Sipas Bankës, vendi ynë rezulton me pozicionin më të përkeqësuar thuajse tek të gjithë treguesit. Dekadën e kaluar Shqipëria ishte vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në Ballkan. Por situata filloi të përmbysej dy vjet më parë, kur ekonomia u zhyt në një valë të dytë ngadalësimi. Fillimisht në 2012 rritja u tkurr në 1.3 për qind, ndërsa vitin e kaluar ajo zbriti në 0.44 për qind. Kjo ishte shifra më e ulët në rajon e rritjes së prodhimit.
Por Shqipëria ka pozicion më të përkeqësuar se ekonomitë e ngjashme edhe në sektorin financiar. Borxhi i qeverisë ka qenë historikisht më i larti ndër ekonomitë në zhvillim. Por gjatë viteve të krizës ai u rrit me ritme shpërthyese, plot 20% ndaj prodhimit kombëtar krahasuar me 2007-n, një pjesë e të cilit në mënyrë të fshehtë nga qeveria e kaluar.
Ndërkohë, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në kuadër të Nismës së Vjenës, ka publikuar raportin e monitorimit të kredisë dhe procesit të tkurrjes së bilanceve (deleveraging) për tremujorin e katërt 2013, në vendet e Europës Qendrore, Lindore e Juglindore (CEESE), ku përfshihet dhe Shqipëria.
Sipas grafikëve të publikuar nga FMN, (që masin rënien e financimeve të bankave të huaja –funding- në vendet CES të Europes -grupeve bankare që raportojnë tek BIS Basel), ku përfshihet dhe Shqipëria, rezulton se fluksi është kthyer negativ në tremujorin e fundit të vitit 2013, në rreth më pak se 1% të PBB-së.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, zëri “Depozita në banka, institucione krediti dhe inst.tjera financiare”, që tregon vendosjet e parave të lira nga bankat në institucionet financiare jashtë vendit u rrit gati 20% me bazë vjetore, apo rreth 20 miliardë lekë (140 milionë euro).
Sipas raportit të FMN-së, procesi i tkurrjes së bilanceve në vendet e Europës Qendrore Lindore e Juglindore ka kaluar në dy faza. Së pari, pas falimentimit të Lehman Brothers, bankat e ekonomive të përparuara u gjendën nën presione të ashpra likuiditeti dhe u detyruan të ndërprisnin huadhënie e re ose të shisnin aktivet.
Së dyti, në mesin e vitit 2011, kriza e borxheve kombëtare në zonën e euros [oi në një rritje të presionit të tkurrjes së bilanceve (deleverage), teksa bankat evropiane u përballën me kosto më të larta financimi gjithashtu dhe me presione të rritje nga autoritetet rregullator për të përmirësuar treguesit e kapitalit. Ndërsa faza e dytë e këtij procesi u shkaktua nga presionet e bilanceve ë bankave (faktorët e ofertës), me shumë shtete evropiane që ranë në recesion, kërkesa e dobët për kredi luajti një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.
Në fazë e dytë u pa gjithashtu një fillim i tranzicionit tek një model i ri financimi për bankat përtej kufirit, në të cilin degët e huaja u nxitën që të vareshin më shumë në financimin e depozitave lokale.
Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com