Një fondacion i mbështetur nga Qeveria ruse ka ndarë fonde përmes ndërmjetësve në një përpjekje për të mbledhur informacione që mbështesin narrativët e Kremlinit dhe për të minuar mbrojtjen e Kievit ndaj pushtimit të nisur nga Moska, gjeti Skemat, njësia hulumtuese e Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.
Gjetjet bazohen pjesërisht në një arkiv me dhjetëra mijëra e-maile dhe dokumente të tjera që u siguruan nga transmetuesi publik danez, DR, që u ndan me Projektin për Raportimin për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP) dhe media të tjera, përfshirë Skemat.
Përmes këtyre dokumenteve dhe raportimeve të tjera, Skemat zbuloi se u dorëzuan raporte te Pravfond, me seli në Moskë - akronim për Fondacionin për Mbështetjen dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Bashkatdhetarëve që Jetojnë Jashtë Vendit – përmes ndërmjetësve të njohur si “kuratorë”.
Gjurmët e Lavrovit në Kiev
Pravfond u krijua nga Ministria e Jashtme ruse dhe Rossotrudnichestvo, agjenci qeveritare që thotë se “misioni ynë kryesor është të forcojmë ndikimin humanitar të Rusisë në botë”. Fondacioni thotë se qëllimi kryesor i tij është të ofrojë mbështetje ligjore dhe tjetër për rusët jashtë vendit kur “të drejtat, liritë dhe interesat e tyre të ligjshme” shkelen.
Megjithatë, një hetim më i gjerë i OCCRP-së ka ardhur në përfundim se fondacioni punon me operativë të inteligjencës, financon propagandë ruse dhe ndërton kanale ndikimi të Kremlinit.
Një marrëveshje e rishikuar nga Skemat tregon se Pravfond do të financohej për të paktën disa vite nga Ministria e Jashtme e Rusisë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është kryetar i bordit të drejtorëve të fondacionit.
“Drejtimi ukrainas”
Në mesin e materialeve të rishikuara nga Skemat ishte një pjesë e një dokumenti të titulluar “Drejtimi ukrainas”, i cili përshkruante aktivitetet e fondacionit në Ukrainë dhe thoshte se ato mbikëqyreshin nga Moska nga të paktën dy koordinues, përfshirë Yevhen Baklanov, qytetar ukrainas i kërkuar në Ukrainë nën dyshimin për tradhti. Nga autoritetet ukrainase ai kërkohet që nga viti 2022, në vitin kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj.
Sipas një raporti në një kurator i Pravfond-it për Ukrainën, avokatët në organizatën e quajtur Qendra për Konsultime Ligjore pranoi qytetarë ukrainas në zyrat e tij në Kiev, përderisa qendra përgatite raporte për autoritetet ruse nën dyshimet për “krime lufte të kryera nga Forcat e Armatosura të Ukrainës” dhe “shkelje e të drejtave të rusishtfolësve” në Ukrainë – shumica e të cilëve nuk janë shtetas rusë.
Autoritetet ukrainase dhe ndërkombëtare po grumbullojnë gjithnjë e më shumë dëshmi për krime të supozuara ruse të kryera nga Rusia dhe forcat e saj në Ukrainë. Gjykata Ndërkombëtare Penale (GNP) lëshoi një fletarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin, në vitin 2023, duke pretenduar se ai është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit dhe transferimit të paligjshëm të fëmijëve nga zonat e pushtuara të Ukrainës drejt Rusisë.
Detajet e raporteve të përgatitura për Pravfond ishin të pakta dhe nuk kishte dëshmi të drejtpërdrejta se kush i kishte përgatitur ato. Kur u kontaktuan nga Skemat, disa avokatë të përmendur në dokumente mohuan se kanë bashkëpunuar me Pravfond-in.
Paratë nga Moska
Dokumentet tregojnë se Qendra për Konsultime Ligjore ka funksionuar në Kiev që nga viti 2015, një vit pasi Rusia pushtoi Gadishullin e Krimesë dhe nxiti luftën në rajonin lindor të njohur si Donbas. Nuk është e qartë nëse kjo qendër vazhdon të jetë aktive.
