Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është takuar me bashkë-raporterët për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Ionuț-Marian Stroe dhe Paëeł Jabłoński ku në fokus kanë qenë reformat në vend.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Balla ka theksuar gatishmërinë e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën në avancimin e reformës zgjedhore dhe asaj administrativo-territoriale.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutuar ishte edhe nisma ligjore për referendumet. Sipas Ballës, kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, por që deri më sot nuk është bërë e zbatueshme për shkak të mungesës së një kuadri ligjor. Me këtë nismë, synohet që qytetarët të kenë mundësi reale të ushtrojnë drejtpërdrejt sovranitetin e tyre.
Balla nënvizon se Shqipëria vijon të garantojë dhe respektojë të drejtat e minoriteteve, ndërsa në fushën e lirisë së medias thekson se Kuvendi ka miratuar pak javë më parë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët.
Në përfundim, Balla nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në rrugën e reformave drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Postimi i plotë:
“Takimi me bashkë-raporterët për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Ionuț-Marian Stroe dhe Paëeł Jabłoński. Jemi të gatshëm të ecim përpara sëbashku me opozitën me reformën zgjedhore dhe atë administrativo-territoriale. Diskutuam edhe mbi nismën tonë ligjore për referendumet si forma e ushtrimit të drejtpërdrejtë të sovranitetit të popullit, një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, por e pamundësuar nga mungesa e ligjit. Shqipëria garanton dhe respekton të drejtat e minoriteteve, ndërsa sa i përket lirisë së medias Kuvendi miratoi pak javë më parë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët. Shqipëria vijon me vendosmëri në rrugën e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shkruan Balla.
Komente










