TIRANE- Katër të rinjtë të cilët u arrestuan dje për gjobëvënie 100 mijë euro donin të fusnin në kurth biznesmenin Juland Mustafaj nëpërmjet joshjes seksuale. Ata nisën planin ndaj 36 vjeçarit sipërmarrës në fushën e topografisë nëpërmjet Ravjola Lilajt, 24 vjeçarja me origjinë nga Memaliaj e cila nisi të flirtonte me biznesmenin.

TAKIMI I PARE
Takiminin e tyre të parë e ka "stisur" shtetasi Ervin Gjana nëpërmjet një të njohurës së tij. E arrestuara Lila është ulur "si rastësisht" me biznesmenin në të njëjtën tavolinë dhe brenda javës duket se ka arritur t'i tërheqë atij vëmendjen dhe të niste takimet "kokë më kokë" dhe në fshehtësi me 36 vjeçarin Mustafaj. Biznesmeni ka kujtuar se bëhej fjalë për një flirt klasik kur takonte 24-vjeçaren, por kjo e fundit nga ana e saj rezultonte se flirtin me Mustafajn e kishte thjesht një "çështje të programuar".

PLANET
Pas çdo takimi me Mustafajn vajza 24-vjeçare raportonte te i dashuri i saj, shtetasi Altin Dardha, i cili mesa duket është dhe organizatori i të gjithë lojës. Në një moment Dardha ka inskenuar një skenë sëbashku me të dashurën dhe ka "kapur në flagrancë" çiftin duke luajtur madje dhe rolin e djaloshit të revoltuar që do të bënte çdo gjë vetëm për të vënë drejtësinë në vend. Duket se ky fakt e ka bërë vulnerabël biznesmenin dhe prej këtij momenti mes të treve ka nisur një marrëdhënie e tensionuar ku tre ditë më parë Altin Dardha dhe Raviola Lila menduan të arrinin në pikën finale të planit të tyre: Shlyerjen e fajit me gjobë nga biznesmeni. Dardha i vuri biznesmenit një gjobë prej 25 mijë eurosh, duke i bërë të qartë edhe në tre sms të këmbyera mes tyre se nëse nuk do të paguante shumën e të hollave atëherë do të paguante edhe më shtrenjtë.

DENONCIMI
Porsa ka marrë shantazhin me sms dhe ultimatumin për të bërë pagesën brenda 48 orëve biznesmeni ka trokitur në dyert e policisë së kryeqytetit. Agjentët e kanë pajisur biznesmenin me përgjues dhe një sasi prej 25 mijë eurosh me numër serial të regjistruar paraprakisht. Nga ana tjetër janë vënë në përgjim të menjëhershëm numrat telefonik të Altin Dardhës dhe Raviola Lilës dhe nga thirrjet e realizuara prej tyre hetuesit mësuan se pjesë e skemës dhe e planit ishin dhe dy shokët e Altinit shtetasit Ervin Gjana dhe Rustem Koçi.Natyrisht që antarët e kësaj bande amatorësh nuk e kishin idenë se ishin "kokë e këmbë" nën përgjim dhe kanë komunikuar lirshëm me njëri tjetrin për momentin e "dorëzimit të lekëve". Biznesmeni Mustafaj ka dorëzuar 25 mijë eurot ndërsa fill pas dorëzimit kanë ndërhyrë agjentët dhe kanë prangosur katër të dyshuarit.

Nga ana e saj policia në deklaratën e saj zyrtare të dhënë dje tha se të rinjtë kishin planifikuar në total zhvatjen e 100 mijë eurove dhe se 25 mijë euro ishte vetëm kësti i parë.

Në njërin prej mesazheve dërguar biznesmenit, i është thënë se kishte vetëm 24 orë kohë për të bërë dorëzimin e 25 mijë eurove të kërkuara si shpagim i lidhjes së tij me femrën bashkëpunëtore. Ervin Gjana, 22 vjeç, Altin Dardha, 22 vjeç, Rustem Koçi, 21 vjeç, Raviola Lila, 24 vjeç pritet të dalin nesër në gjykatë për masë arresti.

(sg/shqiptarja.com)