Balla tha se i qëndrojnë ndarjes aktuale territoriale, Çupi: E papranueshme, PS jep vendimin ndërkohë që Komisioni vijon punën

Bashkëkreytarja e Komisionit të Reformës Territoriale, Dhurata Çupi ka komentuar në mbledhjen e sotme deklaratën e kreut të Grupit të PS, Taulant Balla se i qëndrojnë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe. Çupi tha se është e papranueshme që PS të japë një vendim përfundimtar për ndarjen territoriale në një kohë që puna në komision vijon. Sipas Çupit, deklarata e Ballës është e qëllimshme për të dëmtuar punën e komisionit.

Bashkëkryetarja Çupi tha se PD është e vendosur që të prezantojë draftin e ndryshimeve territoriale që do të jetë e gjitha në shërbim të qytetarëve, ndërsa kërkoi nga maxhoranca që të mos e shohë ndarjen territoriale si një reformë që të marrë në tavolinë zgjedhjet. Sipas Çupit, PS nuk ka vullnet për t’iu ofruar qytetarëve një ndarje të re territoriale, ndërsa iu bëri thirrje që të gjejnë gjuhën e përbashkët.

“Ishte domosdoshmëri që ndarja territoriale duhet rishikuar. Refuzoj të pranoj deklaratën e kreut të grupit PS, Taulant Ballës, që nuk do ketë ndryshime pa mbaruar punën komisioni. Ne kemi punuar me dëgjesa, kemi marrë opinione dhe materiale të vlefshme nga ekspertët, kemi bërë takime, diskutime, me OSBE, me organizata ndërkombëtare dhe dhënia e vendimit nga PS në mes të punës së komisionit, është e papranueshme. E qëllimshme për të dëmtuar punën e këtij komisioni, që nxori që reforma e 2014 ka dështuar. Vetë kanë pranuar që shumë bashki janë në prag falimenti, por nga ana tjetër dalin me një vendim politik. Është një reformë që do ti shërbejë vetëm qytetarëve shqiptarë dhe nuk duhet të shikohet si një reformë për të marrë zgjedhjet në tavolinë, siç kanë deformuar deri tani vullnetin e shqiptarëve. Mungesa e vullnetit të maxhorancës për ti dhënë qytetarëve një reformë të gjithë pranuar. Ju bëj thirrje të gjejmë gjuhën e përbashkët”, tha Çupi.

Komisioni i Reformës Territoriale u mblodh ditën e sotme, ndërsa pati debate mes PD dhe PS për caktimin e datës se kur do të thirren në dëgjesë bashkitë, KLSH dhe Ministra e Brendshme. PS pretendonte se nuk është e nevojshme që të thirren më bashkitë, pasi kanë marrë opinionet e disa prej tyre, ndërsa thonë se është më i rëndësishëm këndvështrimi i ekspertëve.

Në fund u ra dakord që ditën e nesërme të ftohen në dëgjesë KLSH dhe Ministria e Brendshme, bashkitë ditën e mërkurë, ndërsa ekspertët të premten. Çupi tha se brenda datës 30, PD do të dorëzojë draftin me ndryshimet që propozojnë për reformën territoriale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:07
Kryebashkiakët nuk shkojnë për dëgjese te ‘Territorialja’, Korreshi: Marrin urdhër nga PS! Pak seriozitet, u ka thirrur parlamenti jo roja

 

Kryebashkiakët e Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit, nuk ka kanë shkuar në Komisionin e Reformës Territoriale dhe kjo është bërë shkak për debat mes maxhorancës dhe opozitës. Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi akuzoi PS se i merr në telefon kryebashkiakët dhe u jep urdhër që të mos vijnë në Komsion.

Pjesë nga debati:

Eduard Ndreca: Për dëgjesë në efekt të Komisionit, besoj se dëgjesa e kryetarëve të bashkive nuk ka efekt. Ne i kemi propozuar bashkitë që do vinin, nga më e vogla te më e madhja për të parë sesi kanë funksionuar me reformën. Kemi rënë gjithë dakord, ramë dakord edhe për Shkodrën, nuk erdhi. Ne e kemi marrë mesazhin nga ekspertët kryesish.

Saimir Korreshi: Duke qenë se Ministri i Brendshëm meqë është marrë me reformën, meqë para ca vitesh e bëri si e deshi, të vijë e të na dëgjojë dhe neve. Po i thërret parlamenti, nuk është se ne jemi roje dhe su përgjigjkan institucionet. Nuk e shoh kaq të sikletshme, as kemi rrahur kryetarët e bashkive.  Ata nuk vinë se i thoni ju mos hajdeni. Që të mos vi ministria e Brendshme këtu që ka qenë, bëri paçavure reformën, kjo nuk shkon, të sjelli një atje, roje, ai që fut njerëzit brenda te ministria të thotë nuk bëhet, pak seriozitet dhe mos të vijë një përfaqësues.

Ora 12:58
Kryebashkiakët e Durrësit dhe Elbasanit s’shkojnë te ‘Territorialja’, Çupi: Kanë hallin e inceneratorëve! PS: Pse na revoltoni

 

Me debate u zhvillua ditën e sotme mbledhja e Komisionit të Reformës Territoriale. Opozita kërkoi paraqitjen në Komision të kryebashkiakëve të Shkodrës, Durrësit e Elbasanit, ndërsa sipas maxhorancës nuk është e nevojshme që të dëgjohen. Bashkëkryetarja e Komsionit, Dhurata Çupi i tha anëtarëve socialistë se ua dinë hallin përse nuk vijnë, pasi Durrësi e Elbasani kanë frikë se mos iu dalin aferat e inceneratorëve. Ndërkohë, iu përgjigj anëtari i PS, Baftjar Zeqaj, i cili tha se nuk duhet të përmendin çështje që revoltojnë socialistët.

Është zhvilluar me debate mbledhja e sotme e Komisionit të Reformës Territoriale. Anëtarët e opozitës kanë kërkuar paraqitjen në komision të të kryebashkiakëve të Durrësit dhe Elbasanit për të dhënë opinionet e tyre. Sipas opozitës, këta të fundit edhe pse janë thirrur nuk kanë ardhur.

Pjesë nga debati

Dhurata Çupi: Ndër bashkitë e thirrura ishte Durrësi dhe Elbasani, ku janë? Pse nuk vjen Durrësi dhe Elbasani apo se kanë hall se u dalin ato të inceneratorëve. Pse nuk vjen Durrësi dhe Elbasani? Nëse juve jeni bërë pishman që këto dy bashki të vinë këtu dhe të pyetën është çështja juaj. Ju e keni miratuar në listë që Durrësi dhe Elbasani duhet të vinë. Thirrini të vinë

Baftjar Zeqaj: Nëse doni bashki të tjera, bujrum

Dhurata Çupi: Ju i keni thirrur, ndër të tjera kanë qenë Durrësi dhe Elbasani, pse nuk vijnë? Ju i keni thirrur

Baftjar Zeqaj: Mos interpreto gjëra që ne na revoltojnë

Dhurata Çupi: Ju revolton Durrësi dhe Elbasani

Baftjar Zeqaj: Ju keni dëshirë të devijoni nga tema. Ne sot erdhëm duke konkluduar, ministria e Brendshme, KLSH dhe bashkitë që doni ju

Anila Denaj: Pse e keni problem që të vijnë javën tjetër, nesër kemi ministrinë e brendshme dhe nëse na del koha për KLSH. Ne nuk e shikojmë të nevojshme përveç faktit që ju doni të bëni debat politik. Që ne refuzojnë të vijnë, ftojini. Jemi duke përcaktuar vetëm kalendarin.

Dhurata Çupi: Këtu nuk është pazari i Klosit. Kemi një listë të bashkive që do të thërriteshin, nuk thërrasim sipas qejfit. Ata që kanë ardhur i kemi dëgjuar, dy bashkitë që nuk kanë ardhur akoma janë shqetësim i opozitës se përse nuk vijnë. Nëse ju nuk duket abuzim me inceneratorët, nuk iu duket e vlefshme që ata të vijnë. Sa për afatin që ata të vijnë në javën tjetër duhet t’i qëndroni korrekt.

Anila Denaj: Deri në datë 30 mund të bëjmë dëgjesa.

Dhurata Çupi: Të martën dhe të mërkurën t’i mbyllim të gjitha dëgjesat. Të mërkurën të vijnë Shkodra, Durrësi dhe Elbasani, më pas t’ua lëmë ekspertëve.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari