Balla: Skandal! Basha 1 mln $
në SHBA për lobim, të nisë hetimi

Balla: Skandal! Basha 1 mln $<br />në SHBA për lobim, të nisë hetimi<br>

Partia Demokratike rezulton të ketë paguar plot 825 mijë USD për lobim në Uashington gjatë periudhës mars-qershor 2017. Partia Socialiste, duke ju referuar të dhënave të Departamentit Amerikan i Drejtësisë, thotë se tre kontrata të majme, përfshirë dhe një kompani off-shore, nuk janë deklaruar në raportimin financiar zgjedhor pranë KQZ-së.

Por çfarë përmbajnë këto kontrata? Dy kontrata janë lidhur në muajin mars me kompaninë ‘Stonington Strategies’, me qëllim që kjo kompani t’i siguronte Bashës takime të nivelit të lartë me administratën e Trump, takim me kongresmenë dhe intervista të Bashës ne mediat amerikane.

Pagesa është bërë në dy këste, njëra paguar drejtpërdrejt “Stonington Strategies” dhe tjetra për një kompani ndërmjetëse, “Biniatta Trade LP”, e njohur si parajsë fiskale. Më 22 Mars, gjatë vizitës së tij në Uashington, Lulzim Basha ka firmosur një kontratë me kompaninë e lobimit “Stonington Strategies” me vlerë 25 mijë USD në muaj për një periudhë tre mujore.

Sipas të dhënave të deklaruara nga “Muzin Capital Partners LLC” në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, qëllimi i kësaj kontrate ishte “projektimi dhe implementimi” i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare; promovimi i qëllimeve të Partisë Demokratike në media dhe pranë bizneseve dhe figurave politike në SHBA. “Muzin Capital Partners LLC” ka raportuar në Departamentin e Drejtësisë një pagesë prej 525 mijë USD nga Partia Demokratike.

Pagesat e Partisë Demokratike për ‘Muzin Capitol Partners’ nuk përfshihen në raportin e saj të shpenzimeve elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit të dorëzuar në KQZ, sikundërse nuk raportohen as dy kontratat e tjera me ‘Stonington Strategies’. Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla ngre dyshime për origjinën e parave, duke thënë. 

Numri dy i socialistëve kërkon që Basha të mbajë përgjegjësi se pse nuk i ka deklaruar këto shpenzime. Në raportin e saj pranë KQZ, Partia Demokratike ka deklaruar vetëm pagesat për dy kontrata lobimi me kompaninë “Barnes and Thornburg LLP” në vlerën e 12.5 milionë lekëve.

Deklarata e plotë e Taulant Ballës
Një fakt i rëndë është bërë publik sot, e që hedh akuza për përdorim parash nga burime të paligjshme, nga një parti politike në Shqipëri. Një total prej 1 milion dollarësh qenka paguar nga Partia Demokratike e Shqipërisë vetëm gjatë vitit 2017. Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në kuadër të zbardhjes së kontratave të kompanive të lobimit, ka hapur edhe dosjen e transfertave 1 milion dollarëshe të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me përgjegjësinë e Lulzim Bashës; një pjesë e tyre të kryera prej një kompanie offshore.

Të dhënat e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përmes rrjetit të Reporterëve Investigativë të Ballkanit, tregojnë se pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të marsit 2017 nga Partia Demokratike dhe një kompani e dyshimtë, e regjistruar në Skoci me emrin "Biniatta Trade LP", të cilat kapin vlerën 675 mijë dollarëve dhe ku përfshihen edhe tarifat mujore të firmës, si dhe pagesat për shpenzimet e saj. Ja dhe pagesat, ku duket qartë edhe emri i Partisë Demokratike, edhe emri  "Biniatta Trade LP".

