Qyteza Alban
Sipërmarrja e këtij hulumtimi rreket rreth pyetjes, “A është Albanopoli në Zgërdhesh?”. Rrënojat e Zgërdheshit, nga që janë vënë jo rrallëherë në dyshim, më kanë shtyrë e nxitur të kërkoj e të “gërmoj” më tej në libra e dokumente të ndryshme, prej nga kanë rrjedhur të dhëna të reja, që ndihmojnë e plotësojnë.
Gjuha e shkruar e fqinjëve ilirë, helenëve, në botimet e dokumente të tjera të tyre i kanë shtuar ‘polis’. Në hartën e Ptolomeut e gjejmë të shkruar me emrin Albanopol. Në këtë shtjellim do orvatem të sjell të dhëna se Albanopol, qyteza nga zë fill emri ynë kombëtar, është ai që i ndodhen rrënojat në këmbët e Krujës, të cilin do ta mbroj përmes një sërë argumentesh të gjurmuara e nxjerrë përmes botimesh të deritashme.

Qyteza e lashtë Alban, kryeqendrën e fisit ilir të albanëve, për ta njohur e prekur mund të shkosh në çdo stinë. Fshihet tej një relievi kodrinor, shumë afër Tiranës, por pak e njohur prej qytetarëve të saj. Është i mjaftueshëm emri që mbart të të bëjë nxitjen që të marrësh rrugën për ta parë, sepse kjo qytezë duhet të shihet si nga shënjat më të rëndësishme të identitetit kombëtar.
E cilësojnë si kryeqendër të fisit ilir, sepse afërsisht rreth 20-25 kilometra në lindje të saj ndodhen “simotrat”, qytezat e tjera enigmatike, Persqopi (më saktësisht, Brysaka, sipas N.Cekës) dhe po kaq larg, në jug, ndodhet “Qyteza” pranë fshatit Dorzë, jo shumë larg fshatit Arbanë. Një ndërthurje emrash e vëndbanimesh të lashta për të cilat, pavarësisht botimeve të arkeologëve e historianëve tanë, dimë fare pak!
Një shoqëri fisesh të bregut lindor të detit Jon (e më pas Adriatik) banorët e përtejmë të Apenineve e kishin zbuluar dhe i njihnin si albanë, vëndin si Albani (ose Arbëni) dhe vazhdojnë edhe pas dy mijë vjetësh t’i thërrasin albanë, ndonëse ata vetëquhen shqiptarë. Me gjasa, është qyteza Albanopol që na ka dhënë emrin që mbajmë, atë si na quan e na thërret Europa, Albanë!
Qytezën e lashtë, për të cilën historia di pak, arkeologjia nuk ka ngurruar t’i përcaktojë kohën e saj të lulëzimit si tre-katër shekullore. Kush merr rrugën nga Tirana dhe Durrësi, mjafton të kthejnë djathtas Fushë-Krujës në katundin Halilaj dhe pasi përshkon pak rrugë ndër ravijëzimet kodrinore të Zgërdheshit, u shfaqen rrënojat e para, muri i poshtëm rrethues i Albanopolit dhe një nga mbetjet e portës hyrëse, ndërtuar me gurë, blloqe kuadratikë të përmasave të mëdha, gjeometrikisht të rregullt, të punuara me sipërfaqe të rrafshtë e të skuadruara, një teknik ndërtimi kjo e lashtësisë ilire.
Çfarë dimë për qytezën Alban?
Nga lartësia prej 245 metrash e kodrinës ku dergjet Albanopoli, sheh përpara shtrirjen e magjishme të një hapësire që mbyllet në vijën e horizontit me Durrësin. Në shpinë është Kruja dhe në lindje vështrimi kap një pjesë të mirë të kryeqytetit, Tiranës.
Sipas studimeve të arkeologut dhe dijetarit të shquar shqiptar, prof. Selim Islamit, qyteti ka lulëzuar nga mesi i shekullit IV deri në shekullin I para erës së re. Pozicioni i tij vërteton atë që ka shkruar Tuqiditi, se:”...ndërtimi i qyteteve mesdhetare në njëfarë largësie nga deti shpjegohet me frikën që banorët kishin nga sulmet pirate”. Në hartën, ku afërsisht astronomi dhe gjeografi aleksandrin, Ptolome, vendos Albanopolin, gjenden rrënojat e lashta, që për shkak se ndodhen në afërsi të katundit Zgërdhesh, morën emrin e tij.
