TIRANË - Sali Berisha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, vijoi sërish me sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zv. kryeministres Belinda Balluku, pasi kjo e fundit u mor e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë. Berisha e drejton gishtin nga Rama ndërsa paralajmëron protesta, duke thënë se ose do të largojnë kryeministrin, ose do të jetë fundi i opozitës. 

"Afera e tunelit të Llogarasë është aferë e Edi Ramës para se gjithash. Ndaj dhe demokratët, atë që i bënë Erion Veliajt, atë fat do i rezervojnë Edi Ramës. Nuk ka asnjë kod moral, asnjë gjë tjetër. Ose ai largohet, ose është fundi i opozitës. Unë kam shumë besim tek guximi, tek trimëria, tek vendosmëria e demokratëve, e opozitarëve, e qytetarëve. Tani e kanë lakuriq narkosin, tani nuk ka më iluzione.", tha Berisha. 

Berisha u ndal edhe te progres raporti i BE-së për Shqipërinë, ku vlerësohej progresi i mirë i vendit në negociata. Por sipas kreut të PD-së, në raport nuk përmendet askund fjala shkëlqim edhe pse ambasadori i BE-së në Tiranë Silvio Gonzato e përmendi një gjë të tillë. Për kreun e PD-së, raporti i bëri një “radiografi” narkoregjimit të Ramës.

"Unë e di se ndonjëri mund të thotë, ja ambasadori foli për shkëlqim, të tjerë në komision thanë të njëjtën gjë, unë u garantoj ju se në asnjë rresht, në asnjë fjalë nuk përdoret fjala shkëlqim, fjala e jashtëzakonshme, asnjë nga këta cilësorë nuk ekziston në raportin e Komisionit Europian. Që të gjitha janë shpikje pasiononte të individëve të caktuar që kërkojnë t’u dezinformojnë ju, t’u fshehin të vërtetat që përmban raporti. Ky është raporti. Nuk thotë askund progres i shkëlqyer. Në asnjë rresht. Prandaj mos dëgjoni se këto deklarata i shëmbëllejnë deklaratave të Donald Lu që thoshte në kulmin e kanabizimit të vendit se përgëzoj policinë për suksesin në luftën e jashtëzakonshme kundër drogës. Të dalësh dhe t’u thuash shqiptarëve atë që nuk thotë raporti, nuk është kjo ajo që presin shqiptarët. Raporti thotë se demokracia nis me zgjedhjet, siç është e vërteta. Zgjedhjet janë të manipuluara dhe jo të lira. Komisioni thekson: mungesë të fushës së lojës të barabartë.", theksoi Berisha.

Por pranon atë që thuhet në raport se ka progres në aspektin gjeostrategjik. 

"Ja sa të vërteta janë përkufizimet tona se Shqipëria plotëson vetëm një kriter në rrugën drejt BE dhe ky kriter është kriteri gjeostrategjik dhe kjo është e vërteta. ", shton ai.

Sipas Berishës, pavarësisht se në raport evidentoheshin arritjet e SPAK në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, është i politizuar. 

"Korrupsioni është endemik dhe i pandëshkuar. Korrupsioni i nivelit të lartë mbetet sfidë. Korrupsioni i përditshëm vazhdon të prekë qytetarët. Të vuajnë. Shumë e vërtetë. Institucionet e tjera jashtë SPAK-ut nuk japin rezultate të mjaftueshme. Në fakt edhe SPAK nuk jep rezultate, është i polizituar, por ne jemi në dialog të vazhdueshëm me institucionet evropiane për të faktuar këtë qëndrim tonin.", shtoi ai.

Ndalet edhe te projektligji për barazinë gjinore teksa thotë se nuk do të votojnë ligje që kundërshtohen nga komunitetet fetare. 

"Ne, ligje që kundërshtohen nga komunitetet fetare të Shqipërisë, në mënyrë absolute nuk votojmë. Jo! Nuk votojmë. Dhe në rast se ne mund të kemi një mendim pak më ndryshe, ne i respektojmë ato. Unë besoj shumë se morali njerëzor më shumë se çdo gjë tjetër, është i bazuar në parimet e librave të shenjtë. Dhe ne atyre u qëndrojmë, i respektojmë.", tha ai. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:19
Progres raporti/ Berisha kundër Gonzatos: Nuk flitet për shkëlqim, shpikje pasionante të atyre që duan të fshehin të vërtetat! Plotësohet vetëm kriteri gjeostrategjik

 

Për Sali Berishën, progres raporti i BE-së për Shqipërinë nuk flet për progresin e mirë të vendit në negociata. Sipas tij, në raport nuk përmendet askund fjala shkëlqim, edhe pse vetë ambasadori i BE-së në Tiranë Silvio Gonzato e përmendi një gjë të tillë. Për kreun e PD-së, raporti i bëri një “radiografi” narkoregjimit të Ramës.

Megjithatë pranon se "Shqipëria plotëson vetëm një kriter në rrugën drejt BE dhe ky kriter është kriteri gjeostrategjik dhe kjo është e vërteta."

“Unë e di se ndonjëri mund të thotë, ja ambasadori foli për shkëlqim, të tjerë në komision thanë të njëjtën gjë, unë u garantoj ju se në asnjë rresht, në asnjë fjalë nuk përdoret fjala shkëlqim, fjala e jashtëzakonshme, asnjë nga këta cilësorë nuk ekziston në raportin e Komisionit Europian. Që të gjitha janë shpikje pasiononte të individëve të caktuar që kërkojnë t’u dezinformojnë ju, t’u fshehin të vërtetat që përmban raporti. Ky është raporti. Nuk thotë askund progres i shkëlqyer. Në asnjë rresht.”, tha Berisha.

Sipas tij, këto deklarata i ngjajnë atyre që thoshte ish ambasadori i SHBA, Donald Lu ndërsa vendi ishte kanabizuar.

“Prandaj mos dëgjoni se këto deklarata i shëmbëllejnë deklaratave të Donald Lu që thoshte në kulmin e kanabizimit të vendit se përgëzoj policinë për suksesin në luftën e jashtëzakonshme kundër drogës. Të dalësh dhe t’u thuash shqiptarëve atë që nuk thotë raporti, nuk është kjo ajo që presin shqiptarët. Raporti thotë se demokracia nis me zgjedhjet, siç është e vërteta. Zgjedhjet janë të manipuluara dhe jo të lira. Komisioni thekson: mungesë të fushës së lojës të barabartë.”, tha mes të tjerash Berisha.