Tirana është kthyer në një pikëtakim për kineastët e Ballkanit dhe Europës. Në kryeqytet po zhvillohet edicioni i nëntë i Balkan Film Market. Një nismë prej vitit 2016, me fokus projektet në zhvillim dhe talentet e reja, Balkan Film Market krijon ura bashkëpunimi mes regjisorëve, producentëve, institucioneve kinematografike etj.
“Jemi si tre muskëtierët me njëri-tjetrin, që para 9 vitesh, kur vendosëm të çonim përpara së bashku këtë nismë dhe të organizonim edicionin e parë të Balkan Film Market në vitin 2016. Ia dolëm të sillnim emra të njohur të botës kinematografike nga Kana, Berlini, Roma dhe shumë vende të tjera evropiane dhe vende të tjera fqinje me ne. Vitin tjetër do të jetë një përvjetor, viti i 10-të i Balkan Film Market, çfarë do të thotë se ne do të vazhdojmë. Është një mision i pamundur që është bërë i mundur dhe që ka të bëjë jo vetëm me përpjekjet tona, por edhe me mbështetjen tuaj.”, tha Rafaela Rica, drejtore menaxheriale e BFM-së në çeljen e edicionit të nëntë të kësaj ngarjeje të rëndësishme për industrinë audiovizuale.
"Ka një prezencë të madhe italiane djhe ka një arsye, sepse ky aktivitet ka lindur si një aktivitet tërësisht italian në njëfarë mënyre. Nëntë vjet më parë kemi organizuar në festivalin e Venecias, Focus Balkan, me ndihmën e madhe të Ministrisë së Kulturës dhe Anica-s dhe partnerë të tjerë italianë. Pikërisht këto ditë, në Puglia po organizohet një event i lidhur me ne, me Puglian dhe Italinë. Një projekt Interreg ku QKK ka dërguar përfaqësuesin e vet për të ndjekur një tjetër projekt shumë të rëndësishëm, që kemi përfunduar së bashku, projekti CIRCE që e kemi realizuar me Puglian, Malin e Zi dhe Shqipërinë. U kemi dhënë jetë 10 projekteve filmike, cikle serish televizive dhe shumë projekteve të përbashkëta. Tani është momenti të shohim të tjera bashkëpunime dhe të prodhojmë së bashku.", tha Ilir Butka, president i BFM-së.
BFM tashmë konsiderohet një institucion i rëndësishëm për kinemanë shqiptare dhe rajonale.
“Kjo është ajo kohë e vitit kur Tirana është plot me producentë, regjisorë dhe mendoj se e gjitha kjo është falë jush, sepse po bëni një punë të shkëlqyer. E di që këtë vit mbështetja nuk ishte e mjaftueshme, mbështetja nuk ishte ajo që meritoni për këtë ngjarje që organizoni çdo vit. Mendoj se tani BFM është një institucion për Shqipërinë dhe nuk ka nevojë të varet nga gjendja shpirtërore e një drejtori apo institucioni, por duhet të jetë i tillë, duhet të ketë mbështetjen e të gjithë komunitetit të regjisorëve shqiptarë dhe ballkanas. Kështu që mendoj se vitin tjetër kemi lajme të shkëlqyera.”, tha kryetari i Qendrës së Kinematografisë, Jonid Jorgji.
Këtë vit, 90% e të ftuarve marrin pjesë për herë të parë në BFM.
"Këtë vit, 90% e njerëzve që vijnë si të ftuar në BFM vijnë për herë të parë. Kur filluam ne kishim rregullin e artë: kush vjen dy herë në BFM dhe nuk prodhon një projekt në BFM nuk do të ftohet herën e tretë. Kështu, shumica e atyre që kthehen, vijnë sepse kanë prodhuar diçka. Këtë vit ne jemi fokusuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është qëllimi ynë, si dhe bashkëpunimet me Italinë. Gjatë marketit do të nënshkruajmë disa marrëveshje të rëndësishme e gjithashtu po përpiqemi të ndërtojmë një partneritet me kryeqytetin e ardhshëm evropian dhe mesdhetar të kulturës vitin e ardhshëm, që është Matera.", tha Andamion Murataj, drejtor i BFM-së dhe një ndër themeluesit e tij.
Momenti kulmor i Balkan Film Market do të jetë më 19 dhjetor, me PitchBalkan, aktiviteti kryesor ku projektet filmike nga gjithë Ballkani e më gjerë prezantohen përballë producentëve dhe financuesve ndërkombëtarë.
Komente











