Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim në Kuvend me kryetaren dhe anëtarët e Komisionit për Turizmin të Bundestagut gjerman, ku në qendër të diskutimeve ishte zhvillimi i turizmit dhe forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në këtë sektor.
Gjatë takimit, Balla u ndal edhe te projekti i investimit në Zvërnec, për të cilin tha se synon të jetë një shembull i mënyrës se si investimet e mëdha ndërkombëtare mund të realizohen në Shqipëri në përputhje me standardet europiane.
Sipas Ballës, projekti po hartohet mbi parimet e investimit të përgjegjshëm, mbrojtjes së mjedisit dhe krijimit të vlerës së qëndrueshme për komunitetin dhe ekonominë vendase.
“Vija bregdetare dhe ekosistemet natyrore të Shqipërisë përbëjnë pasuri që duhen mbrojtur”, u shpreh Balla, duke theksuar se synimi është që projekti të përmbushë ose të tejkalojë standardet mjedisore të Bashkimit Europian.
Ai shtoi se një tjetër objektiv është që përfitimet ekonomike të investimit të mbeten në Shqipëri, përmes punësimit të forcës vendase, zhvillimit të aftësive profesionale, përfshirjes së bizneseve shqiptare në zinxhirin e furnizimit, si edhe rritjes së aktivitetit ekonomik afatgjatë në rajonin e Vlorës.
Gjatë takimit, Balla theksoi gjithashtu se në prill të vitit 2026, turistët gjermanë përbënin 8% të vizitorëve të huaj të akomoduar në strukturat turistike në Shqipëri.








Komente
Komento