Kreu i PD Sali Berisha ka publikuar denoncimin e një qytetari dixhital, lidhur me Pamela Qirkon, motrën e Belinda Ballukut, të cilin kjo e fundit e kishte zgjedhur si mbrojtëse ligjore sot në SPAK ku iu komunikua akuza lidhur me Tunelin e Llogarasë.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se motra e Ballukut, Pamela Qirko, është regjistruar si avokate vetëm ditën e sotme, 'kur nuk u arrit anullimi i akuzës ndaj Ballukut'.
Postimi i plotë:
'Përshëndetje dr. Kush mund të më sqarojë se çfarë veprimtarie ushtron subjekti Pamela Qirko, pasi Qendra Kombetare e Biznesit e evidention si subjekt tregtar pa objekt veprimtarie. Nëse ushtron shërbime juridike përfshirë edhe avokatinë, pse nuk pasqyrohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit? Avokat i paregjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit a mund të ushtrojë aktivitet dhe të deklarohet si i tillë para organeve të drejtësisë?
Ps. Pamela është regjistruar vetëm sot kur nuk u arrit anullimi i akuzës ndaj Lubisë. Pamela nga Altin Troplini thirret me nderim “Shefe”! Kjo sepse Pamela shefja ka bërë vetingun e tij me 4 shtëpi banimi, 3 të regjistruar në emër të tij, kurse në të katërtën banon me qira tek vjehrri. Ndaj dhe Altin Troplini e mbajti 3 muaj dosjen e Lubisë, motrës së “Shefes”?!.
Sipas dokumenteve në QKB, Pamela rezulton të jetë regjistruar si avokate një ditë më parë. Ajo që e bën situatën më paradoksale është fakti se Pamela Qirko, përpara se të vishej me rrobën e avokates, ka qenë kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) institucioni që dikur shkarkonte gjyqtarë e prokurorë për mungesë integriteti. Me firmën e saj janë shkarkuar 56 përfaqësuesë të drejtësisë, ndërsa sot ajo vetë gjendet në prag të një procesi ku drejtësia i prek familjen.
Hetimet po drejtohen nga prokurori Prençi, i cili është ndër 136 prokurorët dhe gjyqtarët e konfirmuar në detyrë nga procesi i vettingut.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë u mor sot zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Numri dy i qeverisë ishte këtë të premte në SPAK, ku prokurori Dritan Prençi i komunikoi akuzën ‘Shkelje e Barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Balluku kishte zgjedhur si mbrojtëse ligjore motrën e saj Pamela Qirko.
Komente











