapo ishte arrestuar Hakiu. Në atë kohë Sigurimi i Shtetit arrestoi vajzën e madhe të Hakiut, Donikën (apo Sabahetin, siç thërritej nga familja), e cila kishte shkuar dhe jetonte tek dajat e saj (familja e Ramadan Mukës) në qytetin e Shkodrës. Sabahetit iu bënë shumë presione psikologjike nga ana e hetuesëve duke dashur që ta implikonin në një organizatë antikomuniste së bashku me dy shoqet e saj, Vidha Xhaferrin e Meliha Dodën. Nga presionet e shumta, Sabahetit iu helmua gjaku dhe vdiq në spital së bashku me shoqen e saj, Vidha Xhaferrin, ndërsa shoqja tjetër, Melihaja, shpëtoi pasi iku në Vlorë. Lidhur me vuajtjet e familjes së Haki Mulletit, pas vdekjes së tij, Tanushi dëshmon: “Pas vdekjes së babait, në shtëpinë tonë erdhi Mihallaq Ziçishti (me gjithë nënën e tij që i kishte ardhur nga Korça për ta takuar) i cili me shumë dashamirësi iu drejtua Pertefes, nënës sonë, duke i thënë: “Me vdekjen e Hakiut, u mbyllën hesapet me familjen tuaj dhe tani besoj se nuk do t’u ngacmojnë më. Prandaj unë do të mundohem që t’ju sjell nga internimi që të banoni këtu te bodrumet e shtëpisë suaj”. Por pak ditë pas kësaj, Mihallaqin e transferuan në qytetin e Korçës dhe familja jonë përfundoi e internuar në qytetin e Shkodrës, ku bashkë me nënën dhe tre motrat e mija, Verën, Bardhën e Dhuratën, qëndruam deri në fillimin e viteve ’90-të”, e përfundon rrëfimin e tij Tanush Mulleti, lidhur me vuajtjet familjes së tij, të cilën për afro gjysëm shekulli me radhë e ndoqi nga pas fantazma e emrit të xhaxhait, Qazimit dhe hija e keqe e luftës së klasave që nuk iu nda deri në shëmbjen e regjimit komunist./Memorie.al