TIRANE – Ngjarja e bujshme e bllokimit  në zonën e Divjakës të avionit me pilot italian dhe makinës me rreth gjysmë toni drogë pranë tij ka ngjallur debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin Hetimor për Lëvizjes në Polici.

Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla i është kundërpërgjigjur akuzave dhe ironisë të opozitës se "policia nuk ishte në aksion por se qeveria u kap në flagrancë pasi i ra droga mbi kokë”, me një fakt që sipas tij kërkon të hethet nga Prokuroria. Ai tha se nga janari i 2013-ës deri në shtator të 2013, kohë kur Partia Demokratike ishte në pushtet kanë marrë leje 90 avionë të fluturojnë në Shqipëri.


DEBATET OPOZITE-MAZHORANCE

Eduard Halimi: Sot qeveria ua kap në flagrancë dhe u thoka që policia është në krye të detyrës dhe në superoperacion ka kapur një avion me rrotë të prishur. Çfarë do bënit ju zoti Klosi në rast se asaj makine të atij shtetasit me gjysmë toni drogë dhe me 30 mijë euro në makinë, të mos themi se droga qënka ulur kur Shqipëria po shndërrohet në Kolumbi europiane

Gent Strazimiri: Nëse policia do të ishte në aksion s’do i kishin ikur dy makinat e tjera. Të bëhesh kamikaz në dinjitet për një gjë që nuk qëndron, sot qofshi ju që jeni që këtë e përfshini si sukses. Ironia e zotit Noka (duke iu referuar avionin prej letre) ishte krejtësisht me vend dhe mirë bëni që zverdheni. Ju hap droga mbi kokë dhe ju e quani sukses.

Taulant Balla: Është hera e parë që ky avion fluturon në Shqipëri, është hera e parë që tentoi të ulet në Divjakë dhe tentativa rezultoi e tillë. Akuzuat Forcat e Armatosura dhe duhet t’i kërkoni falje Forcave të Armatosura për njollën që i vutë. I bëj thirrje Prokurorisë që nga 1 janari 2013 deri në shtartor 2013 kanë marrë leje për të kryer fluturime në Shqipëri 90 avionë. Këto të hetohen. Që nga momenti i parë që avioni humbi kontaktin me radion Policia e Shtetit ka nisur punën për të parë ku do ulej ky avion. Ta lëmë Prokurorinë e Përgjithshme të bëjë hetimin. Mazhoranca që kur ka marrë këtë akuzë ka marrë vetë iniciativën për të ngritur një komision hetimor. Nëse ke informacione (duke iu drejtuar Nokes) shko në Prokurori dhe ndihmoje si çdo qytetar që ka informacion. U kap një avion i ulur po hetohet dhe i bëjmë thirrje Prokurorisë ta hetojë në mënyrë transparente. 

Flamur Noka: Kam një pyetje, ky operacion ishte aq shumë i suksesshëm saqë trafikanti kishte kohë të merrte në telefon karrotrecin në Lushnje dhe karrotreci erdhi dhe ngarkoi makinën para policisë?

Paulin Sterkaj: Pse mos të quhet i suksesshëm përderisa e kapi policia drogën? Nëse policia do ishte e implikuar nuk do ta kapte por policia ishte në krye të detyrës. 

Flamur Noka: Më e suksesshme se policia ishte karrotreci, droga nuk u kap u gjet nga banorët pastaj e kapi policia. 

Eduard Halimi: Policia edhe mund ta kishte lejuar të ikte droga, por kësaj rradhe ishte ndryshe. Këtë radhë qytetarët e kanë regjistruar me pamje që nga rrëzimi i avionit e deri tek shkarkimi i valixheve. U regjistrua i gjithë procesi. Sapo erdhi një foto tjetër ku duket avioni me çantat e drogës jashtë. 

LEVIZJET NE POLICI, PD: HIQNI DIDIN, RIHETONI PENGMARRJEN E 1999-ES
Largimi i Artan Didit nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe rihetimi i vrasjes së pengmarrësit Flamur Pisli dhe pengut gjatë vitit 1999 në autobusin e rrëmbyer nga Greqia drejt Shqipërisë, janë ndër kërkesat e anëtarëve të opozitës, në përmbyllje të hetimeve të komisionit hetimor për lëvizjet në Polici.

Kryetari i Komisionit Hetimor, deputeti demokrat Arben Ristani ka paraqitur para anëtarëve konkluzionet e këtij raporti përmes të cilit u kërkua lirimi nga detyra i Drejtorit të përgjithshëm të policisë së Shtetit me argumentin sipas tyre se nuk përmbush kriteret për emërimin në këtë detyrë. Ndërsa Prokurorisë së Përgjitshme iu kërkua të rihetohet roli i Didit në vrasjen e Flamur Pislit, pengmarrësit të autobusit me pasagjerë nga Greqia drejt Shqipërisë dhe vdekjen e pengut grek gjatë operacionit policor më 28 Maj të vitit 1999.

Sipas raportit të cituar nga Ristani, edhe zv.Drejtorit të Policisë Altin Qata nuk i plotëson kriteret, andaj duhet të lirohet nga detyra, ndërsa kërkoi rikthimin në detyrë të Muhamet Rrumbullakut. 

Opozita nga ky komision ka kërkuar rikthimin në detyrë të larguarve, sipas saj në kundërshtim me ligjin dhe lirimin nga detyra të atyre punonjsve që sipas tyre janë rikthyer në polici në kundërshtim me ligjin.
Përmes këtij raporti i kërkohet ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri të rishikojë strukturën e Policisë së Shtetit dhe të ngre një grup pune për situatën e kriminalitetit.

“Zoti Sokol Bizhga, zv/drejtori i Policisë së Shtetit nuk plotëson kriteret e parashikuar për të mbajtur këtë pozicion. Ndërsa disa drejtorë të policisë në qarqe, janë ripranuar në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi, po ashtu edhe disa shefa komisariatesh janë ripranuar në kundërshtim me rregullat ligjore në fuqi. 21 shefa komisariatesh nuk kanë gradën e duhur”, tha Ristani.

Për mazhorancën ku raport është i pavërtetë dhe i njëanshëm. 
Raporti i PS: PD të hetojë edhe Nishanin se si e emëroi Kuliçajn
Ristani: Didi vrau në '99 pengun e Pislit gjatë operacionit policor

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)