Studiues dhe arkeologë kanë hamendësuar se ka gjasa që të mos ketë pasur qytet me emrin Albanopolis, me që kultura helenike dhe shkruesit e saj (në këtë rast Ptolomeu), i helenizonin emërtimet. Qytetin që i takonte fisit Albanoi, ai e emërtoi Albanopoli-Qyteti i Albanëve, ngjashëm siç helenët “pagëzuan” Persepolisin-Qyteti i Persëve, që në të vërtetë quhej Parsa dhe thirrej Thakht-e Jamshid (froni i Jamshid).
E strukur në cepin perëndimor të Perandorisë Bizantine, emri Alban, si fis dhe si qytet, ndeshet në epokën e errët, mesjetën e hershme, fare-fare rrallë. Një informacion të kufizuar e gjemë në Kapitullin e III- “Kruja e qarku i saj bërthâmë e Shqipnís mesjetore” të Dr. Ludwig v. Thallóczy dhe Dr. Konstantin Jireèek. Autorët e mirënjohur për studimet iliro-shqiptare, vënë në dukje se këto dokumente “...i përkasin viseve në të cilat emri Alban (Arban) âsht familjar qyshë prej kohës s'Ilirve të motshëm e qi andej ky emën u shtrî larg përmbi nji qark të gjânë qyshë prej gjymsës së dytë të mesjetës. Fisi ilir Albanôn, me qytetin “Albanópolis”, që përmêndet ke Ptolomeo në kohën perandorake të Romës, që shtrihej deri ke deti Adrijatik e afër kufijve jugorë të provincës fqinjë të Dalmatís, e cila përfshinte në Jugë dhe Shkodrën e Leshën; pra mû ndër malet e Krujës”.
Ishte dinastia Kapetjane e Karlit të Parë Anzhu, që nxorri nga mugëtira e atyre shekujve të errët emrin Alban-Albania-Albanaises, të përdorur prej tyre nga viti 1263 deri në vitin 1304, kohë kur vëllai i mbretit të Francës, Luigjit IX, u quajt Mbret i Napolit dhe Arbërisë. Territoret arbëre ju morën Perandorisë Bizantine në vitin 1271 dhe në vitin 1272 u shpallën “Regnum Albaniae”.
Të interesuarve e të pasionuarve pas kërkimeve për sa po shkruajmë, u sjellim të njihen me një artikull të botuar në qershor të vitit 1943. Është një studim i botuar te “Hylli i Dritës”. Shkurtimisht, ja çfarë shkruhet: “…Gërmadhat e Zgërdheshit gjinden nj’a dy orë larg Krues e nj’a 15 minuta prej Fokës në rrugën e Krues. Këto gërmadha u zbuluen së pari nga Hahn-i vetë, mbasandaj u eksploruen edhe u studjuen deri diku nga arkeologët Praschniker e Schober. Simbas mendimit të këtyre dijetarëve, muret e fortesës, që shifen sot aty--këtu në kambë, kanë nji teknikë ndërtimi të vjetër, që i gjan asaj t’akropolit të Leshit. Shpërndamja e tjegullave në nji hapësi të madhe tregon se këtu dikur ka qenë nji qytet i madh, i cili, nga enët helene e helenistike që janë gietë, len me kuptu se ka qenë në marrëdhanëje kulturore të mira e të rregullshme me Durrsin. Gurët e mureve të fortesës janë të skalitun e të mëdhaj. Gërmadhat gjinden në lagjen Kakariqe të Zgërdheshit, sipër nji kodre që sot asht mbulue me shqope e ferra, sa s’të lanë me pa kurrgja për së largu. Pa ba gërmime se ç’qytet ka qenë këtu, s’mund të kuptohet… se a ka qenë Albanopoli! Duhet të presim gërmimet, të cilat s’asht larg mendjes që të na apin edhe ndonji përgjigje negative.
Për të shenue me siguri se ku gjindet Albanopolis nuk gjejmë bazë kurrkund, përveç gjeografisë se Ptolemeut, pse i pari ... që e përmend ket qytet asht vetëm kjo gjeografi”.
Përshkrimi i bërë për terrenin dhe kërkimet përpara mbi 80 vjet, ngjan si me qenë dje. Asgjë nuk ka ndryshuar. Janë po ato ferra, shkurre, driza, shkozë e shqope të pakalueshme, që nuk të lejojnë të shohësh qartazi e të prekësh tërësinë e shtrirjes së qytezës antike. Sa u përket gërmimeve dhe zbulimit, ngelen ato që diheshin e që i përmend Selim Islami. Asgjë e re nuk është shtuar (përpos pluhurit vdekjeprurës të kaminave të gurit gëlqeror dhe fabrikës të prodhimit të çimentos, ndërtuar në zemër të historisë sonë, për të fëlliqur si ambientin ashtu dhe historinë). Në vendndodhjen e rrënojave sheh se si një pasuri arkeologjike me përmasa të papërfytyrueshme, bëhet fjalë për qytezën prej nga na vjen emri, të vazhdojë të ngelet pothuaj jashtë vëmendjes.