Në 24.03.2017 janë paguar 115 mijë dollarë; në 27.03.2017 Partia Demokratike e Shqipërisë ka paguar 25 mijë dollarë, dhe më 09.06.2017 kanë kaluar edhe 500 mijë dollarë të tjera nga Partia Demokratike. Gjithashtu, Partia Demokratike ka pasur edhe një kontratë të drejtpërdrejtë me “Stonington Strategies”, që është pjesë e kompanisë “Muzin Capital Partners LLC”, e cila është raportuar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë dollarë dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD.

Më 22 mars 2017, kur Lulzim Basha dhe deputetët e atëhershëm të tij ishin në çadër, gjatë vizitës së Lulzim Bashës në Washington, kryetari i Partisë Demokratike ka firmosur një kontratë me kompaninë e lobimit “Stonington Strategies” me  vlerë 25 mijë dollarë. Sipas të dhënave të zbardhura nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për “Muzin Capital Partners LLC”, qëllimi i kësaj kontrate është pikërisht projektimi dhe implementimi i fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017, si dhe promovimi i qëllimeve të Partisë Demokratike në media dhe pranë bizneseve e figurave politike në SHBA.

Gjithashtu sipas kësaj kontrate, “Muzin Capital Partners LLC” raporton se do të ndihmonte Partinë Demokratike në krijimin e një lëvizjeje konservatore në Shqipëri. Dy ditë përpara se të firmoste këtë kontratë me Lulzim Bashën, më 20 mars 2017, “Muzing Capital Partners LLC” ka nënshkruar edhe një kontratë me një kompani shumë të dyshimtë: “Biniatta Trade LP”, e cila angazhohet të paguajë 450 mijë dollarë për një periudhë tremujore, si dhe një pagesë shtesë me 150 mijë dollarë të tjera për sigurimin e disa takimeve ose pjesëmarrjen në disa pritje në Washington.

Përveç dy kontratave të lidhura me “Stonington Strategies”, gjatë të njëjtës periudhë Partia Demokratike paska lidhur edhe një kontratë me kompaninë lobiste “Barnes and Thornburg LLP” në fillim të prillit, me vlerë 150 mijë dollarë. Në total, shpenzimet e PD nën përgjegjësinë e Lulzim Bashës për lobistët në Washington, për periudhën mars-qershor 2017 kapin vlerën e plotë 825 mijë dollarëve, shumë herë më e lartë sesa të gjitha të ardhurat totale që Partia Demokratike ka deklaruar në KQZ.

Nga çfarë është bërë publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, rezulton se kontrata e “Biniatta Trade LP” është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar vetëm para pak ditësh. Jemi në kushtet e rënda të shkeljes së ligjit nga ana e Partisë Demokratike, nën përgjegjësinë personale dhe juridike të Lulzim Bashës: sepse me qëllim është fshehur pagesa prej më shumë se 1 milionë dollarësh në totalin e gjithë këtyre shifrave.

Në dëm të pozicionit të Partisë Demokratike dhe personalisht Lulzim Bashës, është edhe deklarata e shpenzimeve që Partia Demokratike ka deklaruar në KQZ, ku shumat e mësipërme as nuk figurojnë fare në shpenzimet e deklaruara nga Partia Demokratike; po të kemi parasysh që nga marsi deri në qershor të vitit 2017 kemi qenë në kushtet e deklarimit të çdo shpenzimi që partitë politike kryejnë përgjatë fushatës zgjedhore.

Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë raport të depozituar në KQZ, gjithçka cituam më sipër nuk është parë e deklaruar. Kjo rëndon tërësisht pozicionin ligjor dhe krijon bazë të qëndrueshme për akuzë për sa i përket fshehjes së deklarimeve të detyrueshme që Partia Demokratike dhe personi përgjegjës Lulzim Basha kanë kundrejt ligjit.

