TIRANË- Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar sërish për marrjen e Belinda Ballukut të pandehur nga SPAK.

Bardhi shkruan se marrja e pandehur e ka përcaktuar tashmë fatin e saj politik, duke shtuar se kryeministri Edi Rama nuk mund ta mbrojë më.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhit shkruan se edhe kaq kohë sa po i jepet, Rama po e bën për të mbrojtur veten dhe jo Ballukun.

“Marrja e pandehur e Belinda Ballukut e ka përcaktuar fatin e saj politik. Me apo pa dorëheqje, me apo pa shkarkim, në varësi të negociatave të palëve mafioze në qeveri, Belinda Balluku nuk është një rast individual. Ajo është simboli i qeverisjes Rama - arrogante dhe e korruptuar. Megjithë zemërthyerjen e madhe, as Edi Rama, palloshi i gjatë, siç e tall Belinda me vartësit e vet, nuk mund ta mbrojë më krahun e tij të djathtë të punëve të pista. Edhe kaq kohë sa po i jep, po e bën për të mbrojtur veten, jo Belindën”, shkruan Bardhi.

Deputeti demokrat thotë se Balluku nuk ka ngrënë dardha dhe kumbulla pas shpinës pa dijeninë e kryeministrit Rama.

‘Të gjithë e dinë se Belinda Balluku nuk ka ngrënë dardha dhe kumbulla pas shpinës së Ramës pa dijeninë e tij. Ajo u bë hija e pushtetit të Edi Ramës, sepse mori përsipër të firmosë çdo aferë korruptive të shefit.  Prandaj, pyetja sot nuk është çfarë do të ndodhë me një ministre të marrë të pandehur për shkelje të barazisë në tendera. Pyetja është çfarë do të bëjë një kryeministër që e ka mbrojtur dhe ka ndarë me të përfitimet e pushtetit’, shkruan ai.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë u mor zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Numri dy i qeverisë ishte të premten (31 tetor) në SPAK, ku prokurori Dritan Prençi i komunikoi akuzën ‘Shkelje e Barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” për tunelin e Llogarasë.