Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kërkoi që Reforma Zgjedhore të përmbyllet brenda afateve, duke theksuar se detyrimet që Shqipëria ka përpara Bashkimit Europian janë detyrime të Kuvendit si institucion dhe jo vetëm të mazhorancës.
Për çështjen e rajoneve, ai u shpreh i hapur për diskutime me opozitën, përfshirë mundësinë e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa theksoi se ndarja administrative për zgjedhjet vendore të prill-majit 2027 do të bëhet me 46 bashki. Ai ftoi gjithashtu PD-në të bashkëpunojë për hartimin e ligjit për referendumet.
I pyetur për propozimet për rikthimin e balotazhit në zgjedhjen e kryetarëve të bashkive dhe për listat 100% të hapura për këshilltarët bashkiakë, Balla deklaroi se personalisht është kundër balotazhit dhe se zgjedhjet duhet të zhvillohen në një raund të vete.
Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku: Reforma Zgjedhore do të përfundojë e njëanshme, njësoj si Reforma Territoriale, zoti Balla?
Taulant Balla: Unë shpresoj shumë që Reforma Zgjedhore të mos jetë e njëanshme, por dua t’i kujtoj Partisë Demokratike se po afrohet afati përfundimtar i këtij komisioni, që është fundi i nëntorit. Është mirë që, të paktën për çështje për të cilat jemi të gjithë dakord dhe ku edhe ata janë dakord me ne, sepse tani u bënë 30 vite që ngrihen komisionet e posaçme të Reformës Zgjedhore, ta përfundojmë punën.
Opozita duhet të kuptojë se detyrimet e Shqipërisë përballë Brukselit nuk janë vetëm detyrimet e Partisë Socialiste apo të shumicës qeverisëse, por janë detyrime të Kuvendit si institucion. Ti nuk mund ta mbash peng Reformën Zgjedhore për axhendën tënde politike të ditës. Unë mendoj se, sa i përket axhendës europiane, ne duhet të kemi dakordësi”, tha mes të tjerash Balla.
Lajmi kryesor:
Faza e dytë e Territoriales, PD drejt bojkotit të komisionit për kompetencat e bashkive? Balla: Reflektoni! Mos mbani peng as ‘Zgjedhoren’