Pavarësisht terrenit, është e mundur që brenda disa orësh ta shkelësh, nga fillimi i kodrinës-qytezë e deri në majë, përpos rrethimit veri-perëndimor të saj. Fragmente të mureve rrethues, ballore dhe anësore, si dhe të ndërtimeve që kanë lulëzuar atje, ta japin lehtë përfytyrimin e një qyteti, në mos hijerëndë si Apolonia, të pushtetshëm, të ngritur sipas gjithë botëkuptimit të njeriut të epokës që e lindi, pra, me organizimin brenda mureve rrethuese, të akropolit, agorës, Shtëpive të parisë qytetase dhe mbase bibliotekën e teatrin. Ngelet ende t’i kërkojmë, në mos muret, mbetjet themelore të shtrirjes.
Në botimin “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: faqe 268, libri III, Ptolemaei, Geographia, kap.12, “Vendi që zë Maqedonia”, 20. Në tokën e Albanëve (Albanoi), Albanopolis, 46.0, 41.0 5’. Vetëm kaq dimë për këtë vendbanim të hershëm ilir, për të cilin, ngase ndodhej në Parthini, te “Arbëria mesjetare” e Pëllumb Xhufit, termin Alban (Alb=i bardhë) e cilëson si përkthim të emrit Parthen-të bardhët (bardhajt) që mbante fisi ilir.
Një sërë versionesh mbi vendndodhjen e Albanopolit
Hamendjet e vendndodhjes kanë përfshirë, me studime, përpos Zgërdhedhit, disa vendbanime të tjera, të cilat po i trajtojmë sa më poshtë:
“Ndodhet në prapashpinën e Dyrrah”-na është dhënë si njohuri nga Ptolemeu, që e gjejmë të rishkruar edhe nga Ana Komnena (1083-1146), e bija e perandorit bizantin, Aleksi I. Në “Historinë” e saj të njohur, shkruante se
popullsia, që ndodhet pas Durrësit, e quante veten “Arbanez”. Shtrirja gjeografike e këtij fisi përkon me atë të Albanëve.
Më afër prapashpinës së Durrësit ndodhen rrënojat e Zgërdheshit, që ka prirë mbështetjet e specialistëve të fushës se kemi të bëjmë me Albanopolin e Ptolomeut, çka nuk do të thotë se ajo e fiton statusin e të qenit qyteza e lashtë Albanopol! Kësaj hipoteze i ka qëndruar së pari, prej vitit 1854, studiuesi i mirënjohur, Johan Georg von Hahn.
Ishte Konstantin Jireèek që sjell pikëpamjen e Hahn-i, “...i cili mendon se ky qyteti Albanópolis ka qênë ai i gërmadhave qi gjinden në Skorteshe, përfund rrânxës perëndimore të malit të Krujës e pranë nji katundi të quejtun Graçe (sl. Gradëcë=kështjell)”.
Selim Islami, që duhet thënë se është ndoshta i vetmi që ka punuar me ekip në parkun arkeologjik, në kumtesën “Qyteti ilir në Zgërdhesh”, të mbajtur në Kuvendin e Dytë të studimeve ilire, siç shihet në titull, nuk sipërmerr përgjegjësinë ta quaj Albanopol, por nga sa shkruan, shihet qartazi se anon nga hipoteza e Hahn, për të cilin shkruan se atij “...i takon merita të ketë hedhur i pari mendimin se te rrënojat e Zgërdheshit duhet të kërkohet Albanopoli i vjetër...Argumente të reja bindëse nuk kanë dalë, megjithatë mbetet një hipotezë me vlerë”. Më tej shton se midis Matit e Shkumbinit (siç e përcakton Ptolomeu) nuk ka qendër më të madhe antike se Zgërdheshi, ndaj hipoteza do vazhdojë të qendrojë e fortë.
Nuk janë pak ata që thonë se Albanopoli është Skampusi i lashtë (Elbasani). Ndodhet paksa më larg, por mund të merret edhe si prapashpinë në lindje e Dyrrahut, ndonëse nuk sjellin asnjë argument. Këtyre hamendjeve u janë shtuar kohët e fundit “prapashpina” të tjera si Brysaka (Persqopi) dhe ...Tirana!? Hamendësimet shtyhen paksa më thellë “shpinës” nga një studiues dibran, që mbron këndvështrimin se Albanopoli është Valikardha në krahinën e Zerqanit. Për këtë, ai sjell ca të dhëna të rrjetit rrugor dhe të pozicionit gjeografik.
