TIRANË- Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga tre anëtarë nuk arriti dot sot të merrte një vendim për t’I kaluar Mbledhjes së Gjyqtarëve ankimin e kryeministrit Edi Rama për rastin e pezullimit të Belinda Ballukut nga funksionet, në bazë të një vendimi të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese, Kolegji nuk shprehet për kalimin ose jo të një çështjeje në seancë plenare, por për moskalimin ose jo të saj. Dhe në këtë rast “vendimi për moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare nga kolegji merret njëzëri”.

Duke qenë se trupa e tre anëtarëve që përbënin kolegjin, Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, nuk ka patur unanimitet për moskalimin, atëherë çështja i ka kaluar mbledhjes së gjyqtarëve për t’u shprehur. Edhe Mbledhja e gjyqtarëve, po ashtu si kolegji, do të duhet të vendosë për moskalimin “me shumicë votash”. Në këtë rast nëse nuk kapet shumica prej 5 votash në favor të mosshqyrtimit, çështja i kalon automatikisht  seancës plenare. Mbledhja e Gjyqtarëve do të zhvillohet më 4 dhjetor.

"Në vijim të njoftimit të mëparshëm për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata bën me dije si vijon: Kolegji i Gjykatës u mblodh sot në datën 02.12.2025, sipas planifikimit, për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore", informoi Gjykata Kushtetuese

Neni 31/a
Moskalimi i çështjes për shqyrtim në seancë plenare
 1. Vendimi për moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare nga kolegji merret njëzëri, ndërsa nga Mbledhja e Gjyqtarëve merret me shumicën e votave.

Me Kushtetuesen që la ende në pritje verdiktin për çështjen Balluku, kryeministri Edi Rama komentoi edhe një herë se nuk ka asnjë rast në botë ku një prokuror dhe një gjykatë të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie.

"Pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci", shkroi Rama. 

Edhe Sali Berisha i dedikoi konferencën e tij për media Belinda Ballukut me një kërkesë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Me pretendimin se Rama po mbron zv.kryeministren në betejën e saj me drejtësinë, PD e kërkon shefin e qeverisë edhe në përballje parlamentare.

“I bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të parashikojë seancë publike në gjykimin e kësaj çështje. Kurrë ndonjëherë, një kryetar qeverie, një kryeministër, shef ekzekutivi, president qoftë ai, nuk ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur masat që gjykatat e tjera kanë marrë për vjedhje klamoroze të dokumentuara”, tha Berisha. 

Po sot, Balluku ka ankimuar në GJKKO dy masat e sigurisë të vendosura ndaj saj, pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit, pasi është e pandehur për shkelje me tenderin e Llogarasë dhe në hetim për lotin 4 të Unazës së Madhe.

Çfarë kërkon qeveria në Kushtetuese?

Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi nga detyra Ballukun pas pezullimit nga GJKKO, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses. Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.

Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilin kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër. Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv, dhe se GJKKO ka marrë attribute që nuk ia njeh Kushtetuta. Qeveria nuk e ka ankimuar në Kushtetuese masën tjetër të sigurisë për ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAK ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:07
Balluku në Kushtetuese/ Lamallari ndan fjalët e magjistratit italian: Mbrojtja e parimeve kushtetuese, detyrë e përditshme e çdo demokracie

1764713330_aa.JPG

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka ndarë sot detaje nga takimi që zhvilloi më 13 nëntor me ministrin e Drejtësisë së Italisë, Carlo Nordio, në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Shqipëri–Itali.

Duke vlerësuar figurën e Nordio-s, Lamallari shprehet se diskutimet me homologun e tij, së bashku me dhuratën simbolike, Kushtetutën e Republikës Italiane, marrin sot një domethënie të veçantë për rëndësinë e mbrojtjes së parimeve kushtetuese dhe ndarjes së pushteteve, ndërsa ankimimi i kryeministrit Edi Rama për rastin e pezullimit nga detyra të zevendëskryeministres Belinda Balluku është në pritje për t'u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese,

Në postimin e tij në rrjetin Facebook, Lamallari sjell edhe citime nga deklarimet publike të Nordio-s, i cili, duke reflektuar mbi tre dekada nga epoka e “Tangentopolit” dhe “Mani Pulite”, thekson se mjetet e përdorura atëherë janë dëshmuar “më të dëmshme se sëmundja”, duke e çuar magjistraturën drejt një kontrolli politik që rrezikoi ekuilibrat demokratikë.

‘Në takimin midis dy qeverive Shqipëri - Itali, më 13 nëntor pata mundësinë të takoja dhe diskutoja me homologun Carlo Nordio, një magjistrat karriere prej rreth 40 vite përvojë dhe një prej protagonistëve të hetimit ‘Mani Pulite’. Shqetësimet e shprehura hapur tashmë prej tij, si refleksion mbi mëse tre dekada, si dhe dhurata simbolike Kushtetuta e Republikës Italiane, sot marrin një kuptim të veçantë mbi rëndësinë jetike të mbrojtjes së parimeve kushtetuese, konsolidimit të shëndetshëm të institucioneve në respekt të përcaktimeve themelore mbi ndarjen e pushteteve dhe domosdoshmërinë për vetëpërmbajtje ndaj mjeteve të gabuara që mund të cënojnë këto parime, liri dhe të drejta, të gdhendura në ligjin themeltar', tha ai.

Ora 16:07
Ankimimi në Kushtetuese, të enjten vendoset nëse çështja kalon për gjykim apo jo

1763673057_58567406111815874174613844708906907542981988n.jpg

Ditën e enjte do të vendoset nëse ankimi i qeverisë në Gjykatë Kushtetuese për shfuqizimin e masës së pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, do të kalojë për gjykim apo jo.

