Baleti emblematik i Krishtlindjes, “Arrëthyesi”, me muzikën e papërsëritshme të Çajkovskit, që sjell festën, magjinë, atmosferën e përrallën me fund të lumtur, vjen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti Miush”, shfaqja vjen për publikun falë solistëve dhe trupës së baletit nën koreografinë e Edi Blloshmit, i cili ka sjellë një version të ri të baletit.
“Doja t’i jepja më shumë energji, më shumë larmi këtij ‘Arrëthyesi’. Nëse Klara, dikur një vajzë e madhe interpretonte rolin e fëmijës, këtë herë kemi një Klarë të vogël nga fillimi deri në fund të pjesës.”, - thotë Blloshmi.
Ai ka shtuar edhe disa personazhe të rinj, gjyshërit e Klarës, si dhe rojën e pallatit.
“Bonbon Le Gurma është kuzhinier, është roja i pallatit. Ai i jep një lloj magjie dhe argëtimi pjesës së dytë dhe e bën gjithë pjesën më të larmishme.”, - vëren ai.
Për Blloshmin “Arrëthyesi” është një shfaqje që flet për fuqinë e ëndrrave dhe se si ato na bëjnë të shkojmë drejt realizimit të dëshirave tona.
Prej disa muajsh në pozicionin e drejtorit artistik të Trupës së Baletit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Edi Blloshmi, është kthyer pas 20 vitesh përvojë në skenat botërore me qëllim që të sjellë një ndryshim pozitiv në artin e kërcimit në Shqipëri.
“Dua ta çoj artin e kërcimit jashtë mureve që na rrethojnë, në shumë Teatro nëpër botë. Balerinët deri tani janë përgjigjur në mënyrë perfekte dhe janë shumë të lumtur. Sidomos te ky ‘Arrëthyes’ që kemi bërë tani ka një larmi rolesh. Nuk është se një balerin bën një rol dhe mjaftohet me aq. Çdo balerin po bën 3-4 role në këto shfaqje dhe ka mundësinë të tregojë, të argëtohet, të mos mërzitet pavarësisht se ka lodhje.” , - thekson ai.
Vënia në skenë e “Arrëthyesit” këtë fundvit ishte një sfidë edhe më e madhe, duke marrë parasysh ndryshimet e ndodhura së fundmi në TKOB.
“Gjithë këto ndryshime bënë që produksioni që kishim nisur këtu e disa muaj më parë të kishte një ngërç. Por drejtori i ri, Aulon Naçi, solli një dirigjent fantastik që na shpëtoi këtë produksion.”, - vijon koreografi.
Një shfaqje jo vetëm për fëmijë, por edhe për të rritur, “Arrëthyesi” vjen si bashkëpunim me nxënësit e shkollës së baletit, korit femëror dhe korit të zërave të bardhë, orkestrës simfonike të TKOBAP-së, nën dirigjimin e Sergio Alapont dhe me kostumografinë e Edlira Qyshkës.