Ballkani i Hapur si mundësi për punëtorët, ekspertët në Maqedoninë e Veriut: Të analizohet mirë tregu i punës dhe të përfshihen të gjitha shtetet

Ballkani i Hapur si mundësi për punëtorët, ekspertët në Maqedoninë e Veriut: Të analizohet mirë tregu i punës dhe të përfshihen të gjitha shtetet

Përfaqësues nga Odat Ekonomike në Maqedoninë e Veriut thonë se para se të vihet në zbatim marrëveshja për lëvizjen e lirë të punëtorëve, fillimisht duhet bërë një analizë e mirë e tregut të punës, në gjithë rajonin, që Maqedonia e Veriut të mos vijë në një situatë që t’i largohet e gjithë fuqia punëtore.

Reagimi pason marrëveshjen për lëvizjen e lirë të punëtorëve, të firmosur nga ana e ish-kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e shtatë të Iniciativës për Ballkanin e Hapur, mbajtur më 20 dhe 21 dhjetor në Tiranë.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, punëtorëve nga Maqedonia e Veriut u mundësohet të punojnë lirshëm në Serbi dhe Shqipëri dhe qytetarët e tyre të konkurrojnë në tregun maqedonas të punës. Shqipëria dhe Kosova tashmë kanë një marrëveshje të këtillë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë takimit të nismës "Ballkani i Hapur" në Tiranë më 21 dhjetor.

Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se parësore është që të përfshihen të gjitha shtetet e rajonit dhe jo vetëm tri shtete: Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia.

“Në parim vlerësojmë se marrëveshja e fundit me të cilën mundësohet lëvizja e lirë e fuqisë punëtore është e duhur, mirëpo vlerësojmë se pak është (hap)i shpejtuar pasi dihen se si janë kapacitetet administrative të këtyre vendeve. Dhe, rrjedhimisht, kjo mund të vërë në pikëpyetje zbatimin e marrëveshjes”, thotë Iseni.

Sipas tij, iniciativa ka anën pozitive pasi do të kontribuojë në masë të theksuar në motivimin e punëtorëve të investojnë në ngritjen e shkathtësive të tyre profesionale.

“Pozitive është në aspektin e ngritjes së kapaciteteve profesionale të vetë fuqisë punëtore. Por, problematike mbetet se te ne nuk kemi një analizë krahasuese të fuqisë punëtore në treg për të bërë krahasime se ku jemi ne dhe ku janë vendet e rajonit”, thotë Iseni duke ngritur dyshime se kjo marrëveshje do të arrijë të zbatohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Në bazë të të dhënave zyrtare, paga mesatare në Serbi është 555 euro, në Maqedoni 474 euro dhe në Shqipëri 468 euro.

Duke pasur për bazë këto të dhëna, Mile Boshkov nga Konfederata e Punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se në saje të kësaj marrëveshjeje do të rritet kapaciteti dhe lëvizshmëria e punëtorëve, por shton se e gjithë kjo duhet të rregullohet saktësisht në aspektin juridik, që të mos lihet vend për manipulime, pasi siç thekson, i gjithë ky aktivitet është shumë kompleks.

“Është shumë fisnike, ideja është e madhe, e hap tregun e punës, do të thotë më pak barriera në lëvizjen e punëtorëve dhe më shumë mundësi për ta. Por, gjithësi kjo kërkon të rregullohet mirë për të mos lënë hapësirë që dikush të manipulojë”, thotë Mile Boshkov.

Ai shton se duhet pasur kujdes që të mos ulet kostoja e punës duke importuar punëtorë nga vendet e rajonit, në mënyrë që të mos shkaktohet largimi i punëtorëve nga Maqedonia e Veriut jashtë vendit.

“Do të jetë e pashmangshme dhe thelbësore që të rregullohet çmimi i punës, orari i punës. Nëse ne kemi nevojë për punëtorë të kualifikuar në një aktivitet të caktuar nga Shqipëria apo Serbia, apo ata kanë nga ne, vetë kostoja e punës do të diktojë çmimin dhe ndoshta kjo është një mundësi për t’i përmirësuar kushtet e punës dhe nivelin e pagesës pra në mënyrë indirekte për të zgjidhur disa çështje të tjera”, nënvizon Boshkov.

Qeveria e Maqedonisë se Veriut pas miratimit të marrëveshjes rreth kushteve për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor në mes të dhjetorit, ka theksuar se bazë të kësaj marrëveshjeje thjeshtësohen procedurat për qasje të barabartë në tregun e punës në rajon, sipas shembullit të BE-së.

Para se të hyjë kjo marrëveshje në fuqi, e cila do t'u mundësojë qytetarëve të të tri vendeve të lëvizin lirshëm dhe të punojnë në secilin prej tyre, duhet të ratifikohet në parlamentet përkatëse, atë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

“Në këtë mënyrë ne lidhim burimet tona njerëzore, konsolidojmë tregun tonë, lidhim ekonomitë, bëhemi më konkurrues, më të fortë dhe akoma më të gatshëm për zhvillim të mëtejshëm. Ne lidhemi me qëllimin e qartë, të hapur dhe publik të popujve tanë për t’i ndier përfitimet e menjëhershme ekonomike të lehtësimit që ne ofrojmë. Përfitimet së shpejti do t'i ndiejnë mijëra familje në rajon”, tha Zoran Zaev gjatë takimit të Samitit të Ballkanit të Hapur, para largimit nga posti i kryeministrit.

Edhe agjencitë që ndërmjetësojnë për punësim, thonë se vendet e rajonit bëhen gjithnjë e më atraktive për punësim.

Të dhënat nga Agjencitë e Punësimit në Maqedoni, Serbi dhe Shqipëri tregojnë se në të gjitha këto vende mungon personeli mjekësor, kateringu, stafi i kualifikuar ekonomik, punëtorët e kualifikuar në ndërtimtari etj./REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!