TIRANE- Nënkryetarit i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë ka denoncuar disa letra të ish-ministrave gjatë qeverisjes së kaluar, që lidhen me emërimet apo largimet nga puna në adminsitratë për motive politike.

Balla tha se “Po i filloj me radhë me disa dokumenta, të cilat besoj se është hera e fundit që nga arkiva e paudhësive të qeverisë së kaluar po i nxjerrim sot përsëri, për t’i kujtuar publikut se si janë sjell këta ish ministra me administratën publike për të cilën sot derdhin lot krokodili. Administratë të cilën ne duam ta mbrojmë më së fundi me një ligj të plotë, me një kuadër ligjor të plotë për vite me radhë. U ndërrofshin mazhorancat zgjedhje pas zgjedhjesh por të mos ndodh më ajo që ka ndodhur me administratën publike në tetë vitet e shkuara”.

Në një nga letrat, deputeti socialist i referohet Presidentit të Republikës, duke vijuar:

“Kam një letër tjetër këtu, kjo është më e rëndë akoma sepse personi që e dërgon sot është dhe President i Republikës në fakt . ‘PD Tiranë drejtuar zotit Sokol Olldashit, 12 tetor 2005. Dega e Partisë Demokratike Tiranë ju përcjell propozimet e grup seksionit numër 6 për largim nga puna të punonjësve të policisë, të poshtë shënuar. Këta persona janë të majtë të lidhur me drejtues të Partisë Socialiste dhe të LSI-së”. Vjen liista me emrat me radhë. Kam këtu një letër tjetër kjo është më turp akoma se e ka firmosur ministër, Ministri i Drejtësisë të asaj kohe, Aldo Bumci, se ky i bënte këto letrat kështu. Në përgjigje të ankesës, thotë, që më janë drejtuar dy punonjës të administratës publike të larguar nga puna, -“Marrëdhënia juridike e funksionarëve publikë merr fund për motive politike‘. Ja thotë ministri!”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)