Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla mori pjesë në promovimin e librit “Në shërbim larg vendit tim: Jeta në vijat e para të frontit të Diplomacisë Amerikane”, të ambasadorit amerikan dhe mikut të shqiptarëve, Christopher R. Hill, përfaqësuesi i parë diplomatik nga Uashingtoni pas rënies së komunizmit në Shqipëri.
Christopher R. Hill është po ashtu një nga diplomatët amerikanë më të rëndësishëm për Ballkanin gjatë luftës në Kosovë.
Balla e cilësoi librin një dëshmi të vyer mbi diplomacinë ndërkombëtare, rolin e SHBA në Ballkan dhe kontributin e dialogut për paqen. Ai veçoi fragmente që i kushtohen zhvillimeve në Kosovë dhe përshkrimit të Hill për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke cituar:
“Këto takime të rastësishme ndihmuan shumë për nisjen e një procesi në të cilin UÇK-ja filloi të zbulohej më shumë rreth vetes… Pavarësisht se kush ishte në drejtim të UÇK-së, ajo po bëhej gjithnjë e më pak një çështje e Drenicës. UÇK-ja u instalua jo vetëm në Drenicë, por edhe në të gjithë Kosovën.” citon Balla një fragment të librit.
Sipas Ballës, ky qëndrim i qartë i një diplomati kyç amerikan rrëzon çdo përpjekje për të deformuar të vërtetën historike mbi luftën çlirimtare.
“Një dëshmi e drejtpërdrejtë, nga një aktor kyç i diplomacisë amerikane, që konfirmon se UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare mbarëkombëtare, e lindur si reagim ndaj dhunës dhe padrejtësisë, dhe jo produkt i interesave lokale apo personale. Një e vërtetë historike që nuk mund të deformohet dhe që përbën themelin e drejtësisë për Kosovën dhe luftën e saj për liri" shkruan Balla.
Një nga diplomatët e parë amerikanë që ka takuar dhe ka punuar me përfaqësuesit e UÇK-së, Hill muajin kaluar dëshmoi pro ish-komandantëve në gjyqin e tyre në Hagë.
Komente