Në një raport për Moskën mbi aktivitetet gjatë vitit 2022, Baklanov deklaroi se qendra kishte kryer 309 konsultime ligjore gjatë gjithë vitit. Temat përfshinin “rregullat për kalimin e kufirit” dhe “marrjen e shtyrjeve nga mobilizimi”, duke sugjeruar se, kushdo që kishte iniciuar bisedat, qendra këshillonte ukrainasit për veprime që mund të dobësonin përpjekjet e Kievit për t’u mbrojtur nga pushtimi rus.
Mbrojtja e Ukrainës kundër Rusisë, popullsia e së cilës është shumë më e madhe, është sfiduar nga dezertimi, vështirësitë për të mobilizuar burra të moshës së rekrutimit dhe largimi i mundshëm i ushtarëve potencialë në kundërshtim me ndalesën që pengon shumicën e burrave të moshës 23-60 që të largohen nga shteti.
Skemat po ashtu zbuloi se financimi për një rrjet avokatësh dhe faqe interneti në Ukrainë ishte kërkuar herë pas here nga Pravfond-i nga kuratorët. Në një kërkesë financimi në vitin 2025, Baklanov kërkoi më shumë se 3 milionë rubla (rreth 39.000 dollarë) për “ndihmë ligjore për bashkatdhetarët në Ukrainë”.
Dokumentet dhe një deklaratë nga një llogari e mbajtur nga Baklanovi në një bankë ruse, që u sigurua nga Skemat, zbuluan të paktën një rast gjatë dy vjetëve të fundit ku Baklanov kishte marrë para nga Pravfond-i. Nuk ka informacione që tregojnë nëse ndonjë pjesë e këtyre parave është transferuar ndonjëherë tek avokatët ukrainas.
Rasti për tradhti
Sipas dokumenteve të rishikuara nga Skemat, Svitlana Novytska, një avokate ukrainase që nuk ka lidhje me Qendrën e Informacionit Ligjor, aplikoi direkt te Pravfond, duke kërkuar një grant “për mbrojtjen e Tetyana Kuzmych” e akuzuar për tradhti. Shërbimi i sigurisë i Ukrainës (SBU) pretendon se Kuzmych ka drejtuar një rrjet agjentësh të FSB-së ruse në rajonin e Hersonit, i cili është pjesërisht i pushtuar nga forcat ruse dhe që Moska, pa bazë, pretendon se është pjesë e Rusisë.
Njësia Skemat nuk gjeti dëshmi që Novytska të ketë marrë para nga Pravfond. Novytska, e cila vetë ishte ndaluar në një hetim të veçantë për tradhti, mohoi të ketë marrë ndonjë mbështetje kur u kontaktua nga Skemat. “Kjo është hera e parë që po e dëgjoj këtë”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ueb-faqet promovojnë “denazifikim”
Përveç referencave ndaj Qendrës së Informacionit Ligjor dhe rastit Kuzmych, materialet e lidhura me Pravfond që analizoi Skemat, identifikojnë katër faqe interneti të lidhura me Ukrainën, një prej të cilave quhet Pravcenter. Një raport për Ministrinë e Jashtme të Rusisë thotë se qëllimi i këtyre faqeve është të mbështesin qëllimin e deklaruar të Kremlinit për “denazifikimin” e Ukrainës.
Kërkesa për “denazifikim” del nga pohimi i rremë i Putinit se Ukraina udhëhiqet ose dominohet nga “nazistë”, një pretendim që shihet gjerësisht si pjesë e përpjekjes së Kremlinit për të siguruar që Qeveria e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të humbasë pushtetin dhe të zëvendësohet me figura miqësore ndaj Rusisë.
Në një nga raportet e tij për Pravfond, kuratori Maksym Zelenskiy vuri në pah një artikull të Pravcenter-it që ripublikonte atë që pretendonte të ishte një raport i një mediumi polak, i cili thoshte se refugjatët ukrainas në Poloni kishin “bindur njerëzit për nevojën e denazifikimit në Ukrainë”, quante Qeverinë e Ukrainës “neo-fashiste” dhe paralajmëronte se migrimi ukrainas mund të destabilizonte Bashkimin Evropian.
Ndërsa Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Pravfond-it dhe udhëheqjes së tij për atë që thotë se janë aktivitete subversive antiukrainase, fondacioni aktualisht nuk është subjekt i sanksioneve nga Qeveria ukrainase. Kievi kishte vendosur sanksione ndaj organizatës në vitin 2021 për një periudhë trevjeçare, por sanksionet skaduan në vitin 2024 dhe nuk u zgjatën./REL
Komente










