Ban Ki-Moon Kosovës: Shpejtoni
  hapat për Gjykatën Speciale

Ban Ki-Moon Kosovës: Shpejtoni<br />  hapat për Gjykatën Speciale
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit  dhe marrëveshja e arritur mbi gjyqësinë janë përshëndetur  nga Ban Ki-Moon  i cili ka theksuar se mbetet një cështje nga më të rëndësishme formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, gjatë raportit të rregullt tremujor  të tij për Kosovën që pritet të shqyrtohet më 26 maj.

Sipas raportit, të publikuar në sajtin e KB, Ban Ki-moon thekson se Marrëveshja për integrimin e gjyqësisë në pjesën veriore të Kosovës, e arritur më 9 shkurt të këtij viti, tregon se të dy palët janë të përkushtuara për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe për vazhdimin e dialogut.
Ai thekson se me rëndësi vendimtare është që Prishtina e Beogradi të arrijnë përparim në zbatimin e atyre dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit të cilat ende nuk janë zgjidhur.

Nga ky aspekt është me rëndësi kryesore formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS), ka vlerësuar Ban dhe u ka bërë thirrje liderëve politikë në Beograd dhe Prishtinë që sa më shpejtë të nisin punën  për zgjidhjen e këtij problemi

Pasi konstaton se autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa me qëllim të formimit të Gjykatës Speciale, që do të procedojë veprat që dalin nga gjetjet e Njësisë Hetimore Speciale e BE-së, Ban ka rikujtuar se hapat e tjerë janë edhe më të rëndësishëm.
“Me rëndësi thelbësore është që hapat e ardhshëm në proces, që janë vendimtarë për të ardhmen e Kosovës, të jenë më të shpejtë dhe unë ftoj liderët politikë në Kosovë që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për këtë qëllim”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i KB.

Ai ka përshëndetur “vendosmërinë e qartë që e ka treguar Qeveria e Kosovës në drejtim të reformave të domosdoshme ekonomike, respektimin e sundimit të ligjit dhe angazhimeve me qëllim të promovimit të besimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë “, pavarësisht nga sfidat e shumta me të cilat u përball gjatë njëqind ditëve të para.

Situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur e qëndrueshme, thuhet në raport, ndonëse ka shembuj të dhunës siç ishin protestat në Prishtinë dhe disa incidente të dhunshme në pjesën veriore të Mitrovicës.
Ndonëse konstaton rënie të incidenteve potencialisht të motivuara etnikisht, Ban tërheq vërejtjen për numrin madh të sulmeve në pronat e boshatisura pronarë të të cilave janë pjesëtarët e grupeve minoritare.

Ban ka theksuar se duhet të vazhdojë përpjekjet me qëllim të forcimit të stabilitetit në pjesën veriore të Kosovës dhe se në këtë drejtim liderët lokalë në veri të Kosovës dhe autoritetet e Kosovës duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e kontesteve rreth buxheteve komunale dhe të sigurojnë vazhdimësinë e shërbimeve themelore.

Sekretari i përgjithshëm ka përshëndetur po ashtu përpjekjet e përbashkëta të policive të disa vendeve evropiane në bashkëpunim me Prishtinën e Beogradin për të penguar migrimin e paligjshëm.Po njëherësh ka tërhequr vërejtjen për nevojën e “ndërmarrjes së përpjekjeve të mëtejshme në favor të përmirësimit të kushteve socio-ekonomike në Kosovë si dhe për zgjidhjen e shkaqeve të tjera të migrimit kohë më parë të popullsisë”.

Raporti përfshin periudhën nga 16 janari deri më 15 prill të vitit 2015 dhe ai do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit më 26 maj.

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë, dorëzohen 21 kuti votimi në KZAZ e numërimit!! Kanë mbetur edhe 15 të tjera

Zgjedhjet në Himarë, dorëzohen 21 kuti votimi në KZAZ e numërimit!! Kanë mbetur edhe 15 të tjera