Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri (SAPC), Taulant Balla zhvilloi në Bruksel një takim me Raportuesin për Shqipërinë, Andreas Schieder.
Gjatë takimit, Balla falënderoi eurodeputetin Schieder për Draft-Rezolutën e publikuar nga Parlamenti Europian dhe për vlerësimin pozitiv të shprehur ndaj progresit të Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Në fokus të diskutimit ishte ecuria e negociatave të anëtarësimit dhe objektivi strategjik për përmbylljen e negociatave teknike brenda vitit 2027. Balla rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për të ruajtur ritmin e deritanishëm, duke theksuar hapjen e të gjithë grup-kapitujve në kohë rekord gjatë vitit të kaluar dhe gatishmërinë për të avancuar drejt mbylljes së kapitujve sapo të përmbushen kushtet përkatëse.
Në këtë kuadër, u vlerësua roli i Parlamentit Europian dhe i raportit vjetor për Shqipërinë si instrument orientues për thellimin e reformave, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, forcimit të institucioneve demokratike, luftës kundër korrupsionit dhe harmonizimit me acquis të BE-së.
Balla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian dhe për angazhimin personal të raporterit Schieder në ndjekjen e progresit të Shqipërisë, duke theksuar se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet dy parlamenteve mbetet thelbësor për një proces transparent dhe të bazuar në legjitimitet demokratik.
Në cilësinë e Bashkëkryetarit të SAPC, ai nënvizoi rëndësinë e dialogut të strukturuar parlamentar BE–Shqipëri dhe konfirmoi gatishmërinë për vijimin e bashkëpunimit në takimet e ardhshme në Strasburg.
Palët riafirmuan se zgjerimi i BE-së është faktor kyç për sigurinë dhe stabilitetin europian, ndërsa u theksua edhe përputhshmëria e plotë e Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të të Bashkimit Europian.
Komente











