POGRADEC- Flakët e mëdha të zjarrit përpinë në orën 21:25 të mbrëmjes së të shtunës, 4 janar, një godinë dykatëshe në lagjen nr.4 të Pogradecit.
Zjarri dyshohet se nisi nga oxhaku i shtëpisë së 80-vjeçarit Avni Biba dhe më pas u përhap në banesat ngjitur. Ai që shpëtoi banorët ishte Fatmir Metoshi, fqinji i cili pa flakët nga ballkoni i shtëpisë së tij, telefonoi zjarrfikësen dhe trokiti në çdo derë për të zgjuar nga gjumi banorët e rrezikuar. Ai tregon se të moshuarin që vuan nga skleroza dhe jeton i vetëm e gjeti në gjumë.
“Dola në ballkon shikoj tymin më vajti mendja tek Avniu, lajmërova zjarrfikësen, policinë, shkova te Avniu e gjeta në gjumë. Lajmërova njerëzit por s’po dilte njeri jashtë dhe pastaj u rashë dyerve”, tregon ai.
Gruas që iu dogj shtëpia, si pasojë e zjarrit që ra në shtëpinë e të moshuarit dhe që më pas u përhap më tej, ka treguar tmerrin teksa banesa e saj iu përfshi nga zjarri. Ajo thotë se i ka paralajmëruar familjarët e të moshuarit të mos e lënë vetëm në banesë.
“Vet e di se si shpëtova, të kalosh çupën 4 vjeçe dhe të bjerë zjarri, kurse çunin e kam 8 vjeç, ku ka më heq se kaq. E paralajmërova se ai nuk duhet të rrinte vetëm, ajo tha babai im nuk bënë nga këto veprime. Ne e shihnim se ca veprime bënte, më thoshte mua e vure ti”, tha ajo.
Zjarri u shua rreth orës 23:30 dhe gjatë gjithë natës zjarrfikësit monitoruan godinat për aktivizim të mundshëm të vatrave. Mëngjesi i të dielës gjeti 4 familje në qiell të hapur. Godinës i kishin mbetur vetëm muret.
I moshuari ishte pranë shtëpisë së djegur bashkë me vajzën e tij, ndërsa familjet u vizituan nga Kryetari i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli. Ai tha se Bashkia do të mbulojë shpenzimet për rindërtimin e banesave dhe qiranë e shtëpive ku do jetojnë familjet tashmë pa strehë.
“Do mbulojmë shpenzimet dhe qiranë deri në rindërtimin e banesave të shkatërruara nga zjarri. Një zjarr i përmasave të mëdha ku u përfshinë gati 4 familje por 2 prej tyre janë më të dëmtuarit. Një nga këto familje që është më problematike i kemi gjetur një shtëpi këtu afër dhe do ta mbështesim edhe me ushqime dhe veshmbathje pasi ata janë me duar në xhepa”, tha Xhakolli.
Grupi i emergjencave do verifikojë dëmet, ky më të dëmtuar janë shtëpia e Avni Biba me 4 dhoma të shkrumbuara dhe shtëpia e Elton Baçi me 3 dhoma të djegura.