Përcaktimi i Hahn-it nuk besoj se është lëkundur ndopak nga këto sjellje hipotezash, pavarësisht këmbënguljes të përkrahësve të versioneve të tjera se “Hahn ka gabuar”, sa kohë prej tyre nuk i kanë sjellë shkencës së arkeologjisë asnjë argument bindës! Vlen shumë të shtohet, në dobi të kësaj, prania në anën jugore të Zgërdheshit e toponimeve “Prroj Albane” dhe “Burimi Alban”.
Kërkimet e para i bënë shkarazi austriakët dhe italianët, që rilevuan sistemin fortifikues, me muret karakteristike rrethuese të ndërtuar me blloqe gurësh kuadratikë shumë të mëdhenj. Pas vitit 1950 u bënë disa ekspedita më të plota, të cilat nxorën në dritë një pjesë të rrënojave.
Dokumentet e kishës katolike janë më afër të vërtetës se Albanopoli është në Zgërdhesh
Qëllimin, në këtë këndvështrim timin, nuk kam vërtetimin sa debatohet, se ato janë zotërim i arkeologëve e studiuesve, por sjellja e argumenteve në dobi të një versioni, atij të Hahn. Nga kërkimet kam arritur në një përfundim që më përforcon bindjen se mbrojtja më e mirë që mund t’i bëhet ndodhjes së Albanopolit janë dokumente të kishës katolike, ndaj jam i prirur ta marrim të mirëqenë këtë Albanopol që është pranuar deri tani, të paktën nga të shumtët.
Në veprën Illyricum Sacrum, të cilën Aleksander Stipcevic e cilëson si një arritje kapitale të historisë europiane, me rëndësi të dorës së parë si burim të dhënash për historinë mesjetare të Ilirisë Perëndimore, citohen dokumente të shekujve XII-XIII, në të cilat Krujën e emërtonin, “Qyteti Alban”. Ndër burimet kishtare të shkruara latinisht, emri i vëndit është shënuar “Arbanum” e ai i popullit “Arbanenses- Albanenses”, prej nga rrjedh në italisht “Albanese-Arbanese”.
I fundmi dokument në radhë, që e provon njësimin e qytezës Alban me Krujën, vjen nga vepra “Agjentë perandorakë” e historianit Neol Malcolm dhe i përket shekullit XVI-të. Simbas Farlatit e Coletit, autorëve të shquar të “Illyricum sacrum”, në kap. VII shënohet se peshkopët e Arbanumit gjinden të mvarun nga kisha katolike e Tivarit vetëm prej shek.XII. Në shek.XIII “...ka pasur në të njâjtin djoqez t' "Albanensis" dy peshkopë, nji latin e nji grek”. Farlati përmend peshkopë të veçantë në Krujë, bashkë me ata t'Arbanumit, “...vetëm tue fillue prej vjetës 1286” dhe shton, çka është me shumë peshë në përcaktimin e vëndndodhjes Albanopolit, se “... mbas pushtimit të Krujës prej Tyrqvet titujt peshkop i Krujës e peshkop i Albanensis u shkrinë përsëri bashkë”.
Përshkrimet sa sipër janë mjaft bindëse për të mbështetur versionin Zgërdhesh = Albanopol.
Nuk ishte vetëm intuita që e bënte J.G.von Hahn të këshillonte pasardhësit të merreshin me rrënojat e Zgërdheshit për të gjetur Albanoplin! Në të vërtetë ky studiues i shquar kish filluar të besonte se kish rënë plotësisht në gjurmë, pasi ishte njohur me të dhënat nga kisha katolike, të cilat, siç shkruan, shërbyen si “pikëmbështetje të sigurta”. Ai njihet me kronikat që kryepeshkopi i Tivarit, monsinjor Karl Pooten, kish mbajtur në vazhdim të veprës së Farlatit, “Ilyricum Sacrum”, për historinë e kishës shqiptare. Hirësia e tij kish kërkuar në dokumentet e kishës dhe kish gjetur se Episcopatus Arbanensis i dikurshëm kufizohej me peshkopatën e Krujës, pasi në rastet kur posti i klerikut mbetej bosh, administrimi i saj merrej përsipër nga ana e peshkopit të Arbanos (Albanos).
