Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla në takimin përmbyllës të fushatës në Librazhd, deklaroi se socialistët do të fitojnë thellë zgjedhjet e 25 prillit. Balla ka komentuar edhe ngjarjen në Elbasan, ku u vra Pjerin Xhuvani, duke thënë sesa kohë që Berisha e Meta janë në politikë, do prodhojnë dhunë.
“Mos bini pre e provokimeve, ju lutem. Ajo që ndodhi në Elbasan ishte rikthim në kujtesën e shqiptarëve se sa kohë që Berisha e Meta të jenë politikën shqiptarë gjithmonë do prodhojnë dhunë e do çojnë në humbjen e jetëve të njerëzve të pafajshëm. Socialistët do të fitojnë më 25 prill. Të mos çojmë asnjë votë dëm. Ta mbajmë frenën mirë tek 12-ta, poshtë 12-tës mos të bëjmë asnjë gabim”, tha ai.
Më tej Balla shtoi që duhen ndëshkuar me votë ata që ngrehin armët ndaj popullit.
“Zgjedhjet e 25 prillit janë më të rëndësishmet që Shqipëria ka pasur. 25 prill na ndan përfundimisht nga politikanët e së keqes. Ne do bëjmë shumë punë në mandatin e ri, që të çojmë përpara ndryshimin, të çojmë përpara reformën në drejtësi. Ata që vrasin natën dhe të qajnë ditën, ata ngrehin armët ndaj popullit, nuk do ia hedhin paq. 25 prilli është dita kur do marrim rezultatin më të lartë që kemi marrë ndonjëherë”, përfundoi ai.