Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, sot u zhvillua seanca dëgjimore për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2026” me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK).

QKK përfaqësohej nga kreu i institucionit, Jonid Jorgji, i cili që në hyrje të fjalës së tij theksoi rëndësinë e veprimit në kohë për të shfrytëzuar momentin vendimtar në të cilin gjendet Shqipëria, e parë si një vend për prodhimin e filmave nga studiot e mëdha kinematografike ndërkombëtare.

Jorgji tha se, studiot ndërkombëtare po shohin Evropën Juglindore si një alternativë e duhur për t’u zhvendosur.

“Ky moment është deciziv. Nëse do të arrijmë të thithim këto produksione dhe këtë interes lidhur me këtë fushë të rëndësishme jo vetëm të artit por edhe një fushë e cila prodhon ekonomi, është ky momenti. Nëse na ikën ky moment do jetë e vështirë, pasi do ta kapin vendet e rajonit si Serbia, Bullgaria dhe Hungaria që po bëjnë fushata të rëndësishme promovimi në këtë aspekt”, u shpreh kreu i QKK-së.

Më tej, ai renditi një sërë programesh që QKK po zhvillon në dobi të këtij qëllimi.

Një prej tyre është hapja e zyrës së promovimit, Albania Film Commission, një zyrë e cila në institucionet simotra të kinematografisë në botë e rajon, ekziston prej vitesh.

Një tjetër hap i saponisur është Zyra e Karrierës pasi, sipas Jorgjit, ka nevojë urgjente për të rritur kapacitetet njerëzore në lidhje me industrinë audiovizuale.

“Kjo zyrë do të thithë të gjithë ata profesionistë të rinj që kanë mbaruar një fakultet në Shqipëri, të cilët duan të trajnohen e të vazhdojnë edukimin e tyre në fushat e filmit, siç mund të jetë regjia, skenari, zëri etj. edhe në universitetet më të njohura të Evropës me të cilët po lidhim marrëveshje për bursa”, tha Jorgji.

Një tjetër pikë e programit të QKK ku Jorgji ndaloi, ishte synimi për të rijetësuar më shumë se 10 salla kinemaje në shkallë kombëtare, përmes një marrëveshjeje që do të hartohet me bashkitë, ose dhe me Ministrinë e Pushtetit Vendor.

Jonid Jorgji tha se, ka salla kinemaje ku është investuar, por nuk janë funksionale. Për këtë arsye, do të trajnohen punonjësit e tyre si dhe kinematë do të furnizohen me filma shqiptarë.

Jorgji tha se ligji aktual është i vitit 1996 dhe ka shumë për të përmirësuar. Ai theksoi se kinematografia duhet parë jo vetëm si art por si industri, ku çdo qindarkë e investuar në rajon, përkthehet në 7 qindarka të ardhura, sepse industria audiovizuale ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në turizëm, ekonomi dhe degë të tjera.

Buxheti për vitin 2026 për QKK do të jetë 181,7 milionë lekë, nga 166,8 milionë lekë që ishte për 2025-ën.