Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka ndarë sot detaje nga takimi që zhvilloi më 13 nëntor me ministrin e Drejtësisë së Italisë, Carlo Nordio, në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Shqipëri–Itali.
Duke vlerësuar figurën e Nordio-s, Lamallari shprehet se diskutimet me homologun e tij, së bashku me dhuratën simbolike, Kushtetutën e Republikës Italiane, marrin sot një domethënie të veçantë për rëndësinë e mbrojtjes së parimeve kushtetuese dhe ndarjes së pushteteve, ndërsa ankimimi i kryeministrit Edi Rama për rastin e pezullimit nga detyra të zevendëskryeministres Belinda Balluku është në pritje për t'u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese,
Në postimin e tij në rrjetin Facebook, Lamallari sjell edhe citime nga deklarimet publike të Nordio-s, i cili, duke reflektuar mbi tre dekada nga epoka e “Tangentopolit” dhe “Mani Pulite”, thekson se mjetet e përdorura atëherë janë dëshmuar “më të dëmshme se sëmundja”, duke e çuar magjistraturën drejt një kontrolli politik që rrezikoi ekuilibrat demokratikë.
‘Në takimin midis dy qeverive Shqipëri - Itali, më 13 nëntor pata mundësinë të takoja dhe diskutoja me homologun Carlo Nordio, një magjistrat karriere prej rreth 40 vite përvojë dhe një prej protagonistëve të hetimit ‘Mani Pulite’. Shqetësimet e shprehura hapur tashmë prej tij, si refleksion mbi mëse tre dekada, si dhe dhurata simbolike Kushtetuta e Republikës Italiane, sot marrin një kuptim të veçantë mbi rëndësinë jetike të mbrojtjes së parimeve kushtetuese, konsolidimit të shëndetshëm të institucioneve në respekt të përcaktimeve themelore mbi ndarjen e pushteteve dhe domosdoshmërinë për vetëpërmbajtje ndaj mjeteve të gabuara që mund të cënojnë këto parime, liri dhe të drejta, të gdhendura në ligjin themeltar', tha ai.
Lajmi kryesor:
Pezullimi i Ballukut, s’ka unanimitet në Kolegjin e Kushtetueses! Ankimi i qeverisë i kalon Mbledhjes së Gjyqtarëve, do vendosin nëse kalon për shqyrtim