Për transparencë të publikut, shpenzimet e Partisë Demokratike për fushatën zgjedhore të 25 qershorit raportohen vetëm 500 mijë dollarë. Ndërkohë shpenzimet e përmendura më sipër, pra 500 mijë dollarë që janë kryer në çdo cep të Shqipërisë, në çdo takim elektoral, në çdo miting, në çdo media, janë mesatarisht dy herë më pak sesa shpenzimet e kryera nga Partia Demokratike përmes një kompanie offshore në transferta tek disa kompani lobingu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një pjesë e mirë e këtyre të ardhurave, më shumë se 58 milionë, Partia Demokratike deklaron se i shpenzoi për fushatën zgjedhore. Kujtoj që nga KQZ, përmes buxhetit të shtetit, PD është financuar me shumën prej 88 milionë lekësh. Pra sikur të gjithë shumën e financuar nga shteti ta kishte përdorur për këto pagesa, Partia Demokratike mund të përballonte vetëm gjysmën e transfertave që ka kryer për në SHBA, edhe sikur të mos kishte kryer asnjë shpenzim tjetër për të gjithë fushatën e zgjedhjeve të 25 qershorit. 

Për mbarë opinionin publik, për ne, për mediat, për KQZ, për prokurorinë, duhet që menjëherë Lulzim Basha të sqarojë:

1.     Ku i ka gjetur Partia Demokratike dhe Lulzim Basha këto shuma marramendëse parash? 1 milion dollarë? Këta dhe ky që flet çdo ditë për para të pista e vota të blera, ku i ka gjetur 1 milionë dollarë?

2.     Pse Partia Demokratike e Shqipërisë ka përdorur llogaritë e një kompanie offshore për të bërë pagesa në emër të Partisë Demokratike? Shërbimi është për Partinë Demokratike, pagesat janë kryer nga kompani offshore, të regjistruara në një nga ishujt e Amerikës Qendrore, në Belizë.

3.     Cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë ‘Biniatta Trade LP,’ e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë - një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale.

4.     Në emër të kujt është e regjistruar kjo kompani në Belizë?

5.     A ka dijeni Lulzim Basha se kush janë personat nga Shqipëria që kanë transferuar para në llogaritë e kompanive offshore në Belizë, dhe më pas nga Amerika Qendrore këto para kanë kaluar tek kompania “Binniatta Trade LP” në Edinburg, e më pas për të përfunduar në pagesa për llogari të Partisë Demokratike në Amerikë?

6.     Kush janë lidhjet e Lulzim Bashës me këta persona që kanë derdhur para në këtë llogari?

7.     A është financuar Lulzim Basha dhe Partia Demokratike nga para të pista, nga persona të dyshuar për veprimtari kriminale në gjithë këtë transaksion?

Është urgjencë edhe për shkak se faktet janë bërë publike, sepse personat e dyshuar që zotërojnë llogaritë në Belizë mund t’i mbyllin ato llogari, ashtu siç funksionojnë këto parajsa fiskale.

Në mënyrë të menjëhershme, Prokuroria nuk duhet të vonohet por të fillojë menjëherë hetimin, sapo ky fakt është bërë publik nga rrjeti i Reporterëve Investigativë të Ballkanit. Jemi përpara një skandali të rëndë financiar me burime shumë të dyshimta parash, nga të cilat është financuar Lulzim Basha dhe Partia Demokratike.

Njësia e Inteligjencës Financiare të fillojë menjëherë hetimin e lidhjeve financiare, të transfertave nga Shqipëria drejt Belizës, nga Beliza në Edinburg, e gjetkë.

Lulzim Basha, i cili edhe para pak minutash nuk hezitoi të bëjë, siç e bën gjithmonë, prokurorin, hetuesin, policin, apo gazetarin, duhet të vihet menjëherë në dispozicion të drejtësisë dhe sipas ligjit, si personi përgjegjës, të shpjegojë burimin e 1 milion dollarëve.

Ne do t’i shkojmë kësaj dosjeje deri në fund. Të dhënat e deritanishme janë tronditëse për burimet e financimit të një partie politike në Shqipëri. 1 milion dollarë vetëm në tre muaj! Lulzim Basha duhet të sqarojë menjëherë përgjegjësitë e tij dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë.

Taulant Balla
Taulant Balla
Dokumentet e publikuara nga Taulant Balla

dy.b/shqiptarja.com

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja