Balla: Më dënoi gjyqtari i Gërdecit
provë e besnikërisë ndaj Berishës

Balla: Më dënoi gjyqtari i Gërdecit<br />provë e besnikërisë ndaj Berishës
TIRANË - Deputeti socialist këtë herë ka reaguar nga Facebook mbi vendimin e Gjykatës së Tiranës, për ta gjobitur atë me 2 milionë lekë pas padisë së bërë nga djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha.

Balla shkruan se "akuzat e bazuara në deklarimet zyrtare të pasurisë së vetë Shkëlzen Berishës, i paskan shkaktuar djalit të Kryeministrit shqetësime mendore dhe se rregullimi mendor apo pastrimi moral i Shkëlzen Berishës kushtojnë 2 milionë lekë”.

Balla thotë se e dinte që në fillim dhe nuk kishte asnjë dyshim për vendimmarrjen duke e akuzuar Gjykatën e Tiranës se është kthyer "në një aneks të kuzhinës së punëve të pista të Sali Berishës”.

Deputeti socialist shtoi se vendimin ndaj tij e ka dhënë Ridvan Hado, të cilin ai e quajti një avokat të keqpërdorur.

"Gjyqtari Ridvan Hado, mbi të cilin rëndon barra e rëndë e mosdënimit të autorëve të tragjedisë së Gërdecit, kreu shërbimin e radhës ndaj familjes në pushtet. Pas një procesi gjyqësor tërësisht qesharak, ku gjyqtari prej ditës së parë u pozicionua qartë si një avokat i Shkëlzen Berishës, sot ky gjyqtar, Ridvan Hado, vendosi të vlerësojë se shqetësimet mendore të djalit të Kryeministrit Shkëlzen Berisha, të shkaktuara nga akuzat e mia për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm, kushtokan 2 milion lekë,” shkruan Balla në facebook.

Balla thotë se Hado megjithëse i bindur në vërtetësinë e provave të paraqitura për pasurimin e paligjshëm të djalit të Kryeministrit, veproi me qëllim marrjen në konsideratë të kërkesës së tij nga kryeministri për një vend të lakmuar në Gjykatën e Apelit apo të Lartë.

“Sepse në Shqipërinë e marrë peng nga Saliu, gjyqtarët promovohen në rangje më të lartë, vetëm pasi kanë dhënë prova besnikërie ndaj familjes. Ridvan Hado i dha qartë provat e besnikërisë, tani pret gradimin nga babai i Shkëlzenit. Këta lloj gjyqtaresh, me vendosjen në shërbim ndaj familjes në pushtet, mundohen të mbulojnë sigurisht edhe dosje të zeza vendimesh të padrejta dhe të njëanshme, në dëm të drejtësisë dhe të qytetarëve të thjeshtë. Sot për shkak të këtij gjyqtari pushtet-lëpirës biznesmenët dhe ushtarakët e korruptuar që vranë 26 shqiptarë në Gërdec bredhin të lirë nëpër kafenetë e Tiranës, ku takohen përsëri me trurin e fabrikës së Gërdecit: Shkëlzen Sali Berishën. Prandaj, vendosja e drejtësisë për tragjedinë e Gërdecit dhe për vrasjet e 21 Janarit, janë gurët e themelit të rilindjes së drejtësisë në Shqipëri,”  përfundoi Taulant Balla.

DENIMI I TAULANT BALLES
Gjyqtari Ridvan Hado deklaroi sot pranimin e padisë, detyrimin e të paditurit, Taulant Balla, t’i paguajë të paditurit, Shkëlzen Berisha, shumën prej 2 milionë lekësh si dëmshpërblim për dëmin jashtëkontraktor të shkaktuar. Detyrimin e të paditurit, Taulant Balla, të publikojë përgënjeshtrimin e deklaratave të tij, të datave 26 korrik 2012 dhe 19 dhjetor 2012, në pjesën ku citon paditësin, Shkëlzen Berisha”. Gjyqtari Ridvan Hado deklaroi se nga 5 milionë lekë gjobë, që kërkon në padinë e shkaktimit të dëmit Shkëlzen Berisha, gjykata vendosi të pranojë pjesërisht padinë, duke gjobitur Ballën me 2 milionë lekë gjobë.
Ky është dënimi i tretë me gjobë që i jepet Taulant Ballës nga gjykata e Tiranës, Ai është paditur edhe nga ministri Genc Pollo dhe nga zëvendës/drejtori i përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçaj.

Redaksia Online
(ma/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë