Me detaje në blu si pafundësia e një ndjenje dhe në të bardhë, për të rrëfyer pastërtinë e një dashurie të një 18-vjeçareje, Adela Muçollari mbrëmjen e djeshme me një elegancë të pashoq bëri publikun pjesë të emocioneve të “Zhizel”. E shoqëruar nga balerini Fatjon Lito, dy protagonistët me shkathtësinë e lëvizjeve, por mbi të gjitha me një forcë interpretuese që nuk të linte indiferent rrëfen kështu, për nder të tij, veprën e parë botërore që mjeshtri i skenës Agron Aliaj i dhuroi publikut shqiptar.
Nën kujdesin e baletmaestros Enada Hoxha, “Zhizel” solli në skenë tri breza balerinësh, jo vetëm për të treguar një histori fatale dashurie, por mbi të gjitha për të përçuar një amanet, atë të Alisë për të shpënë përpara ëndrrën e tij, të tyre, dhe të dashamirësve të baletit, që ky zhaner të vazhdojë rrugën, të jetë në skenën shqiptare dhe të përparojë. Duke ruajtur konceptin bazik të kostumografisë dhe skenografisë që mjeshtri kishte lënë në partiturën e tij të shënimeve, “Zhizelin” e këtij viti Ardi Asllani e përshtat me detaje bashkëkohore. Një skenografi që jetëson ambientimin e ngjarjes në fshat, e sjell ëmbël Renold Sula, ku e kafta e butë dhe e gjelbërta krijojnë një ambient gati përrallor. Po ashtu ngjyrat e kostumeve të larmishme, dhe të brishta i rrinë më së miri kësaj historie tragjike.
Sigurisht që interpretimi i Zhizel, për primabalerinën Adela Muçollari përveçse përgjegjësisë e kënaqësisë i ka dhuruar ndjesi të pashlyeshme edhe për pritjen e ngrohtë që iu bë nga publiku. “Jam shumë e emocionuar nga kjo shfaqje. Ishte nder të kërceja për nderin tënd maestro Agron Aliaj”, shprehet ajo pas vënies në skenë të “Zhizel. Për primabalerinën ky është një moment që do të mbetet, duke shënjuar edhe karrierën e saj artistike, pasi e djeshmja ishte për të një ditë e veçantë. Baleti vijon të shfaqjet këtë fundjavë në skenën e “ArTurbinës”.
Komento