“A mund të provohet eventualisht emri Arbanum në dioqezën tuaj?”. Kjo ishte pyetja që Monsinjor Karl Poten i drejtoi kryepeshkopit të Durrësit. Monsinjor D’Ambrozio u përgjigj: Edhe sot e kësaj dite e gjithë fusha bregdetare që shtrihet mes derdhjes së lumenjve Mat dhe Erzen, krahas luginës së Tiranës, quhet prej banorëve të atyshëm Arbëni.
Më tej, J.G von Hahn gjen një tjetër dëshmi, atë të peshkopit të Lezhës, monsinjor Dod Masei, që vjen afërsisht në përputhje me vendndodhjen e Albanopolit: E gjithë fusha e kryepeshkopatës së Durrësit quhet Arbëni. Malsorët, kur udhëtojnë në drejtim të kësaj fushe, thonë, “Po shkojmë në Arbëni”. Të dhëna për Albanët (Arbërit) dhe Albanopolin vijnë edhe prej kishës ortodokse, të cilat i sjell edhe J.Th. Fallmerayer te “Elementi shqiptar në Greqi”, ku pohon se kishat arbëre të Mores në Mesjetë, si klerikët ashtu dhe ndjekësit e saj, ishin të familjarizuar me emrat arbër e arbërishte, siç e quanin veten dhe gjuhën që flisnin. Po këtu, në polemikë me një të ashtuquajtur historian e filolog, Nikokles, që deformonte Plutarkun, vë në dukje se Albanopolisin gjeografi e vendoste në fushën e taulatëve, si “qytet në brendësi”, jo në bregdet.
Në shekujt IX e XIII janë të dy kishat, ortodokse e katolike, që e nxjerrin emrin e qytetit Albanopolis nga humbëtira e analeve të historisë dhe e përmendin si institucion të hierarkisë së shërbesave fetare. Në vitin 879, Kruja, në veri të Albanopolit, del se është bërë qendër peshkopale e ritit bizantin. Prashniker e Shober citojnë dokument të kishës ortodokse se “Emri Albanopolis i mbeti edhe dioqezës mesjetare-greke Arbanum (Albanon) e cila deri në shekullin e 13-të pranohet të jetë e njëjtë me dioqezën e Krujës.
Nga kisha katolike vjen dëshmia se “Kryedioqeza e Durrësit u krijua në shekullin e XIII, si Peshkopatë e Albanopolis” dhe peshkopata identifikohet si Kroia. Në këtë linjë vjen dhe rrëfimi i Guillemus Adae, peshkop i Tivarit, i cili në “Directorum ad passagium faciendum”, shkruan se në shek XIV, nën metropolinë e Tivarit ndodhen dhe katër dioqezat e qyteteve shqiptare, Polati Major (Pulti i madh), Polatum Minor (Pulti i Vogël), Sapa dhe Albanensis (Albanopolis) qytet që identifikohej me Krujën.
Në veprën “Acta et diplomata res Albaniae ... 1311-1343”, autorët Kostandin Jireček kujdeset që në indeks të shënojë “idem” siç e kanë dokumentet e kishës: Albanum (Arbanum, L’Albano, Rabinь) regio circa Croyan (288, 323, 375, 497, episcopatus 506). Gjithashtu, veçoj si prurje jo më pak të rëndësishme nga kjo vepër listën e peshkopëve nga viti 1350 deri në vitin 1402, që e gjejmë të shkruar në formën Episcope Arbanenses, barones et nobiles de l’Albano. Në përputhje gati të plotë, njohjen që kisha katolike i bën Krujës si pasuese e Albanopolit, rrjedhë e afërisë fizike mes tyre, e përmendëm sepse historiani Neol Malcolm e bie si dëshmi te botimi “Agjentë perandorakë”, ku në veprimtarinë e Xhovani Brunit përmendet Albanopoli dhe identifikohet ai me Krujën.
Ku shtrihej emri Alban?
Gjatë një shekulli shtatë perandorë me origjinë ilire e sunduan me radhë Perandorinë Romake. Njëri prej tyre, perandori Dioklecian, ishte ai që kreu një reformë administrative, duke emërtuar e riemërtuar prefektura, dioqeza dhe provinca. Në përputhje me këtë riorganizim, territori në Ilirinë e Jugut ku flitej arbërisht-shqip u nda në tri krahina: Praevalitana, me qendër administrative Shkodrën, Epirus Nova, me Dyrrachium si kryeqytet, dhe Epirus Vetus, me qytetin e tij qëndror në Nikopolis.
Fragmente të mureve rrethuese jug-perëndimore
Pas dyndjeve barbare dhe pushtimeve sllave, ilirët u zhdukën nga skena historike. Ilirët e jugut, që populluan Epirin e Ri, Epirin e Vjetër, Dardaninë dhe Maqedoninë perëndimore rezistuan, duke ruajtur të paprekur identitetin, rendin dhe sistemin e tyre shoqëror. Kjo popullsi e vjetër, me kalimin e shekujve e humbi emrin e lashtë ilir dhe hyri në mesjetën e hershme me emrin Arbën-Alban dhe në Mesjetën e vonë me emrin shqiptar. Dokumenti i fundit i Perandorisë Bizantine që i përmend ilirët është Miracula Sancti Demetri i shek VII pas Krishtit.
Alban-Arban, ndeshet si emër në shkrimet e shek. II e të XI, por nuk janë të vetmit. Emri Alban, nga sa duket, ka qenë fond leksikor i Ilirëve. Në Shqipëri emri ndeshet te krahina e Labërisë (Arbërisë), fshatit Arbanë, Rruga e Arbërit dhe Albulena. Një gjurmë materiale e emërimit është një stelë që mbart, mes të tjerash, të gdhendur emrin Albanop(ol), e gjetur në rrethinat e Shkupit. Më tej, në veri, pothuaj në tërë Dalmacinë (mal të Zi, Bosnje, Kroaci) jetojnë ende emrat Arbnesh, Arbanas, Arbanes, Arbanska.
Në veprën “Ilirët” të filologut dhe historianit të shquar italian, Enzo Gatti, emrin Alban ai e nxjerr të pranishëm në gjithë Ballkanin Perëndimor, në Kroaci, Bosnje, Mal të Zi, Dardani, ishujt e Adriatikut lindor. Gatti thotë që ilirët u shpërngulen në shumë drejtime dhe kanë lënë gjurmët në toponomastikë: Ishulli Arb, afër Trogir-Arbënija, Mali Alben në Dalmaci, Albona pranë Rijekës, në gadishullin Breton Alby dhe Shën Albani, lumi Albanë pranë Dizhonit, Alban dhe Albi pranë Tuluzës, në Savoje Albi.
Nga korespondenca me Enzo Gattin, autori i veprës “Ilirët"
Profesori Gatti përmend Albinea në Rexhio Emilias, Montalbano në Modena dhe Rimini. Në Liguria është Albenga, Albisola dhe Albaro. Ne zonën e Pistojes, malit Albano. Ne krahinën e Grosetos, lumi Albegna dhe Albinia. Pranë malit Ilirio dhe në rrafshinën Pontinia, kodrat Albane, Alba Longan dhe Albanon.
Në Salerno, malet Alburni dhe Albanella, ne Lukania Montalbano dhe Albidona, Albi në Kalabri. Alba Adriatika në brigjet e Adriatikut, Alberone e Foxhias dhe Montalbano e Barit.
Në aktet raguziane të shek. XIV emri Arbani-Albani ndeshet shpesh. Më 1386 kemi “San Sergium de Albania” në breg të Bunës. Gjithashtu, në 1429 e 1430, në këto akte, Tivari, Lushtica afër Katorrit dhe Podgorica përmënden të përfshira në Albani-Arbëni.
Në vitin 1407 Gjon Kastrioti thirret "dominum satis potens in partibus Albanie" (zotní mjaft i fuqishëm ndër krahina të Albanie-Arbnít. Në Iliricum Sacrum-Volumi i VII, shënohet se mes 15 dioqezave që kishte Durrësi, me numrin 2 shënohet dioqeza e Arbënisë
(Durrësi kishte këto dioçezë sufragane: 1. Lezhën, 2. Arbëninë, 3. Krujën, 4 Bendën, 5. Priskën, 6. Shtejefnin, 7. Kanovjen, 8. Skampën, (Elbasanin) 9. Lestronin, 10. Bulidën, 11. Amancien, 12. Apoloninë (Pojanin) 13. Vëlonën, 14. Pulkerjopullin (Beratin) 15. dhe Akroçerauninë).
Në fundvitin 1987, kam shkëmbyer letra me filologun Enzo Gatti, i cili, së bashku me librin “Ilirët” (që ma bënte dhuratë), më shkruante se maqedonasit e lashtë dhe trakasit ishin një fis me Ilirët. Afërsisht të njëjtin përfundim e dimë ta ketë arritur edhe J. R. Fon Ksilandri, i cili shkruan se “Nga kërkimet e mësipërme ne kemi arritur në përfundimin se epirotët dhe maqedonasit që lidhen nga gjaku me njëri-tjetrin, duket se përbëjnë një degë të pavarur të trungut të madh të popullit ilir”.
“Identitetet shqiptare” është një kapitull i librit “Shqipëria dhe identitetet shqiptare”, nga Antonina Zhelyazkova. Mes të tjerash, autorja përmend se Aleksandrit të Madh të Maqedonisë i atribuohet një urdhër i dhënë gjatë njërës prej luftërave midis maqedonasve dhe grekëve, i thënë me fraza si përdoret deri më sot në gjuhën shqipe: “Shkoni, goditni, rrihni, mos të mbetet gur nën ju! Fjalët e cituara kanë qenë të gdhendura në një gur të Akropolit, por fqinjët tanë kjo i nervozon dhe e trajtojnë këtë si legjendë shqiptare.
Këto rrënoja të lashta na japin identitet
Rrënojat për të cilat mendojmë se përfaqësojnë Albanopolin, janë të veçanta sepse mbajnë emrin me të cilin ne na quajnë. Nuk di që ndonjë nga popujt tanë fqinj të ketë patur fatin si ne, që emri me të cilin thirren t’u jetë përmendur 18 deri 20 shekuj përpara, përfshi këtu grekët dhe italianët. Askush më mirë se kjo qytezë, me gjasa, e pranuar si Albanopoli, nuk i injoron lehjet sllave, sidomos serbe, e të tjerë armiq shekullorë, se ne jemi të ardhur, se nuk jemi pasardhës autoktonë, etj. Është vetë emri ynë Alban, që flitet, përdoret e trashëgohet parreshtur për ne nga popujt e tjerë dhe këto rrënoja që emërtohen si dhe ne.
Historia e ka metodë të saj rindërtimin e së kaluarës me anë të rudimenteve. Qëllimi i kësaj metode është, që përmes tyre, të nxjerrësh përfundime për kohë e periudha. Dhjetë hektarët ku shtrihet qyteza antike janë pjesërisht të gërmuara. Deri tani, ekspedita (kryesisht ajo e Selim Islamit), ka nxjerrë në dritë rreth 90 metra mur rrethues, disa shkallare e pak rrënoja ndërtimesh. Është kërkuar kryesisht atje ku shihen me sy të lirë gurë ndërtesash ndërsa në thellësi, siç është gërmuar në Butrint, Apoloni e Bylis, nuk dihet të jenë bërë.
Albanopoli pra, është i paeksploruar dhe pret, veçanërisht tani, kur Shqipëria është shndërruar në trend botëror turistik dhe prekja e njohja e vizitorëve dhe e pushuesve me lashtësinë ka qenë e mbetet një kërkesë e pandryshuar. Po të fillosh të gërmosh e të studiosh Albanopolin, do të gjendesh me siguri në gjurmët e një qytetërimi të lashtë të Mesdheut, si dhe përpara një vlere e pasurie të madhe të trashëgimisë të vendit tonë.
Projektet studimore midis arkeologëve shqiptarë dhe të huaj, që janë shtrirë prej vitesh në Apoloni, Orik e Bushat, i ka sjellë arkeologët, me studentë të universitetit të Frankfurtit, edhe në rrënojat e Zgërdheshit. Janë bërë gërmime për njohje të territorit të qytetzës antike. Deri tani njoftojnë se kanë gjetur katër varre dhe një strukturë rrethore, që mund të jetë një varr monumental në afërsi të një tempulli të lashtë.
Gjatë këtyre 30 vjetëve nga koha kur ndryshuan sistemi politik dhe ekonomik, me keqardhje, por financimi i gërmimeve arkeologjike ka qenë në minimumin “jetik” të tyre, një qendrim i pakujdesshëm, ndërsa jemi me vetëdije se, përpos bregdetit, vëndbanimet e lashta janë ndër vlerat pasurore që ne i kemi më se mjaftueshëm.
Në vizitën time të fundit te këto rrënoja kaq shumë afër Tiranës, kam parë një tabel orientuese në të cilën shënohet “Kalaja e Albanopolit?”, me një pikëpyetje në fund. Për autoritetin që ka vendosur pikëpyetjen nuk mund të kem asnjë të drejtë të bëj vrejtje, por që të shkruash “Kala” përbën një shtrembërim të historisë?! Kalatë janë emërtimet turke për fortifikimet, por kjo nuk është as kala turqisht, as kështjellë-shqip dhe as fortifikim, por qytezë e lashtësisë ilire. Vëndet me emrat “Qytezë” për rrënojat ndeshen shpesh në Shqipëri.
