Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Kujdesjes Sociale Klodiana Spahiu, kanë zhvilluar një vizitë në Shtëpinë e të Moshuarve “Sefer Dervishi” në Kavajë.
Gjatë vizitës, Balla dhe Spahiu janë takuar me të moshuarit, duke ndarë momente të ngrohta me gjyshet dhe gjyshërit e kësaj qendre.
Në fjalën e tij Balla theksoi rëndësinë e përkujdesjes dhe dashurisë ndaj moshës së tretë.
“Mosha e tretë ka nevojë për përkujdesje dhe dashuri. Siç na e dhanë kur na rritën. Këtu, në këtë qendër, bashkëpunimi mes shërbimit social që i përket qeverisë qendrore dhe qendrës që i përket qeverisjes vendore është shumë i mirë, por tani detyra jote e dashur Klodi, se të kam shoqe prej shumë vitesh është që në buxhetin e vitit të ardhshëm ta plan planifikosh një investim në këtë qendër. Do bashkojmë forcat bashkë, edhe ti e di që po i bashkyam forcat bashkë ja arrijmë. Por si e tha nëna këtu, "i humbi fëmijët në Otranto", por këtu më Kavajë ka gjetur familjen e re”, tha Balla.
Klodiana Spahiu në fjalën e saj tha se pas historive të tyre fshihet një jetë me sakrifica, kujtime dhe kontribute që meritojnë mirënjohje, respekt dhe kujdes të vazhdueshëm.
“Pas çdo historie të tyre ka një jetë të tërë, me sakrifica, kujtime dhe kontribute që meritojnë mirënjohjen dhe respektin tonë, por edhe kujdesin e vëmendjen që duhet t’u kushtojmë çdo ditë. U largova prej tyre me shumë mbresa, por edhe me një angazhim të qartë: Të rikthejmë dinjitetin e banesës së tyre, përmes restaurimit dhe përmirësimit të kushteve, që kjo shtëpi të jetë më e ngrohtë, më e përshtatshme dhe më dinjitoze për ta”, u shpreh ministrja Spahiu.











Komente
Komento