Shqipëria dhe Britania e Madhe zotohen të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj tjetër kriminaliteti në një fushë të re.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla me homologun britanik James Cleverly firmosën në Londër dy dukemente të rëndësishme që kanë të bëjnë me qëndrimin e Përbashkët në Çështjet e Brendshme si dhe Memorandumin mbi asistencën e Britanisë së Madhe në fushën e shkencës ligjore
"Do ta ngremë në një nivel tjetër bashkëpunimin në fushën e punëve të brendshme me Britaninë e Madhe, të luftës kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj tjetër kriminaliteti, ky është qëlimi që do të vijojmë të ndajmë mes dy policive tona, informacione për luftën kundër krimit. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të konsiderohet si një vend i rëndësishëm partner. Puna e bërë nga pala shqiptare ka dhënë rezultate konkrete e të gjithëpranuara nga gjithë autoritetet britanike, nënvizoi ministri i Brendshëm Balla në një prononcim për median në Londër ku ndodhet në kuadër të takimeve zyrtare.
Ministri Balla shtoi se palët kanë njohur dhe vlerësuar punën dhe rezultatet e Policisë Shqiptare, kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm, duke ulur deri në 90% atë drejt Britanisë.
Gjithashtu ka bërë të qartë se nuk tolerojmë asnjë deklaratë denigruese për komunitetin shqiptar
“Kam qenë shumë i qartë në bisedën që pata me Sekretarin e Shtetit për Punët e Brendshme, z. Cleverly dhe me Ministrin për Migracionin z. Jenerick se komuniteti shqiptar këtu në Britaninë e Madhe është një urë lidhëse e marrëdhënieve të mira e strategjike mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Ne jemi shumë të qartë dhe nuk tolerojmë asnjë deklaratë denigruese ndaj komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe, ndërkohë që do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin në luftën kundër përfshirjes së qytetarëve shqiptarë në aktivitete kriminale"
Ai foli edhe për një propozim dhe gatishmërinë e palës sonë, që jua shprehu homologëve britanikë.
"Ne do të vijojmë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim në funksion të një fokusi dhe qasjeje rajonale tashmë. Eksperienca e fituar me Shqipërinë duhet ndarë dhe me vendet e tjera, ku Shqipëria është e gatshme të marrë një rol udhëheqës në këtë qasje rajonale", theksoi Balla.
Takimi me homologun britanik James Cleverly u bë në mbyllje të takimeve zyrtare në Britaninë e Madhe.