Bahamasi ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Lajmi është dhënë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Me Bahamasin që i shtohet listës, Kosova njihet tashmë zyrtarisht nga 121 shtete. Osmani ka ndarë edhe deklaratën e plotë të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Më tej shprehet se dy shtetet synojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme që përbëjnë interes dhe ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë e produktiv.

Bahamas njeh Kosovën!

Edhe një vendim historik për vendin tonë.

Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë!

Sapo kemi nënshkruar, këtu në kryeqytetin e Bahamas, marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kryeministrin e Bahamas, mikun tonë të mirë Philip Davis.

Më poshtë Deklarata e plotë:

Deklaratë e përbashkët e Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika së Kosovës njoftojnë se Komonuelthi i Bahamas e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Të dyja shtetet njoftojnë gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Ato bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.

Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv.

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, përmbyllet postimi.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:38
Bahamasi njohu Kosovën, Begaj: Mirënjohës! Vendimi, kontribut domethënës për stabilitetin në rajon

1763374190_bajrambegaj.jpg

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me lajmin që Bahamas është shteti më i ri që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

 Në një postim në “X”, Begaj shkruan se ky vendim është një kontribut domethënës për paqen e stabilitetin në rajon.

 “Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Bahamas për njohjen e Kosovës, një kontribut domethënës për paqen, stabilitetin dhe forcimin e rendit ndërkombëtar në rajonin tonë” shkruan kreu i shtetit.