FIER - Një sherr me thika është shënuar mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:30 në oborrin e shkollës së mesme “Dervish Hekali” në qytetin e Ballshit. Taulant Xhafaj, 15-vjeçari nxënës i kësaj shkolle është plagosur me thikë nga Dardan Hasani, 18 vjeç ish-nxënës i shkollës “Dervish Hekali”.

Plagosja është shënuar në momentin kur nxënësit do të hynin në klasë dhe korrespondenti i TV A1 Report, Kristaq Thano informon se sherri shkaktoi panik dhe frikë në shkollë.

SHERRI PËR NJË CIGARE

Një cigare që 18-vjeçari i ka kërkuar Taulantit mendohet se ka qenë fillesa e sherrit. Duket se Taulanti nuk ka pranuar t'i japë cigaren. Më pas debati me fjalë është acaruar në përleshje deri në përdorimin e thikës. Sherri i nisur përjashta oborrit të shkollës ka vazhduar brenda tij duke shkaktuar panik dhe frikë pasi në ato momente të gjithë nxënësit po futeshin në klasë. 

15-vjeçari është plagosur me thikë në të dyja këmbët, ndërkohë që edhe 18-vjeçari Hasani mësohet se ka plagë të shkaktuara me thikë.

Taulant Xhafaj është dërguar në spitalin e Fierit dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Burime nga Spitali bëjnë të ditur se aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Policia i ka vënë prangat Dardan Hasanit, i cili aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

(sg/shqiptarja.com)