Gjykata Kushtetuese e la ende në pritje verdiktin për çështjen Balluku. Tre gjyqtarët Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja nuk arritën dot unanimitet për të vendosur nëse ankimi i kryeministrit Rama do të kalojë për shqyrtim dhe çështja i kaloi Mbledhjes së Gjyqtarëve.

Ora 13:30
Çështja 'Balluku', Rama: Mbështetës i paepur i drejtësisë, por vendimi i GJKKO ishte si rrëzimi i fëmijës që sapo nis të ecë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish vendimin e GJKKO për të pezulluar nga detyra e ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Ballukun. 

Kreu i qeverisë rithekson se një vendim i tillë si ai i GJKKO-së nuk është parë kurrë në botë nga gjykatat ndaj një anëtari qeverie. Ai thotë se është një mbështetur i paepur i reformës në drejtësi, por sipas tij, vendimi nga gjykata e posaçme, ishte si rrëzimi i një fëmije që sapo ka nisur të ecë. 

“Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës - për më tepër edhe i shkallës së parë fare - pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie! Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri! E pra, pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci. Me ndryshimin që kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës.”, shkruan Rama.

Për kreun e qeverisë, lufta kundër korrupsionit nuk mund të justifikohet me përdorimin e një mjeti të gabuar, sepse kjo do të kthehej në boomerang. Ky është një mësim, shton ai, që nuk duhet ta harrojë askush.

“Le të jemi të qartë: Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë. Ky mësim nuk duhet harruar kurrësesi. Nga askush.”, përfundoi ai.

Postimi i kryeministrit Rama 
Ora 12:54
Çështja Balluku, Berisha thirrje Kushtetueses: Ankimi i qeverisë të mbahet në seancë publike

Sali Berisha i dedikoi konferencën e tij për media Belinda Ballukut me një kërkesë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Duke e cilësuar si çështjen më të nxitë të jurisprudencës europiane dhe botërore, Berisha i bëri thirrje Kushtetueses që ankimin e qeverisë ta shqyrtojë në një seancë publike, njëjtë siç u zhvillua ankimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“I bëj thirrje Kushtetueses të parashikojë seancë publike, pasi është çështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës europiane dhe botërore. Kurrë ndonjëherë një kryetar qeverie, një kryeministër shef ekzekutivi, nuk ka shkuar në Kushtetuese për të mbrojtur masat që gjykatat e tjera kanë marrë për vjedhje të dokumentuara në të gjitha aspektet. Ky akt i Ramës, lidhet vetëm me implikimin e tij gjer në vesh në këtë aferë dhe aferat që vijnë pas. Rama kundërmon sot në Europë dhe në botë si kampion i vjedhjeve të popullit të vet dhe kundërmon si Rama duro. Përpiqet si i mbyturi të kapet në fije bari, të bëjë presione nga më absurde ndaj sistemit gjyqësor në një kohë kur është i pashpresë. Është bashkëpunëtor i organizatave kriminale dhe karteleve të drogës. Ky është kualifikimi botëror sot, për Edvin Kristaq Ramën. Futet në Guiness si kryeministri i parë në histori që në vend të dorëheqjen ndaj ministres bëhet avokat në gjykata dhe kërkon ta mbrojë”, tha Berisha.

Ora 12:08
Pezullimi i Ballukut, Balla: Nuk është kompetencë e GJKKO-së, presim Kushtetuesen

Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla ka komentuar vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.

Edhe pse në asnjë moment nuk shqiptoi emrin e Belinda Ballukut, ai iu referua me postin drejtues që ajo mbante si ministre.

Balla nënvizoi se edhe ai si kryeministri Rama, mendon se gjykata nuk ka kompetencë që të pezullojë një ministër.

“Në vlerësimin tonë SPAK ka bërë një punë të shkëlqyer. Kush punon, gabon. Sa i përket rastit në fjalë Kryeministri ka qenë shumë i qartë, ka pasur një vendim nga gjykata për pezullimin e një ministri, në vlerësimin e tij dhe timin, mendoj se nuk e ka një kompetencë të tillë gjykata të pezullojë një ministër. Kushtetuta e ka barazuar ministrin me deputetin për imunitetin. Rendi kushtetues e ka të përcaktuar qartë se kur ke një ankesë e dërgon në Kushtetuese. Të presim Gjykatën Kushtetuesen”, tha Balla.

Ora 10:08
U pezullua nga detyra, Balluku ankimon masën e sigurisë në Apelin e GJKKO-së! Gjyli dhe Elezi kërkojnë heqjen e arrestit shtëpiak

1763820858_belindaballukutunelillogarase.jpg

Belinda Balluku ka ankimuar në Apel vendimin e GJKKO për masën e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Balluku është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, ndërsa është nën hetim për shkeljet me tenderin me vlerë 20 mln euro për lotin 4 të Unazës së Madhe.

Përveç Ballukut, masën e sigurisë e ka ankimuar në Apelin e Posaçëm edhe drejtori i KESH Erald Elezi, ndaj të cilit GJKKO ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. Ai akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë dhe masa i është caktuar për dy tenderët me vlerë 210 mln euro.

Ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur ka qenë tenderi i Llogarasë dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.

Ndërkohë, masën e sigurisë arrest shtëpie e ka ankimuar edhe kreu i ARRSH, Gentian Gjyli. Ai akuzohet nga SPAK për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe masa e sigurisë i është caktuar vetëm për tunelin e Llogarasë.

Të dy u paraqitën sot në SPAK për të dhënë sqarime në lidhje me akuzat, ku kanë qëndruar disa orë para hetuesve të shoqëruar nga avokatët mbrojtës.