Vetëkuptohet, që në kushtet kur shkruesi ka çelsa kashte në duar, ata që marrin vendime dihet se është gjithnjë e vështirë të pranojnë e marrin këshilla! Për më tepër kryeministra e ministra, që të lexojnë gazeta me tema të tilla, nuk kam pasur fatin të njoh. Kështu që, përmes këtyre shkrimeve, na duhet të sensbilizojmë opinionin për të ushtruar ndikimin e shoqërisë civile në gjetjen e planifikimin e mjeteve ekonomike për ringritjen e gërmadhave të lashtësisë, si pasqyrë e tregues të rrënjëve tona. Dhe jo vetëm për Albanopolin, por edhe për Persqopin e Dorëzin, që ndodhen anës rrugëve kombëtare, pak kilometra larg kryeqytetit.
Këto rrënoja do të duhet t’i bëjmë të vizitueshme me udhëkalime për vizitorët, me sipërfaqe të pastruara, me mure të ringritura, atje ku është e mundshme. Në një shtet si yni, ku prodhimi i mallrave është i kufizuar dhe toka bujqësore është në shfrytëzim intensiv, turizmin kulturor do duhet ta kemi si orientim strategjik. Për këtë nuk mjaftojnë vetëm fjalët, por duhen politika. Albanopoli, kaq afër Tiranës dhe Durrësit, i vendosur mes tyre, në fushëkalimin e një prej pjesëve më të zhvilluara të vendit, dhjetë kilometra larg Aeroportit të Rinasit, vazhdon të ngelet i panjohur, pa vëmendje.
Kur hedhim një vështrim në të kaluarën e afërt dhe vërejmë me paanësi përparimin që kemi bërë, nuk mund të mos besojmë që ndryshimi do vijë edhe për ngritjen në nivele më të larta të kulturës së mbartur nga të parët dhe fondeve trashëgimore të saj. Ndërsa shohim se nuk rreshtin përpjekjet e popullatës për emigrim e nuk mungojnë aspiratat e shumë prej nesh për ta gjetur lumturinë jashtë vendit atëror, njëherësh në anën tjetër vërehet se kemi një rritje të shtresës së mesme të popullatës me interesa kulturore, kemi të pranishëm arkeologë të mirëpërgatitur, kemi një shumicë që ushqen dashuri pa fund për këtë vend, ndaj duhet pareshtur të kërkojmë atë politikë e kulturë që e meritojmë.
Në këto 30 e më shumë vjet demokraci, kemi dhënë påra me tepri për festa e shpenzime zyrash, në rrethana kur fondet e arkeologjisë nuk do mjaftonin për asgjë. Kërkimet e gërmimet në parqet arkeologjike mbështeten tek studentët e huaj, që mbahen me shpenzime nga vëndet prej ku vijnë. Mund të mos kemi fonde të mjafta për të gjitha rigjallërimet e objekteve që na vijnë si perla të një gjerdani nga lashtësia, por për Albanopolin, (po të kishim gjë në dorë) do duhej t’i gjenim, që ta nxirrnim nga nënshtrimi i harresës.
Indeks i burimeve dhe literaturës
- Aleksandër Stipcevic, Gli Iliri ("Illyrians"; 1966)
Arte degli Illiri ("The Illyrian Art"; 1963).
- Antonina Zhelyazkova, kapitulli “Identitetet shqiptare” nga botimi “Shqipëria dhe identitetet shqiptare”.
- Enzo Gatti, “Ilirët”, Bargjini 2005
- J. R. Fon Ksilandri, “Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren”, 1835 Frankfurt.
- Farlati dhe Coleti, “Illyricum Sacrum”, kap. VII, Peshkopët e Arbanumit
-“Hylli i Dritës”, qershor 1943
-“Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: faqe 268, libri III, Ptolemaei, Geographia, kap.12
- Johan Georg von Hahn, “Nëpër viset e Drinit”
- J.Th. Fallmerayer, “Elementi shqiptar në Greqi”
- Kostandin Jireček, “Acta et diplomata res Albaniae . 1311-1343”
- Ludwig v. Thallóczy dhe Dr. Konstantin Jireèek
Kapitulli i III- “Kruja e qarku i saj bërthâmë e Shqipnís mesjetore”
- Neritan Ceka “Ilirët”, për Brysakën
- Neol Malcolm, “Agjentë perandorakë”, Dudaj 2016,
- Pëllumb Xhufi, “Arbërit e Jonit”, botim i vitit 2016
- Prashniker “Kërkime arkeologjike në Shqipëri e Malin e Zi”.
- Ramazan Kica, “Qyteti i bardhë, njohur si Albanopoli, dhe emri ynë kombëtar”.
- Selim Islami, “Qyteti ilir në Zgërdhesh”, botim i Kuvendit të Dytë të studimeve ilire, 15-21 shtator 1972.
SI.E./Shqiptarja.comKomente

